Prokurori i Lezhës, Simon Pashuku pas vendimit të shkarkimit në KPK. Foto: Malton Dibra/LSA
Analiza Korrupsioni KPK Në Fokus

Prokurori Simon Pashuku u shkarkua për 80 mijë euro të padokumentuara

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shprehet në vendimin e zbardhur se prokurori i Lezhës, Simon Pashuku dështoi të provonte me dokumente burimin e pasurisë, ku përfshiheshin dhurime nga të afërmit dhe të ardhura qiraje.

Prokurori i Lezhës, Simon Pashuku pas vendimit të shkarkimit. Foto: Malton Dibra/LSA

Vendimi i shkarkimit të prokurorit të Lezhës, Simon Pashuku është bazuar në dy pasuri të pajustifikuara. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në vendimin e arsyetuar shprehet se Pashuku kishte dështuar të provonte me dokumente burimin e ligjshëm të një shtëpie të blerë në Shkodër për 60 mijë euro, konkretisht shumën prej rreth 40 mijë eurosh të pretenduar si dhurim nga të afërmit dhe po ashtu edhe burimin e ligjshëm të 40 mijë eurove nga qiraja e një objekti, për të cilat nuk ishin paguar tatimet.

Komisioni i kryesuar nga Burnilda Bekteshi, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Suela Zhegun, pas hetimit të këtyre dy pasurive vendosi të shkarkonte prokurorin Pashuku, me arsyetimin se ai kishte bërë deklarim të pasaktë të pasurisë, nuk kishte justifikuar me burime të ligjshme shumën 3.2 milionë lekë për pagesën e këstit të parë të shtëpisë dhe nuk justifikonte me burime të ligjshme gjendjen në llogari bankare.

Pashuku i ka kundërshtuar këto përfundime të KPK në fazën kur i është kaluar barra e provës. Ai ka pretenduar se këto pasuri ishin të kohës kur ai nuk ishte subjekt i deklarimit të pasurisë dhe se nuk kishte menduar në atë moment për dokumente. Ai po ashtu pretendoi se dhurimet ishin reale, ndërsa pasaktësitë në deklarim lapsuse.

Shtëpia dhe dhuratat

KPK bën me dije në vendim se kishte hetuar blerjen nga prokurori Pashuku në vitin 2006, në një kohë që ai nuk ishte prokuror, të një shtëpie në Shkodër me vlerë 60 mijë euro. Kësti i parë i shtëpisë ishte paguar po atë vit. Por Pashuku kishte deklaruar se këstet ishin paguar prej një kredie 24 mijë euro në vitin 2008 dhe dhuratave nga të afërmit të marra po në vitin 2008.

Vetëm pasi i është kaluar barra e provës, prokurori i shkarkuar, ka thënë në pyetësor se në vitin 2006 kishte marrë hua nga një mik i tij shumën 30 mijë euro. Ai ka pretenduar se nuk kishte pasur detyrim deklarimin e kësaj shume, pasi ajo ishte shlyer më pas me kredinë dhe dhuratat.

Një hua e ngjashme e padeklaruar u zbulua në të njëjtën formë nga KPK. Sipas Komisionit Pashuku kishte marrë 1.5 milion nga një kolege dhe se siç pranoi vetë prokurori, kredia e marrë në vitin 2008 ishte përdorur pjesërisht për të shlyer këtë hua.

Komisioni shprehet se nuk kishte të dhëna se përse ishin marrë huatë dhe as gjurmë të ekzistencës së tyre, përveç deklarimeve noteriale të bëra para procesit të vetingut. KPK i gjeti transaksionet në fjalë të dyshimta, ndërsa e cilësoi mosdeklarimin e tyre si penalizues. Nisur prej kësaj KPK arriti në përfundimin se prokurori i shkarkuar kishte mungesë prej 3.2 milionë lekësh në vitin 2006, për të paguar këstin e parë të banesës.

Nga ana tjetër, KPK nuk pranoi si burim të ligjshëm dhurimin prej 41 mijë eurosh nga të afërmit për blerje shtëpie. Në vendim del se Pashku pretendonte se kishte marrë si dhurime nga tre motrat nga 18 mijë euro. Ai po ashtu pretendoi se kishte marrë 20 mijë euro nga vëllai, po në formë dhurimi dhe në këmbim të heqjes dorë prej tij të pretendimeve për pronën e prindërve. “Fakti që vëllai im më ka dhuruar një shumë parash të konsiderueshme prej 20.000 euro është bërë me dëshirën e tij dhe në bazë të një marrëveshje( marrëveshje gojore ), që kemi bërë unë dhe im vëlla”, citohet Pashuku në vendim.

Ndërkohë, një shumë prej 3 mijë eurosh pretendohet e dhënë nga vjehrri, me të njëjtin qëllim.

Nga vendimi nuk rezulton që KPK të jetë hetuar burimet e ligjshme të këtyre shumave, përveç asaj nga vjehrri që sipas Komisionit nuk rezultoi e justifikuar. Pashuku pretendoi se dhurimet ishin bërë nga të afërmit për ta ndihmuar dhe se nuk kishte pasur nevojë për dokumentacion.

Komisioni ka dalë në përfundimin se deklaratat me shkrim dore të vitit 2016 të të afërmve që pranonin dhurimin nuk ishin të mjaftueshme për të provuar se dhurimet kishin ndodhur.

Paratë nga qiraja

Përtej problemeve me pasaktësitë, në deklarimin e një ndërtese 56 metra ktarorë me një pistë 40 metra në një fshat të Shkodrës e deklaruar si e zotëruar në bashkëpronësi me vëllain, por e dërguar për legalizim vetëm në emër të Pashukut, KPK u fokusua te rreth 40 mijë euro të deklaruara si të përfituara prej kësaj ndërtese.

Komisioni thotë se nga hetimi nuk u gjet asnjë provë që për këtë shumë të ishin paguar detyrimet tatimore dhe se një pagesë tatimesh mbi shumën në total në vitin 2016 nuk e legjitimonte këtë shumë dhe as provonte të kundërtën e dyshimeve të ngritura.

KPK bën me dije në vendim se ka gjetur që personi që kishte marrë me qira ndërtesën prej vitit 2006 dhe deri në vitin 2012 nuk ka qenë fare i rregjistruar si biznes dhe as është e mundur të provohet se ka realizuar të ardhura që mund të paguante qiranë. KPK thotë se personi në fjalë është rregjistruar vetëm në vitin 2015 dhe se kjo po ashtu nuk provon që ai ka paguar shumat e pretenduara nga subjekti.

“Të ardhurat e pretenduara të gjeneruara nga dhënia me qira e objektit për ushtrimin e aktivitetit tregtar nga z. N. P nuk provohen me dokumentacion ligjor provues për sa kohë aktiviteti zhvilluar nga qiramarrësi nuk ka qenë i regjistruar në Qendra Kombetare e Biznesit dhe në organet tatimore në periudhën 2006 – 2012”, thuhet në vendim.

Pashuku u mbrojt duke pretenduar se mosregjistrimi i biznesit të qiramarrësit nuk ishte diçka që mund të penalizonte atë. Ai po ashtu pretendoi se marrëveshja e qirasë ishte rinovuar me gojë vit pas viti. KPK arsyetoi se kjo bënte të pamundur vërtetimin e të ardhurave nga qiraja që ishin depozituar në bankë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *