Prokurorja Blerta Hamza kalon shkallën e parë të vetingut

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi në mënyrë unanime të konfirmojë në detyrë prokuroren e Shkodrës, Blerta Hamza.

Prokurorja Blerta Hamza pas vendimit të KPk. Foto:BIRN

Komisioni i pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të mërkurën vendimin për konfirmimin në detyrë të prokurores së Shkodrës, Blerta Hamza. Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të hënën më 5 korrik, u relatuan raporte pozitive për pasurinë dhe për pastërtinë e figurës. Ndërkohë, ajo dha shpjegime për dy denoncime nga publiku lidhur me dy çështje që kishte hetuar.

Trupi gjykues që kreu procesin e rivlerësimit për prokuroren Hamza kryesohej nga Brundilda Bekteshi, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Suela Zhegun.

Blerta Hamza përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2016 dhe pas një periudhe stazhi në Pogradec u emërua prokurore në Prokurorinë e Shkodrës, ku vazhdon ta ushtrojë funksionin. Prej vitit 2020, Hamza punon edhe si eksperte për monitorimin e SPAK dhe Gjykatës së Posaçme me lejen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.