Gjyqtari Sami Ujkashi i Gjykatës së Kukësit do të përballet të martën më 25 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Firdes Shuli, Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari.
Sami Ujkashi e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë si avokat, ndërsa në vitin 2010 u emërua gjyqtar në Gjykatën e Tropojës. Ai e kryen aktualisht funksionin në gjykatën e juridiksionit të përgjithshëm të Kukësit.
Prej dhjetorit 2022, Ujkashi po përballet me një procedim disiplinor të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, i cili kërkon pezullimin e tij nga detyra. Hetimi disiplinor ka nisur për shkelje të legjislacionit material dhe cënim të imazhit të magjistratit përmes një vendimi për ulje dënimi dhe lirim në kundërshtim me ligjin të një personi të dënuar me 15 vjet burg.
Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë familjare të gjyqtarit Sami Ujkashi nga viti 2011 deri në fund të vitit 2019. [Kliko për skedën në PDF]
Në deklarimin për herë të parë në vitin 2011, gjyqtari Sami Ujkashi deklaronte pasuri me vlerë 23.3 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2019, pasuria e tij familjare kap vlerën e 23.7 milionë lekëve.
Ai zotëron familjarisht pasuri të paluajtshme me vlerë 10.8 milionë lekë, automjet me vlerë 1.7 milionë lekë si dhe likujditete cash prej 39 mijë lekësh. Ai deklaron gjithashtu një huadhënie prej 11.1 milionë lekësh.
Të ardhurat familjare për periudhën e deklarimit janë 21.6 milionë lekë, nga të cilat 67% kanë si burim pagën e subjektit dhe gati 22% pagën e familjarëve. Rreth 11% e të ardhurave deklarohen se kanë si burim aktivitetin e biznesit.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 15 vite të deklarimit, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.
Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” një huadhënie në vlerën e rreth 11.1 milionë lekëve.
Subjekti Sami Ujkashi në deklarimin Para Fillmit të Detyrës 2011 deklaron rreth 168,000 euro asete me burim kryesor të ardhurat nga avokatia, emigracioni dhe kredi bankare. Nga shuma e mësipërme, 80,000 euro i janë dhënë hua babait për blerjen e një dyqani, e cila rezulton të mbetet detyrim i pashlyer deri në fund të vitit 2019.
Deklarata Para Fillimit të Detyrës
Deklarata e pasurisë së vitit 2011
Deklarata e pasurisë së vitit 2012
Deklarata e pasurisë së vitit 2013
Deklarata e pasurisë së vitit 2014
Deklarata e pasurisë së vitit 2015
Deklarata e pasurisë së vitit 2016
Deklarata e pasurisë së vitit 2017
Deklarata e pasurisë së vitit 2018
Deklarata e pasurisë së vitit 2019
Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al