Gjyqtarja Iliriana Olldashi do të përballet të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Si ka ndryshuar pasuria e saj nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. Gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Iliriana Olldashi do të përballet të hënën më 2 Dhjetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e rivlererësimit për Znj. Olldashi përbëhet nga Etleda Çiftja, Pamela Qirko dhe Xhensila Pine.
Iliriana Olldashi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si gjyqtare në Gjykatën e Fierit. Në vitin 2005, ajo është emëruar gjyqtare në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, detyrë të cilën e kryen edhe aktualisht.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtares Iliriana Olldashi nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]
Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtarja Iliriana Olldashi nuk zotëronte asnjë pasuri në vitin 2003, kur deklaroi për herë të parë interesat e saj private në ILDKPKI, ndërsa në fund të vitit 2017, pasuria e saj familjare llogaritet në 11.9 milionë lekë, duke shënuar një rritje mesatare vjetore prej rreth 853 mijë lekësh.
Në fund të vitit 2017, pasuria ndahej në 9 milionë lekë pasuri të patundshme, 1.7 milionë lekë kursime të akumuluara në cash, rreth 852 mijë likujditete bankare dhe një automjet me vlerë 332 mijë lekë.
Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 19.7 milionë lekë. Rreth 87% e të ardhurave familjare kanë si burim pagën e znj. Olldashi nga funksioni i gjyqtarit, ndërsa 12% të tjera burojnë nga paga e bashkëshortit.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 14 deklarata që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, asnjëra prej tyre nuk rezulton me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” një hua të marrë nga prindërit në vlerën e 1 milion lekëve në vitin 2006, të cilat kanë shërbyer bashkë me një kredi prej 5 milionë lekësh si burim për blerjen e një apartamenti.
Në vitin 2016, Znj. Olldashi deklaron se detyrimi ndaj prindërve është shuar nëpërmjet faljes së tij nga prindërit.
Duke qenë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik.
Deklarata e pasurisë së vitit 2004
Deklarata e pasurisë së vitit 2005
Deklarata e pasurisë së vitit 2006
Deklarata e pasurisë së vitit 2007
Deklarata e pasurisë së vitit 2008
Deklarata e pasurisë së vitit 2009
Deklarata e pasurisë së vitit 2010
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al