Shpenzimet në Itali mbajnë pezull vetingun për kandidaten e Gjykatës Kushtetuese

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Këshilltares ligjore Fiona Papajorgji, e cila kandidon për Gjykatën Kushtetuese iu kërkua të justifikonte me dokumentacion shpenzimet gjatë studimeve në Itali, për të llogaritur më pas kursimet nga një bursë e BE. Ajo premtoi se dokumentet do të viheshin në dispozicion shumë shpejt.

Këshilltarja ligjore, Fiona Papajorgji përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Foto: E.Hoxhaj

Kandidatja për gjyqtare pranë Gjykatës Kushtetuese, e cila aktualisht ushtron detyrën e këshilltares ligjore pranë këtij institucioni, Fiona Papajorgji u përball të mërkurën gjatë seancës dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Treshja gjykuese që shqyrtoi rastin e Papajorgjit përbëhej nga Brunilda Bekteshi si kryesuese, Roland Ilia relator dhe Olsi Komici anëtar,  ndërsa vëzhgues ndërkombëtar ishte Theo Jacobs.

Relatori i çështjes, Roland Ilia theksoi se vlerësimi i këshilltares ligjore pranë Gjykatës Kushtuetuese, e emëruar në këtë institucion me datë 5 shtator 2011, ishte kryer në të tre kriteret, atë të deklarimit të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.

Relatori Ilia shtoi më tej se Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI ka dorëzuar një raport lidhur me deklarimin e pasurisë nga ana e Papajorgjit, duke e cilësuar atë të pasaktë dhe pa dokumentacionet e nevojshme, por me burime të ligjshme. Sipas raportit të ILDKPKI, subjekti nuk ka kryer deklarim analitik lidhur me shumën prej 31.950 euro që ka shërbyer për blerjen e një apartamenti në vitin 2004. Sipas ILDKPKI, Papajorgji kishte deklaruar se apartamenti ishte blerë me kursimet familjare, por nuk kishte deklaruar pasurinë e të atit prej 7 mijë eurosh dhe se nuk kishte deklaruar edhe një makinë tip “Ford” të blerë në vitin 2008 në shumën e 1500 eurove.

Gjithashtu, ILDKPKI ka pretenduar se një mjet Ëolksvagen i shitur në vitin 2013 nuk ishte deklaruar nga bashkëshorti.

Relatori i çështjes, Roland Ilia u shpreh se lidhur me blerjen e apartamentit në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë, në vlerën e 31.950 eurove i është kërkuar subjektit që të kryejë deklarime analitike dhe burimet e të ardhurave. Kjo pasi Papajorgji i ka shpjeguar Komisionit se burimi i të ardhurave për blerjen e apartamentit ishin kursimet familjare dhe kursimet e saj nga bursa për studime në Itali, që kishte fituar nga Bashkimi Evropian, në vlerën e 35 mijë eurove.

Sipas Komisionit, subjekti nuk arriti të depozitojë dokumuentacionin justifikues për shpenzimet e studimeve, prej nga mund të verifikohet mundësia e kursimeve nga bursa, të deklaruara nga Papajorgji se janë shpenzuar për blerjen e një apartamenti dhe një makine.

Lidhur me një autoveturë “Seat Ibiza” të blerë së bashku me të atin në gusht të vitit 2010 për rreth 10 mijë euro, ku subjekti ka deklaruar se babai ka shpenzuar 7 mijë euro euro, kurse pjesën tjetër vetë ajo, komisioni ka gjetur se deklarimi ishte i saktë dhe kishte burime të ligjshme për kryerjen e pagesave.

Edhe një automjet tip “Ford” i blerë në Itali në vitin 2008 në vlerën e 1500 eurove, komisioni ka konstatuar se është blerë me burime të ligjshme.

Ndërkohë, lidhur investimin e bonove të thesarit në vitin 2011 në një bankë të nivelit të dytë, investim i deklaruar se është kryer me kursimet nga bursa, pritet të verifikohen pas mbërritjes së gjithë dokumentacionit për shpenzimet në Itali dhe kryerjen e një deklarate analitike.

Komisioni ka konstatuar se shitja e një autoveture tip Ëolskvagen nga ana e bashkëshortit të Papajorgjit në dhjetor të vitit 2013 duhej të ishte deklaruar, pasi ata kishin lidhur kurorë që në muajin prill të po këtij viti.

Relatori Ilia u shpreh se Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar(DSIK) kishte konstatuar përshtatshmërinë e këshilltares juridike Fiona Papajorgji për vazhdimin e detyrës. Lidhur me raportin e kryer për 5 dosjet e zgjedhura në mënyrë rastësore është konstatuar se Papajorgji respekton të drejtat e njeriut dhe se ka aftësi të pranueshme. Edhe Shkolla e Magjistraturës ka vlerësuar se kandidatja për gjyqtare kishte arritur të paktën 60% të pikëve në dy testimet dhe se ishte e pranueshme për vazhdimin e trajnimit të Magjistraturës.

Papajorgji ka shpjeguar para komisionit se dokumentet me të cilat do të vërtetonte shpenzimet e kryera do të mbërrijnë nga Italia së shpejti, pasi dje është vendosur vula apostile. Sipas saj, kjo vonesë ka qenë për faktin se dokumentet ishin mjaft të hershme dhe nevojitej kohë për t’u rifreskuar.

Anëtarët e trupës gjykuese nuk kanë pasur pyetje për Papajorgjin, por vëzhguesi ndërkombëtar i pranishëm, Theo Jacobs e ka pyetur se si e konsideronte ajo rolin e Gjykatës Kushtetuese në raport me institucionet e tjera. Papajorgji u përgjigj se roli i Gjykatës Kushtetuese është që të sigurojë balancimin e pushteteve.

Në fund të seancës, kandidatja për gjyqtare pranë Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji kërkoi konfirmimin e saj në detyrë.

Shpallja e vendimit do të bëhet më datë 26 nëntor 2016, ora 09.15.