Prokurori Gëzim Veizi pas seancës dëgjimore. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Prokurori Gëzim Veizi jep shpjegime për pasurinë dhe profesionalizmin

Prokurori i Prokurorisë së Durrësit, Gëzim Veizi u përball të mërkurën më 9 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për barrat e provës dhe gjetjet në kriterin e pasurisë dhe për profesionalizmin. Për pastërtinë e figurës ai u vlerësua pozitivisht.

Procesi i vetingut për prokurorin Veizi u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Firdes Shulin. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Gëzim Veizi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 2013 dhe prej asaj kohe e ushtron funksionin në Prokurorinë e Durrësit.

Verifikimi i pasurisë

Komisioni ka konstatuar mospërputhje në deklarimin e çmimit të një apartamenti në Tiranë me sipërfaqe rreth 110 m2, të blerë nga subjekti në vitin 2006, me vlerën e përcaktuar në kontratë.

Sipas Komicit, Veizi ka shpjeguar se nuk i ka dhënë vëmendje çmimit të vendosur nga noteri në kontratën e shitjes. KPK ka verifikuar burimet financiare të deklaruara nga subjekti se kanë shëbryer për krijimin e kësaj pasurie, 20 mijë euro nga shitja e një apartamenti të mëparshëm në Elbasan, 5 mijë euro nga të ardhurat dhe kredi në vlerën 41 mijë euro.

Nga hetimi i KPK ka rezultuar se apartamenti i shitur prej subjektit, është përfituar nga familja e tij e origjinës si të pastrehë, prej Entit Kombëtar të Banesave. Në vitin 2001 vëllezërit e subjektit kanë hequr dorë nga pjesa e tyre takuese dhe më vonë edhe e ëma.

Veizi ka deklaruar se e ka shitur këtë pasuri për vlerën 20 mijë euro dhe pala shitëse rezulton t’u ketë kaluar vlerën prej 2.5 milionë lekësh. Ndërkohë, në kontratën e shitjes është shënuar çmimi 1.9 milionë lekë. Lidhur me këtë mospërputhje, subjekti ka deklaruar se është rënë dakord që të shiten dhe moblijet për shumën 600 mijë lekë.

Relatori Komici vërejti se megjithëse pagesa është kryer me bankë, nuk është vërtetuar pagesa e detyrimeve tatimore për shumën 600 mijë lekë dhe për rrjedhojë kjo vlerë nuk është konsideruar në analizën financiare. Për këtë arsye, është konstatuar pamundësi në shumën 600 mijë lekë për pagesën e këstit të parë.

Ndërkohë, Komici shtoi se nga analiza e të ardhurave dhe shpenzimeve, duket se subjekti ka pasur mundësi financiatre për pagesën e këstit të parë, edhe nëse nuk do të konsiderohet shuma 600 mijë lekë.

Kredia prej 41 mijë eurosh, është disbursuar pas nënshkrimit të kontratës për blerjen e apartamentit. Megjithëse Komisioni në fillim ka konstatuar se duket se kredia nuk mund të kishte shërbyer për pagesën e pjesës tjetër të çmimit të apartamentit, bazuar në aktet e adminisurtara, shpenzimet e Veizit janë gjetur bindëse.

Sipas Komicit, subjekti ka shpjeguar se është dakordësuar me shoqërinë ndërtues për të nënshkruar kontratën në mirëbesim, me qëllim përfitimin e kredisë. Nga hetimi administrativ ka rezultuar se e ngjithë vlera e kredisë është kaluar drejtëpërdrejtë në llogarinë e shoqërinë ndërtuese.

Subjekti shpjegoi në seancë se blerësi i apartamentit në Elbasan ka depozituar në llogarinë e bashkëshortes shumën 2.5 milionë lekë. Ai vërejti se dhe pse kishin pasur mundësi të investonin për arredimin e shtëpisë në Elbasan, sërish nuk u ishte konsideruar shuma 600 mijë lekë e përfituar nga shitja e moblijeve.

Veizi shtoi se nisur nga fakti se kishin rezultuar me mundësi financiare për pagesën e këstit të parë, vlera e konstatuar si bilanc negativ për arsye të moskonsiderimit të shumës 600 mijë lekë, nuk mund të përbëjë shkak për masë disiplinore.

Për konstatimin lidhur me kredinë, ai theksoi se ishte vërtetuar se e gjithë vlera i ishte kaluar shoqërisë ndërtuese.

Prokurori Veizi ka blerë një tjetër apartament me sipërfaqe 127.7 m2 për vlerën 100 mijë euro në vitin 2016. Si burim krijimi ka deklaruar një hua në shumën 15 mijë euro, 5 mijë euro nga një depozitë dhe 80 mjë euro kredi.

Komici deklaroi se huadhënësi ka rezultuar me burime të mjaftueshme financiare për krijimin dhe dhënien e shumës 15 mijë euro subjektit. Vlera 5000 euro është gjetur po ashtu e ligjshme pasi sipas KPK, rrjedh nga shumë e përfituar nga bashkëshortja e subjektit me vendim gjyqësor.

Komisioni nuk ka gjetur porbleme as për kredinë 80 mijë euro, duke konstatuar mundësi të prokuorit Veizi për krijimin e kësaj pasurie.

KPK ka verifikuar edhe shpenzimet e kryera jashtë shtetit. Nga sa u relatua në seancë u mësua se Veizi kishte kryer disa tërheqje cash të llojit POS, që mundëson tërheqjen e parave jashtë shtetit nëpërmjet përdorimit të një karte.

Subjekti deklaroi në seancë se një pjesë e këtyre tërheqjeve nuk janë shpenzuar në periudhën kur ka qenë jashtë shtetit. Ai kërkoi që këto tërheqje të mos konsiderohen si shpenzime të udhëtimeve jashtë vendit, pasi kanë qenë si shpenzime ekstra. Veizi tha se nuk luante kumar, pasi për shkak të besimit fetar, një gjë e tillë quhet haram. Komici vërejti se ky shpjegim i subjektit ezauroi përgjigjen e pyetjes që ai kishte përgatitur, se nëse këto shuma të tërhequra cash jashtë vendit, i kishte përdorur apo jo për të luajtur kumar.

Sipas relatorit të çështjes, nga analiza financiare paraprake e kryer deri në këtë moment, bilanci negativ total në vite rezulton më vlerën rreth 2 milionë lekë.

Gjetjet për profesionalizmin

Komici evidentoi disa gjetje në aspektin profesional, që kishin të bënin kryesisht me vendimarrje të subjektit të rrëzuara nga prokurorët më të lartë apo nga gjykatat për hetime të paplota.

Bazuar në një ankesë të kryer nga shtetasi H.B. për pushimin e procedimit penal nga Veizi, Prokuroria e Përgjithshme e ka zhfuqizuar e kthyer për plotësim të hetimeve. Sipas Komicit, subjekti ka konkluduar dy herë me vendime pushimi, por janë prishur për veprime hetimore të paplota. Relatori tha se për të dy vendimet është evidentuar se është përdorur bazë ligjore e gabuar, si dhe nuk janë kryer të gjitha detyrat e lëna.

Subjekti shpjegoi se kallëzimi ishe kryer për disa materiale të falsifikuara, por ishte jashtë afatit pasi kishte kaluar më shumë se 5 vjet. Veizi deklaroi se kallëzuesi kishte çështje civile dhe prandaj kishte kryer denoncimin, pasi I nevojitesh ta përdorte.

Ndaj prokurorit Veizi janë depozituar 15 denoncime nga publike, për 9 prej të cilave nuk janë gjetur probleme.

Një prej denoncuesve, është ankuar në Prokurorinë e Përgjithshme për pushimin e një procedimi penal nga subjekti, që është shfyqizuar për hetime të paplota. Pas kryerjes së detyrave të lënda, Veizi e ka çuar në gjyq këtë çështje.

Veizi ka pushuar një kallëzim penal të vitit 2022. Pasi denoncuesi e ka ankimuar, gjykata e prishur vendimarrjen e tij dhe ka urdhëruar kryerjen e veprimeve hetimore. Subjekti e ka ankimuar dhe çështja është ende në apel për shqyrtim. Komici tha se konstatohet se kallëzuesit nuk i është njoftuar vendimi i mosfillimit, si dhe se nuk janë kryer hetime të plota.

Edhe subjekti deklaroi se e ka ankimuar këtë çështje dhe është ende në pritje për t’u shqyrtuar në Apel.

Një denoncuese ka pretenduar se subjekti ka favorizuar të kallëzuarin prej saj për përndjekje dhe keqpërdorim me dashje të thirrjeve telefonike. Veizi e ka pushuar këtë çështje. Sipas KPK, duket se subjekti nuk ka kryer veprimet e duhura hetimore dhe nuk e ka njoftuar kallëzuesen për përfundimin e hetimeve.

Sipas prokurorit Veizi, nga provat e administruara rezultonte se shte fyerje dhe jo përndjekje. Sipas tij, ndoshta kallëzuesja nuk ka njohuritë e duhura ligjore.

Një denoncues ka paraqitur në Komision rrethanat e një çështje, në të cilën pretendon se subjekti ka pushuar akuzën për vrasje ndaj një të hetuari, duke e çuar për gjykim vetëm për armëmbajtje pa leje. Sipas denoncuesit, i proceduari ishte person i rrezikshëm dhe me lidhje me grupet kriminale në qytetin e Durrësit. Po ashtu është petenduar se Veizi ka kërkuar lirimin me kusht të personit në fjalë.

Sipas KPK, personi në fjalë rezulton të jetë dënuar në përfundim për kanosje e armëmbajtje pa leje me 1 vit burgim dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar me 8 muaj heqje lirie. Po ashtu, është vendosur dhe pezullimi i dënimit. Komici vërejti se nga hetimet e kryera mbetet e paqartë se si është sekuestruar arma.

Subjekti deklaroi se nuk kishte pasur prova për vrasje. Ai tha se edhe gjykata kishte lënë detyra për kryerjen e veprimeve hetimore që i kishte bërë më parë. Veizi shtoi se i pandehuri ishte, i ri, student i shkëlqyer dhe i padënuar më parë.

Subjekti ka kërkuar pezullimin e dënimit dhe për një tjetër person të hetuar prej tij për armëmbajtje pa leje. Megjithëse është dhënë dënimi me 3 vjet e 4 muaj burgim, është kërkuar dhe vendosur pezullimi i dënimit dhe vendosja e të dënuarit në shërbim prove.

Në këtë rast, Veizi u mbrojt duke argumentuar se i pandehuri kishte pasur probleme të rënda shëndetësore. Sipas tij, I pandehuri kishte shfaqur dhe pendesë të thellë dhe e kishte kryer një pjesë të dënimit gjatë arrestit në shtëpi dhe se bazuar në këto rrethana kishte kërkuar pezullimin e dënimit dhe vendosjen në shërbim prove.

Në seancë u konstatua se subjekti ka kryer udhëtime me shtetasin O.M, i cili rezutlon të ketë përdorur tre emra të ndryshëm. I pyetur lidhur me shkaqet e ndryshimit të emrave nga miku i tij, subjekti deklaroi në seancë se kur kishte lidhur martesë ai kishte marrë mbiemrin e bashkëshortes. Por, pasi kishin lindur djalin, nuk mund të pranonte që i biri të mbante mbiemrin e të ëmës dhe e kishte ndërruar sërish.

Për dy kallëzime të kryera ndaj subjektit është vendosur mosfillim hetimi.

Në përfundim, prokurori Gëzim Veizi kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do shpallet më datë 11 tetor, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *