Prokurori i Shkodrës Ermir Lelçi | Foto : Edmond Hoxhaj
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Vendi

Ermir Lelçi përballet me probleme për pasurinë e profesionalizmin

Prokurori i Shkodrës Ermir Lelçi u pyet dhe dha shpjegime më së shumti për një apartament në bashkëpronësi me të atin që kishte paguar edhe pjesën më të madhe të çmimit, për të cilin nuk është provuar burimi i ligjshëm. Gjithashtu, ai dha shpjegime për mangësitë profesionale dhe raste konflikti interesi gjatë hetimit, të konstatuara nga Komisioni.

Prokurori i Shkodrës Ermir Lelçi | Foto : Edmond Hoxhaj

Prokurori Ermir Lelçi nga Prokuroria e Shkodrës u përball të martën më 26 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u pyet dhe dha shpjegime gjatë për burimet e një apartamenti që zotëron së bashku me të atin, për problemet e konstatuara në kriterin profesional dhe gjendjen në konflikt interesi. Ndërkohë, Lelçi mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.

Procesi i vetingut për prokurorin Lelçi po kryhet nga trupa e gjykuese e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Ermir Lelçi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si oficer i policisë gjyqësore. Ai ka punuar për një periudhë të shkurtër në Berat dhe prej vitit 2004 kur është emëruar si prokuror e ushtron funksionin në Shkodër.

Mungesë burimesh

Problemet kryesore që u relatuan për kriterin e pasurisë kishin të bënin me një apartament me sipërfaqe 138 m2 të blerë në vitin 2007 në qytetin e Shkodrës, kundrejt çmimit 6.2 milionë lekë. Ai ka sqaruar në deklaratën veting se zotëron 33% të këtij apartamenti dhe babai 67%, sipas kontributit të secilit.  Si burime të kësaj pasurie subjekti ka deklaruar një kredi të marrë prej tij në shumën 2.1 milionë lekë dhe kursimet e babait nga vetëpunësimi në bujqësi e blegtori nga viti 1991 e në vijim.

Relatorja Çiftja pohoi se kredia e marrë prej subjektit është pranuar si burim për krijimin e kësaj pasurie, pasi ka rezultuar se kur është disbursuar është transferuar menjëherë në llogarinë e shoqërisë ndërtuese.

KPK konstaton se babai i subjektit ka investuar në blerjen e një apartamenti në qytetin e Shkodrës duke paguar pjesën më të madhe të çmimit, ndërkohë që vijon ende dhe sot të banojë në fshat. Gjithashtu, nga hetimi ka rezultuar se në vitin 2006 prokurori Lelçi ka lidhur kontratë kapari me shoqërinë ndërtuese dhe ka paguar në atë moment shumën 1 milion lekë.

Nga hetimi ka rezultuar se po në në vitin 2006, janë kryer në të njëjtën ditë dy pagesa të tjera, njëra në shumën 1 milion e 390 mijë lekë me mandat arkëtimi dhe tjetra në shumën 1.4 milion lekë me transfertë bankare nga babai i subjektit.

Duke përfshirë edhe pagesën e kësteve të tjera për apartamentin, Komisioni konstaton se vlera e përgjithshme e paguar, duke përfshirë edhe dy pagesat e kryer në një ditë në vitin 2006, kap shifrën 7 milionë e 590 mijë lekë.

“Subjekti i rivlerësimit ka paguar 1 milion e 390 mijë lekë më shumë për apartamentin dhe jo 6.2 milionë lekë sikundër deklaron”, pohoi Çiftja.

Nga verifikimi i detyrimeve për kredinë, ka rezultuar se është shlyer vlera e plotë në vitin 2009. Sipas KPK, subjekti ka shpjeguar se shuma e mbetur është shlyer nga babai i tij.

Lelçi ka deklaruar para Komisionit se i ati ka pasur të ardhura të mjaftueshme të krijuara nga aktiviteti blegtoral dhe ai bujqësor për të mbuluar pagesën e kësteve, si dhe për shlyerjen e kredisë në 2009-ën. Për të mbrojtur këto deklarime ai ka depozituar dokumentacion që sipas tij vërtetojnë se babai ka pasur depozita bankare në vlera të konsiderueshme edhe para blerjes së shtëpisë dhe se ka kryer veprime për pagesat nëpërmjet sistemit bankar. Çiftja pohoi se është vërtetuar se babai i subjektit ka në përdorim rreth 40 dynymë tokë bujqësore dhe se në vitin 1995 ka blerë një traktor në shumën 500 mijë lekë.

Megjithatë, nga analiza financiare e KPK nuk është arritur të provohen me dokumentacion ligjor të ardhurat e përfituara nga babai prej aktivitetit bujqësor e blegtoral e për rrjedhojë është konkluduar balancë negative fondesh në shumën 2.1 milionë lekë për shlyerjen e kredisë dhe 4.1 milionë lekë për pagesën e kësteve nga i ati.

Nga analiza financiare e përgjithshme, ku janë përfshirë edhe balancat negative të babait, kanë rezultuar mungesa financiare në vitet 2006,2007 dhe 2009 në shumën totale 6.1 milionë lekë.

Prokurori Lelçi e kundërshtoi analizën financiare të KPK. Ai tha se së bashku me një auditues privat kishin konkluduar se provonin që babai kishte pasur të ardhura të mjaftueshme. Sipas subjektit, është provuar se i ati ushtron aktivitetin blegtoral dhe bujqësor prej vitit 1993.

“Provohet se të ardhurat janë siguruar nga burime të ligjshme. Kur ka aktivitet blegtoral paguhet vetëm taksa në njësinë administrative përkatëse dhe jo tatime”, pohoi Lelçi.

Lidhur me konstatimin e pagesës së një shume 1 milion e 390 mijë lekë më shumë në vitin 2016, subjekti shpjegoi se në mandat arkëtim ishte e qartë se ai dokument është lëshuar me kërkesë të interesuarit, babait të tij, për të vërtetuar pagesën e këstit të dytë. Ai këmbënguli se vlera totale e paguar për apartamentin është në shumën 6.2 milionë lekë.

I pyetur nga anëtarët e trupit gjykues dhe vëzhguesi ndërkombëtar lidhur me marrdhënien e të atit me apartamentin që pëdoret prej tij nga momenti i blerjes, Lelçi pohoi se i ati kishte zgjedhur të jetonte në fshat pasi është mësuar atje dhe është me qetë, por se kur të moshohej do të transferohej të jetonte aty.

Sipas relatores, Komisioni ka hetuar edhe për ndonjë konflikt të mundshëm interesi lidhur me shoqërinë ndërtuese. Nga hetimi ka rezultuar se subjekti ka hetuar në vitin 2014 një kallëzim penal të regjistruar ndaj kësaj shoqërie për veprat penale “ndërtim i paligjshëm”, “punësim i paligjshëm” dhe “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”. “Subjekti i rivlerësimit është në kushtet e konfliktit të interesit gjatë hetimit të këtij procedimi penal”, pohoi Çiftja.

Lelçi mohoi të ishte gjendur në kushtet e konfliktit të interesit. Ai deklaroi se kishte njoftuar drejtuesin e prokurorisë se kishte blerë një apartament tek shoqëria ndërtuese e kallëzuar, por ai i kishte thënë të vazhdonte hetimin.

Ai theksoi se marrdhënia financiare që kishte pasur me të kallëzuarin kishte përfunduar në vitin 2007 dhe se nuk kishte pasur asnjë lidhje tjetër me atë person.

Në seancë u evidentua edhe mosdeklarimi i pjesëve takuese të subjektit dhe bashkëshortes së tij në tokën bujqësore të përfituar nga familjet e origjinës sipas ligjit “Për Tokën”. Lidhur me këtë konstatim, Lelçi u mbrojt në seancë me faktin se toka që ka në përdorim i ati për shkak të ligjit 7501, nuk është regjistruar ende si pronë e familjes. Për mosdeklarimin e pjesës takuese të tokës bujqësore të përfituar nga familja e origjinës së bashkëshortes, ai deklaroi se nuk kishin një informacion të tillë, pasi e shoqja kishte qenë shumë e vogël kur ishte përfituar.

Problemet për profesionalizmin

Megjithëse raporti i Këshillit të Lartë të Prokurorisë për profesionalizmin ka qenë pozitiv, Komisioni ka gjetur probleme në çështjet e denoncuara nga publiku, një pjesë e të cilave janë verifikuar dhe për shkak të shortimit rastësor.

Në një rast është konstatuar se prokurori Lelçi ka hetuar një kallëzim per ndjekje penale të Drejtorisë rajonale të Sigurimeve Shoqërore Shkodër, që është firmosur nga motra e tij, A.S.. “Duket se subjekti i rivlerësimit nuk ka kërkuar heqjen dorë nga procedimi penal në kundërshtim me Kodin e Procedurës penale”, theksoi Çiftja.

Sipas relatores, megjithëse subjekti ishte në dijeni të faktit që motra e tij ka hartuar dhe firmosur kallëzimet ka qenë i bindur se nuk përbën shkak për heqjen dorë nga procedimi, duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e mësipërme ligjore.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se ndaj prokurorit Lelçi janë depozituar 4 procedime penale në Prokurorinë Lezhë, ku denoncuesit kanë pretenduar se subjekti ka shpërdoruar detyrën pasi nuk ka kryer të gjitha veprimet hetimore për çështje ku ata kanë qenë në rolin e kallëzuesit.

Prokurori Lelçi i konsideroi denoncimet dashakeqe. “Ata kanë dashur të më heqin nga procedimet se e dinë që zbatoj ligjin. Kanë zgjedhur praktikën të më denoncojnë dhe të bëjnë kërkesa për heqje dorë”, theksoi Lelçi dhe sqaroi se prokuroria e Lezhës kishte vendosur mosfillimin e hetimeve.

Komisioni e ka hetuar edhe në aspektin profesional situatën e konfliktit të interesit të prokurorit Lelçi në hetimin e çështjes në ngarkim të shoqërisë ndërtuese ku ai ka blerë apartamentin.

Nga verifikimi i çështjes ka rezultuar se një tjetër prokuror ka pushuar një procedim penal ndaj shoqërisë në fjalë, ndërkohë që drejtuesi i Prokurorisë Shkodër e ka prishur vendimin dhe e ka bashkuar me një procedim tjetër duke vendosur që hetimi të vazhdojë nga Lelçi. Ky i fundit në përfundim të hetimeve ka vendosur të ngrejë akuzë vetëm për veprën penale “shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Sipas KPK, subjekti ka pushuar veprën penale “ndërtimi i paligjshëm” për shoqërinë, në kundërshtim me Kodin Penal dhe ligjin e vitit 2014 “Për dhënie amnistie”, i ndryshuar.

Mes 7 denoncimeve nga publiku, u veçuan disa çështje, ku në një prej tyre ankuesi pretendon se subjekti nuk ka hetuar akuzën që ai ka paraqitur ndaj disa punonjësve shtetërorë për veprat penale “pushtimi i tokës; “ndërtimi i paligjshëm” dhe ‘falsifikim dokumentesh”.

Lelçi ka kërkuar pushimin e çështjes, por gjykata nuk e ka pranuar këtë kërkesë duke urdhëruar vazhdimin e hetimeve, vendim që është lënë në fuqi edhe nga Apeli Shkodër. Po ashtu kanë rezultuar edhe raste të tjera të shqyrtuara, kur kërkesat për pushim të prokurorit Lelçi janë rrëzuar nga gjykatat.

Në seancë u evidentuan disa raste kur mungon vendimi për zgjatjen e hetimeve dhe në një rast nuk është njoftuar personi nën hetim për kërkesën e pushimit të hetimeve, si dhe për veprën penale.

I pyetur nga komisionerët lidhur me mangësitë profesionale të konstatura nga hetimi administrativ, Lelçi u mbrojt kryesisht me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale në vitin 2017. Për mungesën e vendimeve për zgjatje hetimi ai shpjegoi se i ishte drejtuar gjykatës pas vendimeve të saj për rrëzimin e kërkesave për pushim, por nuk ishin pranuar.

Konstatimit të vëzhguesit ndërkombëtar Theo Jacobs se rrëzimi i kërkesave nga gjykatat apo drejtuesi i prokurorisë më parë, mund të jenë paaftësi apo dembelizëm, subjekti u mbrojt me të njëjtin argument, duke përmendur ndryshimet ligjore të vitit 2017 që sipas tij nevojitej kohë për të konsoliduar procedurat. “Unë kam standartin tim, gjykata mund të vlerësojë edhe për veprime të tjera”, pohoi Lelçi dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se seanca për shpalljen e vendimit do të zhvillohet më 28 tetor, ora 09:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *