Rilinda Selimi në KPA | Foto : BIRN/ Vladimir Karaj
KPA Lajme Veting

Paqartësi në kërkimet e Komisionerit, KPA shtyn procesin për Rilinda Selimin

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të enjten shtyrje të seancës gjyqësore ndaj gjyqtares së Gjykatës Administrative të Apelit Rilinda Selimi, për t’i dhënë kohë Komisionerit Publik të paraqesë me shkrim sqarime mbi kërkimet e tij në proces.

Kërkesa u bë pasi trupa dëgjoi parashtrimet e Komisionerit Publik, Dariel Sina dhe relatorja Rezarta Schuetz i bëri atij me dije se kishte vënë re ndryshime në referenca në disa paragrafë mes asaj që u lexua në seancë dhe kërkimeve të paraqitura në ankim. Schuetz kërkoi saktësim dhe sqarime mbi referencat ligjore dhe saktësim të asaj që kërkohej.

Çështja ndaj Selimit po gjykohet nga një trupë e kryesuar prej Sokol Çomos, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Natasha Mulaj, Albana Shtylla dhe Mimoza Tasi.

Rilinda Selimi, gjyqtare pranë Gjykatës Administrative të Apelit, u konfirmua në detyrë në 14 dhjetor 2020 nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit drejtuar nga Pamela Qirko, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtar Olsi Komici. Por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, rekomandoi menjëherë apelimin e vendimit, duke arsyetuar se KPK nuk kishte hetuar apo kishte hetuar sipërfaqësisht disa prej problemeve të gjyqtares që preknin të tre kriteret e rivlerësimit.

Komisioneri Publik bazuar në këtë rekomandim ankimoi çështjen dhe kërkon po ashtu rihetim të Selimit në të tri kriteret.

Kërkesat paraprake

Seanca ndaj gjyqtares filloi me dy kërkesa paraprake të kësaj të fundit. Selimi kërkoi fillimisht të njihej me vendimet e arsyetuara të Kolegjit për të rrëzuar kërkesat e saj për përjashtim të anëtarëve të trupës.

Siç doli nga kërkesa e gjyqtares, ajo fillimisht kishte kërkuar përjashtimin e 4 anëtarëve nga çështja e saj, pasi ata më herët  kishin gjykuar çështjen ndaj bashkëshortit të saj Shkëlzen Selimi, ish-gjyqtar i Gjykatës së Lartë i cili u shkarkua nga KPK dhe më pas KPA pasi u konsiderua i papërshtatshëm për shkak të “lidhjeve me krimin e organizuar”.

Selimi referoi se ishte njohur me vendimin e Kolegjit për të rrëzuar këtë kërkesë, por nuk ishte njohur me vendimin e arsyetuar.

Gjyqtarja kërkoi edhe të njihej edhe me vendimin e arsyetuar të trupës për një kërkesë specifike të saj për përjashtimin e gjyqtares Natasha Mulaj. Selimi sqaroi se Mulaj kishte dhënë dorëheqjen në çështjen ndaj një gjyqtari tjetër të Gjykatës Administrative të Apelit, pasi ai ishte trupë gjykuese e një dosje në të cilën palë ishte vëllai i gjyqtares.

Gjyqtarja tha se ajo kishte qenë pjesë e të njëjtës trup gjykuese. BIRN kuptoi se bëhej fjalë për çështjen ndaj ish-gjyqtarit Artur Malaj, i cili u shkarkua nga KPA.

Pas një ndërprerje të shkurtët Çomo njoftoi se kërkesat për të shtyrë procesin për njohje të subjektit me këto vendime ishte rrëzuar. Ai tha se vendimet ishin të formës së prerë dhe se arsyetimi për to jepej bashkë me vendimin përfundimtarë. Por ai shtoi se Selimi do të njihej me këto vendime gjatë procesit.

Menjëherë pas këtij vendimi Selimi parashtroi një kërkesë të dytë paraprake për pezullim të procesit, duke iu referuar një procedimi penal të nisur nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK, e cila ka vendosur në sekuestro një karburant në pronësi 50 për qind të saj dhe bashkëshortit.

Selimi parashtroi se duke qenë se procedimi penal dhe ai administrativ zhvilloheshin për të njëjtën çështje, pasurinë e subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshortit dhe prova të ngjashme, duhej që KPA të priste përfundimin e procesit penal.

Komisioneri Dariel Sina e kundërshtoi këtë parashtrim. Sina tha se procesi i rivlerësimit nuk përplasje me proceset e tjera.

Kolegji pas një konsultimi në dhomë këshillimi mbajti të njëjtin qëndrim. Çomo tha se procesi i rivlerësimit ishte i posaçëm dhe nuk u mbivendosjen proceseve të tjera “në mënyrë të veçantë një procesi penal” dhe ftoi palët të lexonin parashtrimet.

Parashtrimet e Komisionerit Publik

Komisioneri Publik Dariel Sina lexoi për gati një orë parashtrimet e tij mbi çështjen ndaj Selimit. Duke iu referuar rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit ai kërkoi që KPA të rihetonte pasurinë e Selimit.

Në mënyrë të veçantë Sina foli për konsiderimin e vjehrrit të subjektit si person tjetër i lidhur sa i përket blerjes së karburantit në Vlorë. Sina tha se mes vjehrrit dhe bashkëshortit të subjektit kishte një sërë marrëdhëniesh ekonomike, përfshi hua dhe llogari të përbashkët bankare dhe kërkoi që të hetoheshin mundësitë e tij në blerjen e karburantit. Ai tha se subjekti, bashkëshorti dhe vjehrri nuk kishin pasur të ardhura të mjaftueshme për këtë transaksion.

Po ashtu ai kërkoi hetim të kontratave të qirave mbi këtë karburant, duke theksuar faktin se qiraja dukej më e lartë se sa fitimet e qiramarrësit në këtë pikë karburanti. “Duket si një transaksion i pajustifikueshëm ekonomik, i cili shkon kundër logjikës së tregut”, tha Komisioneri. Ai kërkoi të merreshin si prova bilancet e kompanive që kishin marrë me qira karburantin.

Komisioneri tha se kontrata në fjalë nuk ishte kontratë qiraje dhe ngriti dyshime se formulimi i saj e bënte subjektin të cënueshëm dhe e vinte nën presion. Ai tha se KPA e kishte gjetur një kontratë të ngjashme në “mospërputhje thelbësore me funksionin e prokurorit” në vendimin e shkarkimit të ish-prokurorit Besnik Cani.

Komisioneri Kërkoi edhe hetim të burimeve të ligjshme në lidhje me një apartament në Selit të Tiranës. Sipas Komisionerit apartamenti rezultonte me të dhëna kontradiktore dhe se KPK nuk kishte hetuar për konflikt interesi mes administratorit të kompanisë dhe gjyqtares.

Po ashtu Komisioneri kërkoi rihetim të disa pasurive të tjera të Selimit dhe të ligjshmërisë së disa të ardhurave të pranuara nga Komisioni. Sina kërkoi edhe rihetim të figurës së gjyqtares, duke vënë në dukje se bashkëshorti i saj ishte faktuar si i papërshtatshëm në vendimet e KPK-së dhe KPA.

Bazuar në referimin e ONM-së Sina i kërkoi Kolegjit që të shqyrtonte dyshimet për përfitim preferencial të gjyqtares në një çështje ku ajo kishte paditur kompaninë Al Italia. Po ashtu ai kërkoi hetim dhe rivlerësim të kriterit të profesionalizmit bazuar në dyshimet se gjyqtarja dhe bashkëshorti nuk kishin paguar detyrimet tatimore mbi qiratë dhe mbi fitimet në shitjen e automjeteve.

Ai tha se gjyqtarja kishte gjykuar një çështje ndaj një kompanie me të cilën kishte pasur marrëdhënie qiraje edhe gjatë kohës së gjykimit. Sina kërkoi të hetohej për konflikt të mundshëm të interesit në gjykatat e Vlorës, Fierit, Tiranës dhe Gjykatën Administrative të Apelit.

Në fund ai pretendoi se në gjendjen që ishin aktet gjyqtarja nuk arrinte nivel të besueshëm, por ia la në dorë KPA të vendoste për shkarkimin e saj apo lënien në detyrë.

Pas parashtrimeve të Sinës trupa u tërhoq për 15 minuta, por mori një kohë më të gjatë në dhomë këshillimi. Kur u kthye në seancë relatorja Rezrta Schuetz i bëri një sërë pyetjesh Sinës në lidhje me ndryshimet që ajo kishte gjetur mes ankimit dhe parashtrimeve.

Nga sa u kuptua Schuetz tha se kishte ndryshim në referenca ligjore dhe se ishin të paqarta kërkesat e bëra në disa paragrafë. Po ashtu ajo kërkoi të dinte se pse Komisioneri nuk kishte kërkuar hetim për konflikt interesi edhe në gjykatën e Librazhdit ku Selimi po ashtu kishte shërbyer. Schuetz  tha se ishte i nevojshëm sqarimi i këtyre pikave.

Kryesuesi Çomo tha se për shkak të rëndësisë së këtij sqarimi Kolegji e shtynte seancën për në datën 19 maj, për të lënë kohë Komisionerit Publik që të bënte saktësimet me shkrim dhe për të dëgjuar kundërshtimet e Selimit mbi ankimin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *