Shpallja e vendimit të KPA për gjyqtarin Zaimi. Foto kortezi KPA
Analiza KPA Veting

Shkarkimi i prokurorit Dorian Tafilaj për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë u gjet i drejtë në KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA e gjeti të drejtë vendimmarrjen e Komisionit për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Fierit, Dorjan Tafilaj, megjithëse u pranuan si të bazuar pretendimeve të ngritur në ankimin e tij.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 28 dhjetor 2023 shkarkimin nga detyra të Tafilajt, pasi konkludoi në vlerësimin tërësor të çështjes se kishte kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë dhe se rezultonte në pamundësi financiare për krijimin e një pjese të tyre. Ndërkohë, Tafilaj mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe për aspektin profesional u çmua se kishte treguar cilësi të mira, duke u konsideruar i aftë.

Tafilaj e kundërshtoi vendimmarrjen e KPK si të pabazuar duke ngritur shkaqe për aspektin procedurial dhe pasurinë, por që u vlerësuan prej Kolegjit të pamjaftueshme për ndryshimin e vendimit të shkarkimit.

Dorjan Tafilaj ka punuar fillimisht si oficer i policisë gjyqësore dhe u emërua si prokuror në Vlorë në vitin 2000. Ai punoi edhe në Prokurorinë e Korçës, përpara se të emërohej në Prokurorinë e Fierit në vitin 2016.

Vlerësimi shkaqeve

KPA nuk e pranoi kërkesën e subjektit për kalimin e çështjes në gjykim, me argumentin se nuk konstatoi shkelje procedurale, që të kërkojnë korrigjimin e tyre. Megjithatë, Kolegji evidenton shkaqe të subjektit që i ka gjetur të drejta.

Në vendim konstatohet se, pas njohjes me rezultatet e hetimit paraprak në KPK, Tafilaj ka depozituar një akt të ri lidhur me të ardhurat e përfituara nga ndihma ekonomike për KEMP-in e djalit të tij gjatë periudhës 2003-2014, duke krijuar pritshmërinë e bindjen se do të ishin pjesë e analizës financiare përfundimtare.

Komisioni i ka konsideruar me rezervë këto të ardhura në analizën paraprake bazuar në një akt të mëparshëm të dorëzuar nga subjekti, që nuk është konsideruar në formën e kërkuar nga ligji pasi nuk mbante nënshkrimin e titullarit të institucionit përkatës. Më vonë, Tafilaj ka dorëzuar aktin e ri të nënshkruar nga kryetari i Bashkisë Vlorë dhe relatori i çështjes është shprehur gjatë seancës dëgjimore se përgjigjet, shpjegimet dhe provat e paraqitura do të vlerësoheshin me objektivitet në vendimmarrjen përfundimtare. Por, në analizën përfundimtare, KPK nuk i ka përfshirë këto të ardhura me argumentin se nuk u depozitua dokument ligjor.

Trupi gjykues i KPA vëren se është e paqartë nëse Komisioni ka konkluduar mbi dokumentin e parë apo atë të dytë të paraqitur nga subjekti, si dhe nëse akti i dytë është vlerësuar ose jo si provë prej KPK.

Sipas Kolegjit, subjektit nuk i është dhënë e drejta për të prapësuar dhe për të paraqitur kundërargumentet lidhur me moskonsiderimin e këtyre të ardhurave, shkak që çmohet i drejtë nga trupi gjykues i Kolegjit.

Bazuar në këtë pretendim, si dhe për mosllgaritjen si duhet të shpenzimeve jetike, prokurori Tafilaj ka kundërshtuar pamundësinë në shumën 440 mijë lekë të konstatuar nga Komisioni për blerjen e një apartamenti në Vlorë në vitin 2007. Ai ka parashtruar në ankim se nuk i janë konsideruar të ardhurat nga ndihma ekonomike për KEMP-in e djalit në vlerën totale prej 282 mijë lekësh, si dhe nuk është kryer zbritja e shpenzimeve të jetesës për vitet 2005-2007.

Kolegji ka përfshirë në analizë të ardhurat nga KEMP-i i djalit të subjektit që janë vërtetuar, prej nga bilanci negativ për apartamentin ka mbetur në shumën e 263 mijë lekëve. Ndërsa nuk është konsideruar i bazuar pretendimi tjetër për uljen e shpenzimeve të jetesës, duke u kryer përllogaritja ashtu si dhe nga Komisioni, bazuar në standartet e shpenzimeve sipas ILDKPKI-së.

Në përfundim, KPA shprehet se ndan të njëjtin qëndrim me Komisionin se subjekti i rivlerësimit rezulton me mungesë burimesh financiare të ligjshme për të justifikuar blerjen e apartamentit në vitin 2007.

KPA ka rrëzuar si të pabazuar pretendimet se KPK nuk i ka dhënë mundësinë për t’u dëgjuar dhe për të debatuar rezultatin e analizës financiare për periudhën 1998-2003, lidhur me mundësinë e prindërve për të kursyer një vlerë prej 1.5 milionë lekësh, e depozituar në llogari bankare në emër të tij dhe bashkëshortes.

Kolegji konstaton se subjekti ka pasur mundësinë të japë shpjegimet e tij dhe të paraqesë prova lidhur me gjetjet e Komisionit për pamjaftueshmëri të burimeve financiare të ligjshme për periudhën 1998-2003, si dhe lidhur me sa ka pretenduar për të ardhurat e prindërve. Po ashtu, sillet në vëmendje se marrëdhënia e vetme e interesit e deklaruar nga subjekti lidhur me prindërit, është se ata kanë jetuar së bashku për disa periudha dhe se ai me bashkëshorten kanë paguar një pjesë të qirasë së banesës ku jetonin.

Në deklartat vjetore dhe në atë veting, subjekti ka deklaruar si burim për depozitën në fjalë kursimet familjare nga paga. Edhe gjatë hetimit administrativ ai ka deklaruar të njëjtin burim për depozitat. Ndërsa në funksion të prapësimeve të rezultateve të hetimit, Tafilaj ka shpjeguar se babai i ka kërkuar të depozitojë 1.5 milionë lekë në emër të tij. Po ashtu, nuk ka rezultuar asnjë dokument prej nga mund të provohej dhënia e vlerës prej 1.5 milionë lekë nga prindërit e subjektit.

Në përfundim, Kolegji ka arritur në konkluzionin se rezultojnë të pabazuara pretendimet e subjektit se në asnjë moment të procesit nuk ka pasur të drejtën për t’u dëgjuar dhe për të kundërshtuar gjetjet e Komisionit për rezultatin e analizës financiare për periudhën 1998-2003.

Gjithashtu, janë gjetur të pabazuar dhe pretendimet për përfshirjen në analizën financiare të depozitave të të ardhurave të prindërve për periudhën 1998-2003.

Kolegji vëren se nga dokumentacioni i administruar nga Komisioni, subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar kursime cash në deklaratën vetting, ndërsa ka deklaruar gjendje apo kursime cash në deklaratat periodike vjetore nga viti 2004 deri në vitin 2016. Komisioni ka konkluduar se subjekti ka kryer deklarime të pasakta të gjendjes cash në vite dhe deklarime të pasakta e të pamjaftueshme në deklaratën veting. Po ashtu, është konstatuar pamundësi financiare.

I pyetur për mosdeklarimin e cash-it në deklaratën veting, subjekti ka shpjeguar se ka qenë një keqkuptim jo i qëllimshëm mbi mënyrën e plotësimit të deklaratës, pasi gjendja e kursimeve cash është deklaruar rregullisht në deklaratat periodike vjetore deri në 2016-ën.

Në ankimin e depozituar në Kolegj, subjekti ka parashtruar se analiza e kryer nga Komisioni mbi ndryshimin e gjendjes cash nuk është në koherencë me leximin dhe interpretimin e drejtë të deklarimeve në deklaratat periodike vjetore dhe vlerës provuese të tyre. Sipas tij, KPK ka bërë përllogaritje të gabuara, pasi nuk ka marrë në konsideratë përdorimin e gjendjes cash në shpenzimet për blerjen e automjeteve, çeljen e llogarive bankare, si dhe shlyerjen e detyrimeve në vite.

Tafilaj ka këmbëngulur që leximi i deklaratave periodike vjetore të bëhet ndryshe, me argumentin se në disa raste vlerat e deklaruara prej tij si kursime në të vërtetë nuk janë shtesa, por gjendje cash.

Sipas tij, pamundësia financiare e konstatuar nga Komisioni vjen për shkak se nuk është konsideruar se gjendja cash është pakësuar për të mbuluar shpenzimet në vite lidhur me çeljen e llogarive bankare në vitet 2009, 2010 dhe 2012, blerjen e automjeteve në vitin 2010 dhe në 2015-ën, si dhe shlyerjen e detyrimeve pranë një banke po në vitin 2015.

Trupi gjykues vëren se pavarësisht se subjekti ka pretenduar përdorimin dhe për rrjedhojë pakësimin e gjendjes cash nga viti paraardhës, për kryerjen e shpenzimeve, nga deklarimet periodike vjetore nuk rezulton të ketë deklaruar këto shpenzime apo burimin e tyre. Për rrjedhojë çmohet se bëhet i pamundur vërtetimi i pretendimeve të ngritura në ankim dhe arrihet në përfundimin se Tafilaj ka kryer deklarim të pasaktë të pasurisë, pasi nuk ka deklaruar kursime cash në deklaratën veting, ndërsa ka pohuar gjatë hetimit administrativ në Komision se ka poseduar gjendje cash.

Subjekti ka kundërshtuar dhe gjetjen tjetër të KPK, se në fund të vitit 2016 është mbajtur një gjendje cash në vlerën 2.2 milionë lekë, në tejkalim të vlerës limit prej 1.5 milionë lekë që lejohet sipas ligjit. Tafilaj ka pretenduar se ai dhe familja e tij kanë qenë të ekspozuar ndaj sulmeve kriminale në atë periudhë dhe se mbajtja e asaj vlere cash ka qenë në kushtet e mbrojtjes së nevojshme me qëllim për të siguruar mbrojtjen e familjes në rast emergjence të largimit nga qyteti ku banonin apo dhe jashtë vendit.

Kolegji vëren se Komisioni, megjithëse ka konstatuar disponimin nga subjekti të një gjendje cash tej limit ligjor, në konkluzionin përfundimtar e ka penalizuar atë për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm, pasi ka gjetur mospërputhje në deklarimet periodike, në deklaratën vetting dhe gjatë hetimit administrativ. Për rrjedhojë, pretendimi lidhur me penalizimin nga KPK për shkak të mbajtjes së gjendjes cash të deklaruar, tej limitit ligjor, gjendet i pabazuar nga KPA.

Të pabazuar janë gjetur dhe pretendimet ndaj konkluzionit të Komisionit se prokurori Tafilaj ka rezultuar në pamundësi financiare në shumën 653 mijë lekë për krijimin e tre depozitave në vitet 2009, 2010 dhe 2012, në vlerën totale prej 10 mijë eurosh dhe 600 mijë lekësh. Sipas Kolegjit, subjekti nuk arrin të provojë dhe pretendimet e tij për krijimin e depozitave bankare në vite, për të cilat nuk ka deklaruar në deklaratat periodike krijimin dhe burimin e tyre, si dhe ka bërë deklarime kontradiktore për burimin. Ashtu si KPK, edhe Kolegji vlerëson se Tafilaj gjendet në kushtet e mungesës së burimeve financiare për krijimin e tyre.

Në vijim, KPA vlerëson se ashtu si ka konkluduar dhe Komisioni, subjekti gjendet në pamundësi në shumën 282 mijë lekë për blerjen e një automjeti në vitin 2015. “Për shkak të deklarimeve të ndryshme të subjektit, lidhur me burimin e blerjes së automjetit ‘Ford Focus’ dhe të përdorimit të gjendjes cash nga viti paraardhës, si dhe të deklarimeve të subjektit për zëvendësimin e vlerës prej 600.000 lekësh me të ardhurat nga pagat kursime familjare në lekë cash të krijuara gjatë vitit 2015 dhe me tërheqjen prej 300.000 lekësh nga llogaria në BKT, në përfundim, vlerësohet se mbeten të besueshme vetëm deklarimet e tij për përdorimin e vlerës 600.000 lekë nga cash-i i vitit 2014”, vlerëson KPA duke konfirmuar bilancin negativ të Komisionit.

Situatë e ngjashme ka rezultuar dhe për blerjen e një makine tjetër në vitin 2010. Sipas KPA, konstatohet se Tafilaj ka dhënë shpjegime kontradiktore lidhur me burimin e blerjes së këtij automjeti, pasi në 2010-ën ka deklaruar si burim pagat, ndërsa në prapësimet ndaj rezultateve të hetimit ka pretenduar se ka shërbyer teprica cash e vitit 2009. Kolegji vëren se ky kontradiktoritet vjen si rrjedhojë e shpjegimeve të ndryshme që subjekti ka dhënë gjatë hetimit lidhur me likuiditetin cash në fund të viteve 2009 dhe 2010.

Bazuar në deklarimin e vitit 2010, se burim kanë qenë kursimet nga paga, është konkluduar bilanc negativ në vlerën prej 30 mijë lekësh – rezultat që sipas Kolegjit, konfirmon konkluzionin e Komisionit për pamundësi financiare në blerjen e kësaj makine.

Tafilaj ka pretenduar se Komisioni nuk ka kryer një vlerësim proporcional dhe të drejtë lidhur me dy  automjetet, të cilat janë dëmtuar dhe grabitur në datat 29 qershor 2013 dhe 18 nëntor 2014. Për të dy automjetet subjekti pretendon se duhet t’i jepej dëmshpërblim ose kompensim nga ana e organeve ligjzbatuese, sepse ato janë dëmtuar për shkak të detyrës, si dhe se nuk janë zbuluar autorët ndaj të cilëve mund të kishte kërkuar dëmshpërblim financiar me padi civile.

Pavarësisht ngjarjeve të ndodhura në dëm të subjektit, KPK e ka vlerësuar të pabazuar këtë pretendim duke agrgumentuar se ai ka shpenzuar për krijimin e tyre dhe se nuk mund të mos jenë pjesë e analizës financiare.

“…përveç sa ka konkluduar Komisioni që për blerjen e tyre janë kryer shpenzime (të padiktuara nga situata, të paktën në blerjen e automjetit të parë të dëmtuar), trupi gjykues çmon se nuk është në diskrecionin e organeve të rivlerësimit që të bëjnë vlerësimin apo të përfshijnë në analizë financiare vlera të pretenduara nga shkaktimi i dëmit nga të tretët, për sa kohë që këto vlera nuk janë njohur me vendime gjyqësore apo me akte të tjera të organeve ligjzbatuese”, shprehet Kolegji.

Nga verifikimi i analizës financiare të kryer nga Komisioni për periudhën 1998-2016, Kolegji ka arritur në konkluzionin se bilanci negativ i konstatuar në shkallën e parë të vetingut në masën rreth 4.5 milionë lekë, duhet të reduktohet me një diferencë prej 875 mijë lekësh, duke mbetur në vlerën totale rreth 3.6 milionë lekë.

Në përfundim, Kolegji vlerëson se prokurori Dorjan Tafilaj gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm dhe se shkarkimi i tij duhet lënë në fuqi.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *