Prokurorja Denisa Asko pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Prokurorja Denisa Asko përballet me vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk evidentoi probleme domethënëse për pasurinë e prokurores së Tiranës, Denisa Asko, ndërkohë ajo mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Prokurorja Denisa Asko pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Prokurorja e Prokurorisë së Tiranës, Denisa Asko u përball të mërkurën më 28 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore u njoh me gjetjet e hetimit administrativ për të tri kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe provesionalizmit.

Procesi i vetingut për prokuroren Asko kryhet nga trupa e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Në cilëisnë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i panishëm Tonçi Petkoviç.

Denisa Asko i përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe u emërua si prokurore në Prokurorinë e Shkodrës. Ajo u shkëput nga prokuroria në vitin 2015 dhe pas një periudhe komandimi në Ministrinë e Drejtësisë, u rikthye në detyrë si prokurore e Prokurorisë së Tiranës me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në vitin 2019.

Gjatë seancës dëgjimore, që zgjati më pak se gjysmë ore, nuk u evidentuan probleme domethënëse për pasurinë, ndërkohë që Asko u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Relatori Hamitaj pohoi se subjekti rezultonte me një balancë negative në shumën 117 mijë lekë për pasurinë e vetme që u relatua se disponon, një autoveturë tip “Benz” të blerë në vitin 2013 për çmimin 4250 euro. Si burim krijimi të kësaj pasurie Asko ka deklaruar një kredi të marrë në vitin 2012 në shumën 800 mijë lekë dhe kursimet.

Hamitaj sqaroi se për periudhën 1 janar – 8 prill të vitit 2013, kur është blerë mjeti, subjekti rezulton të ketë tërhequr nga kredia shumën 620 mijë lekë. Sipas tij, balanca negative 117 mijë lekë ka rezultuar nga analiza e kryer mbi raportin e të ardhurave, përfshirë dhe shumën 620 mijë lekë të të tërhequr nga kredia – me shpenzimet e asaj periudhe.

Nga analiza financiare e KPK për periudhën 2009-2016 kanë rezultuar balanca të vogla të shtrira në vite, që sipas Hamitajt, kapin vlerën totale 647 mijë lekë. Relatori Hamitaj tha se prokurorja Asko ka dhënë shpjegime lidhur me këto gjetje, që do të vlerësohen gjatë vendimarrjes përfundimtare.

Në përfundim të seancës, prokurorja Denisa Asko falënderoi Komisionin për hetimin administrativ të kryer për rivlerësimin e saj dhe u shpreh se konsideronte se i plotësonte të tre kriteret për konfirmimin në detyrë.

Komisioni njoftoi se do të shpallë vendimin më 29 korrik, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *