Ndihmësja ligjore e Gjykatës së Lartë, Laureta Nezaj pas seancës. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme

Këshilltarja ligjore Laureta Nezaj konfirmohet në detyrë

Këshilltarja ligjore pranë Gjykatës së Lartë, Laureta Nezaj u konfirmua në detyrë të mërkurën më 3 prill 2024, pas seancës dëgjimore që zgjati rreth gjysmë ore, kur ajo dha shpjegime të përmbledhura për pak gjetje në kriterin e pasurisë e të profesionalizmit. Nezaj mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.

Procesi i vetingut dhe vendimarrja për konfirmimin e këshilltares ligjore Laureta nezaj u krye dhe u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Relatorja Zhegu konstatoi se subjekti është gjendur në pamundësi financiare për krijimin e një gjendje cash në shumën 1.3 milionë lekë me burim nga pagat. Sipas relatores, subjekti ka rezultuar se ka qenë në të njëjtën certifikatë me prindërit dhe për rrjedhojë këta të fundit janë konsideruar si persona të lidhur. Nezaj shpjegoi se për shpenzimet familjare kanë kontribuar me të ardhura të gjithë anëtarët e familjes.

Komisioni ka verifikuar dhe burimin e krijimit të apartamentit ku jeton familja e origjinës së subjektit, banesë e përdorur prej saj. Sipas Zhegut, ky apartament është blerë nga prindërit në vitin 2000 për çmimin 37 mijë e 800 USD, kur subjekti ka qenë studente.

Megjithëse Nezaj nuk ka depozituar në Komision dokumentacion ligjor për të ardhurat e prindërve që kanë shërbyer për krijimin e kësaj pasurie, KPK vëren se apartamenti është blerë shumë kohë përpara se subjekti të fillonte detyrën si ndihmëse ligjore dhe për rrjedhojë nuk e ka bërë pjesë të analizës.

Nezaj dha shpjegime të përmbledhura për gjetjet e Komisionit. Ajo theksoi se nuk kishte pasur kontribut në blerjen e apartamentit pasi në atë kohë kishte qenë studente dhe solli në vëmendje faktin se kjo pasuri është blerë shumë kohë para detyrës.

Nga hetimi i kryer në aspektin profesional, është konstatuar se subjekti nuk ka dhënë mendime për zgjedhjen e çështjeve.

Nezaj pohoi se kishte dorëzuar formatin mbi të cilin punonin ndihmësit ligjorë, që sipas saj u lejohej të jepnin mendim vetëm për kalimin e çështjes për gjykim ose jo. Ajo pohoi se së fundmi u është kërkuar që të japin mendim për zgjidhjen e çështjes.

Pasi u tërhoq për rreth gjysmë ore, trupi gjykues vendosi në mënyrë unanime të konfirmojë në detyrë këshilltaren ligjore pranë Gjykatës së Lartë, Laureta Nezaj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *