Ndihmës ligjor, Klement Kajana | Foto: BIRN
KPK Lajme

Pas vlerësimit pozitiv, KPK konfirmon në detyrë ndihmësin ligjor Klement Kajana

Ndihmësi ligjor pranë Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, Klement Kajana u përball të premten më 17 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur pak kohë pas një seance të shkurtër gjatë së cilës nuk u evidentuan probleme në asnjë prej kritereve të rivlerësimit, u konfirmua në detyrë.

Procesi i vetingut për Kajanën u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Genta Tafa Bungo. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar, ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Sipas relatores Pine, në hetimin e ndihmësit ligjor, Klement Kajana janë konsideruar edhe përfundimet dhe arsyetimet e KPK dhe të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në vetingun e bashkëshortes së tij, prokurores Manjola Kajana, e cila e ushtron funksionin në Prokurorinë e Posaçme.

Në seancë u relatua se nuk janë gjetur probleme për një apartament të blerë në vitin 2013 kundrejt çmimit 41 mijë e 300 euro, me burim kursimet dhe një kredi. Po ashtu, u tha se nuk janë evidentuar probleme për një apartament të privatizuar nga babai i subjektit, pasuri e shitur më pas. Nga hetimi kanë rezultuar pa probleme dhe dy automjete dhe një investim në blerje letrash me vlerë, si edhe analiza financiare e përgjithshme ka dalë me biland pozitiv.

Klement Kajana mori vlerësim pozitiv edhe për figurën e profesionalizmin. Gjysmë ore pas përfundimit të seancës dëgjimore, KPK shpalli vendimin e konfirmimit të tij në detyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *