Prokurorja Alma Felaj në KPK | Foto: LSA
KPK Lajme Veting

Prokurorja Alma Felaj drejt konfirmimit në detyrë

Prokurorja e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Alma Felaj u përball të mërkurën në mëngjes me gjetjet e hetimit administrativ të KPK-së, si pjesë e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i njohur gjithashtu si procesi i vetingut.

Trupa e KPK-së udhëhiqej nga komisionerja Alma Faskaj, me relator Olsi Komici dhe anëtar Etleda Çiftja. Procesi i rivlerësimit për Felajn është bërë për të tre kriteret e vetingut, përfshirë kontrollin e pasurisë, integritetin e figurës dhe profesionalizmin.

Gjatë relatimit të gjatë 45 minuta, Komici theksoi se Komisioni kishte gjetuar nga analiza financiare e shtimit dhe pakësimit të pasurisë famijare të subjektit një diferencë të vogël prej 211 mijë lekësh dhe pasaktësi në deklaramin në deklaratat vjetore të një toke bujqësore të përfituar nga familja e subjektit nëpërmjet ligjit 7501.

Komici gjithashtu deklaroi se subejkti kishte marrë një vlerësim pozitiv nga institucionet ndihmëse për sa i përket integritetit te figurës dhe profesionzlimit dhe hetimit administrativ i KPK-së nuk kishte konstatuar probleme të tjera.

Prokurorja Alma Felaj shpjegoi gjatë fjalës së saj pasaktësistë në deklaratat periodike dhe kërkoi nga Komisioni konfirmimin në detyrë.

Alma Felaj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe u emërua prokurore në Prokurorinë e Fierit. Në vitin 2011, Felaj u transferua në Prokurorinë e Durrësit dhe në maj të vitit 2023 u transferua në mënyrë të diskutueshme nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në Prokurorinë e Tiranës.

Alma Felaj është kunata e deputetes së Partisë Socialiste, Ermonela Felaj dhe e afërmja e katërt e saj që u emërua në Prokurorinë e Tiranës gjatë viteve të fundit. Aty punojnë gjithashtu bashkëshorti dhe motra e deputetes Felaj si prokurorë dhe vëllai i saj si oficer i policisë gjyqësore.

Procesi i rivlerësimit për Felaj është bërë ex-oficio dhe ajo është shortuar nga KPK për tu vetuar në qershor të vitit 2020.  Prokurorja ka marrë një vlerësim pozitiv nga ILDKPKI, e cila është shprehur se ajo ka bërë deklarim të saktë, ka burime të mjaftueshme financiare për pasuritë e deklaruara dhe nuk është në gjëndjen e konfliktit të interesit.

Si pjesë e hetimit administrativ, KPK ka marrë në shqyrtim një numër pasurish të luajtshme dhe të paliajtshme të subjektit dhe familjarëve të saj, përfshishrë një automjet Ford Fiesta, një automjet Mercedez Benz, një tokë arë në Fier me sipërfaqe 13 mijë m2, investime në obligacione, si dhe 2 apartamente në Tiranë – një në lagjen ‘5 maji’ të blerë nga i vjehrri dhe një në rrugën e Elbasanit të blerë në bashkëpronësi me vjehrrin.

Për apartamentin e blerë nga vjehrri në lagjen ‘5 maji’ në Tiranë me ndihmën e fëmijëve, KPK ka konstatuar një mungesë burimesh financiare prej 585 mijë lekësh, por që nuk ka ndikuar në vlerësimin e subjektit, pasi kjo pasuri është krijuar përpara lidhjes së martesës në vitin 2009.

Ndërkohë, për një apartament të blerë në vitin 2007, me vlerë 100,000 euro, tek rruga e Elbasanit në Tiranë, KPK është shprehur se subjekti i rivlerësimit dhe familja e saj kanë pasur burime të ligjshme.

Felaj u pyet nga anëtarja e KPK-së, Etleda Çiftja në lidhje me çmimin e blerjes së një automjetit Mecedes Benz, me vlerë 7,500 euro në vitin 2015. Ajo dha shpjegime mbi natyrën rastësore të njohjes me shitësin. Gjithashtu, subjekti rivlerësimit shpjegoi se kishte banuar me qira për një periudhë pas vitit 2017, ndërkohë që shtëpia e saj në Tiranë arredohej.

Vendimi i KPK-së për prokuroren Alma Felaj do të shpallet me datë 14 korrik në orën 9.30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *