Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi në unanimitet kofirmimin në detyrë të prokurorit Adriano Dyrmishi.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të hënën vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës, Adriano Dyrmishi. Trupa gjykuese gjykuese e KPK që kreu procesin e rivlerësimit për prokurorin Dyrmishi përbëhej nga Suela Zhegu në cilësinë e kryesueses, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Brunilda Bekteshin.
Adriano Dyrmishi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore, ndërsa në vitin 2010 është emëruar prokuror në Prokurorinë e Rrethit Tiranë ku e ushtron funksionin prej një dekade.
Komisioni konstatoi gjatë seancës dëgjimore pamundësi për blerjen e pasurisë së vetme që zotëron prokurori Dyrmishi, një autoveture tip Audi në vitin 2015 kundrejt vlerës 500 mijë lekë. Balanca negative u konstatua për shkak të mospërfshirjes së gjendjes cash në analizën financiare, pasi nuk kishte deklaruar në vitin 2015 pakësimin e këtij likujditeti.
Prokurori Dyrmishi e pranoi se nuk e kishte deklaruar pakësimin e gjendjes cash në 2015-ën, por theksoi se burimi kishte qenë pikërisht gjendja cash.
Ai u vlerësua pozitivisht për profesionalizmin, ndërsa një raport i DSIK për papërshtatshmëri u përmbys nga Komisioni, pasi u gjet i pabazuar në prova.