Gjyqtari Adnri Ymeri dhe avokati Arben Llangozi duke dalë nga KPK | Foto:  Edmond Hoxhaj BIRN
KPK Veting

KPK mbyll pas pesë seancash maratonë procesin e rivlerësimit për gjyqtarin Andri Ymeri

Gjyqtari Andri Ymeri i uroi festat trupës të hënën para se të mbyllte fjalën duke thënë se ai nuk do të ishte i pranishëm në shpallje të vendimit. “Ju falënderoj për durimin”, tha Ymeri, duke iu referuar seancave të njëpasnjëshme disa prej të cilave u zgjatën për orë të tëra pasi Ymeri dhe avokatët e tij paraqitën një mori kërkesash paraprake.

Në fakt para se Ymeri të merrte fjalën për të lexuar deklaratën e tij përfundimtare kryesuesja e trupës Pamela Qirko tha se 9 trupa të veçanta të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kishin rrëzuar kërkesat për përjashtim anëtarësh apo të gjithë trupës. Procesi ndsaj Ymerit filloi në maj të këtij viti, por u shty disa herë, pas kërkesave të vazhdueshme për përjashtim të anëtarëve të trupës. Pas përjashtimit të anëtarit Roland Ilia dhe Etleda Çiftja, procesi u rifillua në 9 dhjetor nga trupa e kryesuar nga Pamela Qirko, me anëtarë Firdes Shulin dhe Genta Tafa Bungo. Trupa e re u përball sërish me kërkesa përjashtimi.

Madje menjëherë pasi kryesuesja ia kaloi fjalën Ymerit që ai të lexonte deklaratën përfundimtare, pjesë për të cilën procesi ishte shtyrë në 14 dhjetor, avokati i tij Arben Llangozi u ngrit në këmbë pa leje dhe shpalosi dy kërkesa të reja. Me një foto të printuar në përmasa të mëdha, në të cilën sipas Llangozit ishin shokët e klasës të anëtares së trupës Genta Tafa Bungo. Llangozi këmbënguli se anëtarja e trupës ndodhej në të njëjtën situatë si ajo për të cilën i kërkohej llogari Ymerit, që kishte shqyrtuar çështje me avokat një shok shkolle. KPK thotë se Ymeri kishte bërë 7 udhëtime me avokatin dhe ka ngritur dyshime për favorizim. Ai po ashtu kërkoi përjashtim të gjithë trupës.

Kryesuesja Qirko e ndërpreu Llangozin, duke i vënë në dukje se filloi të fliste pa leje. Më pas ata të dy shkëmbyen replika mbi pranueshmërinë apo jo të këtyre provave. Qirko tha se procesi e kishte kaluar fazën e prezantimit të provave të reja, por Ymeri dhe Llangozi këmbëngulën se në raste të tjera Komisioni kishte pranuar prova edhe para shpalljes së vendimit.

Por pasi KPK refuzoi të pranonte këto qëndrime, Ymeri mori fjalën për të lexuar qëndrimin e tij përfundimtar. Ymeri tha në fjlaën e tij se ai e kishte përmbushur barrën e provës. Ai pretendoi duke iu referuar vendimit të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg se bilanci negativ prej minus 4.5 milion lekë, që sipas tij përfshinte të gjithë familjen, nuk ishte proporcionalisht i mjaftueshëm për të arritur në shkarkimin e tij.

Ymeri pretendoi po ashtu se kishte përmbysur barrën e provës sa i përket figurës dhe profesionalizmit, por këmbënguli të thoshte se procesi ndaj tij nuk ishte i drejtë. Ai tha se nuk do të paraqitej në seancën e shpalljes së vendimit pasi e dinte çfarë vendimi do të merrej. Më pas ai depozitoi një listë me vendime të Komisionit që sipas tij kishin balanca edhe më të mëdha negative se e tija, por ishin konfirmuar.

Pas fjalës së Ymerit, Qirko shpalli se seanca e njoftimit të vendimit do të mbahej të mërkurën në datë 21 dhjetor në orën 9.40.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *