Prokurori dha dorëheqjen ditën që i dorëzuan rezultatet e hetimit

Lajme
Vendimi i zbardhur i KPK-së tregon se prokurori i Krimeve të Rënda Njazi Seferi dha dorëheqjen në të njëjtën ditë kur iu kalua edhe barra e provës në të tre kriteret.

Suela Zhegu, Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko, gjatë një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, | Foto nga : LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbardhi të martën vendimin për largimin nga sistemi i drejtësisë i prokurorit të Krimeve të Rënda, Njazi Seferi. Vendimi i zbardhur bën me dije se Seferi ishte larguar nga sistemi për 15 vjet përmes dorëheqjes.

Sipas vendimit të KPK procesi i rivlerësimit të Seferit vijoi normalisht. Ai u njoftua për trupën gjykuese në mes të shtatorit të këtij viti dhe po ashtu deklaroi se nuk kishte konflikt interesi me trupën.

Megjithatë sipas vendimit në të njëjtën ditë që trupa i dërgoi Seferit rezultatet e hetimit dhe i kaloi atij barrën e provës në të tre kriteret e rivlerësimit, ish-prokuori i është drejtuar Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të kërkuar dorëheqjen.

“Në datën 27.9.2019 kam paraqitur me shkrim dorëheqjen pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke kërkuar mbarimin e statusit të prokurorit. Kjo dorëheqje është paraqitur për arsye shëndetësore”, citohet Seferi në vendimin e KPK-së. Dorëheqja e Seferit u konfirmua nga KLP në fillim të tetorit të këtij viti.

Komisioni tha se pasi KLP kishte pranuar dorëheqjen dhe e kishte vënë KPK në dijeni të saj ishte vendosur përfundimi i procesit të rivlerësimit. KPK tha se ishte vendosur edhe: “Ndalimin e emërimit të z. Njazi Seferi si gjyqtar ose prokuror të çdo niveli, anëtar të Këshillit të Lartë Gjyqësor ose të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor të Lartë të Drejtësisë ose Prokuror të Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare”.