Dhuratat e padokumentuara i krijojnë probleme në veting prokurorit Simon Pashuku

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vuri në dukje disa probleme të pasurisë gjatë seancës ndaj prokurorit e Lezhës Simon Pashuku. Pashuku kërkoi rihapjen e hetimit në dy kriteret e tjera.

Prokurori Simon Pashuku pas seancës në KPK. Foto:BIRN

Shtyjra disa ditore e seancës dëgjimore, prej kërkesës së tij për përjashtimin e trupës gjykuese, nuk solli ndonjë ndryshim për prokurorin e Lezhës Simon Pashuku. Gjatë përballjes së të enjtes atij iu bë me dije se kërkesa ishte rrëzuar, ndërsa iu vunë në dukje një sërë problemesh me pasurinë.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me anëtare Zuela Zhegu dhe relatore Xhensila Pine vuri në dukje se problemet e pasurisë së Pashukut ishin vënë në dukje edhe nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI.

ILDKPKI kishte gjetur ndër të tjera se Pashuku kishte bërë deklarim të rremë dhe po ashtu fshehje pasurie. Relatorja Pine vuri në dukje se gjetjet e ILDKPKI u konfirmuan edhe nga hetimi i Komisionit. Nga relatimi u la të kuptohej se problemet kryesore të Pashukut vinin prej 40 mijë eurove të pretenduar si dhurata nga të afërmit, mungesës së dokumentacionit për të provuar të ardhurat nga qiraja dhe deklarimi i pasaktë i pronës së lëshuar me qira.

Po ashtu atij iu vunë në dukje të dhënat kontradiktore në lidhje me biznesin e bashkëshortes dhe shpenzimet e këtij të fundit.

Pashuku në fjalën e tij kundërshtoi gjetjet e KPK-së. Ai tha se “dhurimi nga të afërmit nuk ishte kriminal” dhe pretendoi se disa transaksione në bankë shpjegonin pasurinë e tij. Ai pranoi disa nga pasaktësitë në deklarime, por tha se ato nuk mund të quheshin fshehje pasurie.

Pashuku është dekretuar prokuror në vitin 2012, ndërsa më parë ai kishte punuar si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai është hetuar nga KPK vetëm në kriterin e pasurisë.

Apartamenti 60 mijë euro dhe dhuratat

Relatorja vuri në dukje se një apartament i blerë për 60 mijë euro në vitin 2006 ishte fillimi i problemeve të pasurisë së prokurorit Pashuku. Pine tha se ishte deklaruar në fillim se apartamenti ishte blerë me një kredi dhe dhurim nga të afërmit në shumën 40 mijë euro.

Pine tha se nga hetimi kishte rezultuar se kredia ishte disbursuar 2 vjet pas nënshkrimit të kontratës për blerjen e apartamentit, ndërsa nuk kishte asnjë dokumentacion për të provuar marrjen e dhuratave nga të afërmit.

Ajo po ashtu tha se gjatë hetimit rezultoi se prokurori kishte marrë një hua nga një person për këtë shtëpi, por kjo nuk ishte deklaruar asnjëherë më parë.  Po ashtu ajo vuri në dukje se nuk ishte deklaruar as shlyerja e borxhit.

Pashuku pretendoi se deklarimi i tij për apartamentin ishte i saktë. Ai tha se burimi për këtë pasuri ishte i ligjshëm dhe pretendoi se ishte ndihmuar nga vëllai dhe motrat në Itali. Ai tha se ata i kishin dhënë 40 mijë euro për të blerë shtëpinë. “Nëse kjo është e paligjshme, nuk di çfarë të them”, tha Pashuku.

Ai pranoi mosdeklarimin e borxhit dhe të kthimit, por tha se e gjithë procedura provohej nga lëvizjet në bank dhe shpjegoi veprimet e tij me vonesën e lëvrimit të kredisë. Ai po ashtu tha se nuk kishte pasur dijeni se duhej të deklaronte borxhin, pasi ai ishte bërë subjekt deklarimi gati 6 vjet pasi ishte blerë shtëpia.

KPK tha se i kishte kaluar Pashukut barrën e provës mbi shpenzimet e bashkëshortes për një udhëtim në SHBA. Nga sa u tha në seancë bashkëshortja e Pashukut kishte lindur fëmijën në Amerikë. Po ashtu llogari iu kërkua edhe për një udhëtim të tij, po përtej Atlantikut.

Pashuku pretendoi se kishte sejllë deklarime noteriale dhe prova të tjera se shpenzimet për udhëtimin e bashkëshortes përfshi shpenzimet spitalore ishin mbuluar nga një shoqe e bashkëshortes. Ai tha se ajo kishte paguar të gjitha shpenzimet dhe se kishte konfirmim  nga spitali se ishin kryer pagesat. Gjatë mbrojtjes së tij u la të kuptohej se KPK dyshonte që spitali në të cilin ishin raportuar pagesat nuk kishte shërbim për lindje të fëmijëve. Pashuku pretendoi se kishte vënë në dispozicion faqen online të spitalit ku tregohej se aty kryeheshin edhe lindje.

Ngjashmërisht ai tha se një udhëtimi i tij ishte paguar një mik fëmijërie i cili kishte emigruar në SHBA në fund të viteve 90.

KPK tha se analiza financiare kishte nxjerrë Pashukun me probleme. Sipas relatores bilanci për dy vitet 2006 dhe 2008 ishte negativ për shumën 4.8 milion lekë.

Probeleme të qirasë dhe biznesit

Gjatë relatimit u vu në dukje se Pashukut i ishin gjetur një sërë problemesh edhe në disa prej pasurive të tjera. KPK tha se ai kishte deklaruar dhënien me qira të një mjedisi në Bërdicë të Shkodrës, por për disa vite nuk kishte kontratë qiraje dhe nuk provohej pagimi i tatimeve.

KPK tha se 20 mijë euro që pretendoheshin si të ardhura nga qiraja kishte dyshime nëse mund të cilësoheshin të ligjshme. Pine vuri në dukje ndër të tjera se mjedisi i dhënë me qira ishte deklaruar në mënyrë të pasaktë. Ajo tha se një pjesë e sipërfaqes nuk ishte deklaruar dhe se ndërsa pretendohej që ishtë në bashkëpronësi me të afërmit, dokumentet për legalizim i kishte firmosur vetëm Pashuku.

Prokurori pretendoi se pasaktësitë në deklarim në këtë rast ishin lapsuse. Ai vuri në dukje se kishte sjellë si prova dokumentacion që qiramarrësi kishte kryer aktivitet edhe pse kishte qenë i pa rregjistruar në tatime. Ai tha se nuk mbante përgjegjësi për mos rregjistrimin e aktivitetit të qiramarrësit në tatime.

Ai po ashtu pretendoi se detyrimet tatimore për një pjesë të qirasë ishin paguar në vitin 2016. Ai këmbënguli se pasuria edhe pse ishte kërkuar të legalizohej në emër të tij ishte në bashkëpronësi me të afërm dhe se do të ndahej sapo të merrej legalizmi i saj. Ai pretendoi se rregjistrimi ishte bërë prej tij pas i vëllai dhe motrat nuk ishin në Shqipëri.

Pine po ashtu vuri në dukje se kishte gjetur probleme në biznesin pulari të hapur në vitin 2018 nga bashkëshortja. Pine vuri në dukje se biznesi ishte financuar nga dy kredi, por tha se hetimi gjeti që kreditë ishin lëvruar pasi më herët ishin bërë pagesat për blerjen e disa paisjeve me vlerë. “Nuk u provua që ishin të disponueshme fondet nga kredia”, theksoi Pine.

Pagesat për paisje në vlerë disa mijëra euro ishin paguar sipas Pines para se të merrej kredia dhe një fond nga qeveria për ndihmesën e blektorisë.

Pashuku shpjegoi se kishte provuar me dokumente se si ishin kryer investimi dhe se kur ishin kryer pagesat. Ai tha se deklaratat doganore për paisjet e blera, të cilave u referohej KPK për kohën e blerjes, nuk tregonin kur ishte kryer pagesa ndërsa shpjegoi se kjo pasuri ishte financuar nga kreditë dhe ishte e ligjshme. Ai tha se kishte dokumentacion edhe nga agjencia shtetërore që i kishte dhënë një pjesë të financimit.

I pyetur se si i gjykonte si magjistrat ato të cilat u ishte referuar si pasaktësi në deklarime dhe jo fshehje, Pashuku tha se ato nuk ishin të mjaftueshme për të përjashtuar atë nga sistemi. Ai kërkoi hapjen e hetimit në dy kriterete e tjera.