Gjyqtari Artur Malaj gjatë seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, dt. 19.07.2019 | Foto : Besar Likmeta?BIRN
Artikull kryesor Lajme KPA Lajme Në Fokus

Kolegji i Apelimit hap hetimin gjyqësor ndaj gjyqtarit Artur Malaj

Gjatë një seance maratonë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjyqtari i Gjykatës Administrative të Apelit kundërshtoi ankimin e Komisionerit Publik ndaj vendimit të KPK-së për konfirmimin e tij në detyrë.  

Gjyqtari Artur Malaj gjatë seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, dt. 19.07.2019 | Foto : Besar Likmeta/BIRN

Kolegji i Posaçëm i Apelimit mbajti të premten seancën e dytë gjyqësore, si pjesë të ankimit të Komisionerit Publik ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Apelit, Artur Malaj – njëherazi kandidat për Inspektor i Lartë të Drejtësisë.

Trupa e Kolegjit përbëhej nga gjyqtarja Rezarta Schuetz si kryesuese, Sokol Çomo relator dhe Ina Rama, Ardian Hajdari dhe Luan Daci anëtarë.

Në hapje të seancës gjyqësore, kryesuesja e trupës gjykuese, Rezarta Schuetz njoftoi se sipas kërkesës së Kolegjit të bërë gjatë seancës së shkuar, Komisioneri Publik kishte dorëzuar analizën financiare së cilës i është referuar në ankim, një kopje e të cilës i është dorëzuar dhe subjektit të rivlerësimit.

Më tej fjala iu dha subjektit, i cili paraqiti kundërshtimet e tij ndaj ankimit të Komisionerit Publik, Malaj gjatë fjalës së tij kërkoi hapjen e hetimit gjyqësor, ndërkohë që paraqiti në KPK disa prova të reja.

Artur Malaj ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe prej korrikut 2013 është  gjyqtar i Gjykatës Administrative të Apelit. Ai ka drejtuar Gjykatën e Vlorës nga viti 2004 deri në vitin 2013; kur u promovua nga presidenti i Republikës si gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit. Malaj ka qenë gjithashtu edhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor.

Në fjalën e tij të premten përpara trupës gjykuese të KPA-së, gjyqtari nënvizoi se ankimi i Komisionerit Publik kundër konfirmimit të tij në detyrë ishte bërë vetëm për kriterin e pasurisë dhe përqendrohej në 4 pika kryesore; analizën financiare sipas të cilës ai kishte një bilanc negativ financiar për vitet 2007, 2008, 2009 dhe 2011, ligjshmërinë e burimeve për blerjen e një apartamenti në Tiranë, pasurinë e personave të tjerë të lidhur dhe dyshimet se subjekti ka fshehur pronësinë e një vile tre katëshe në Vlorë.

Për pikën e parë të ankimit, Malaj deklaroi në kundërshtimet e tij se me ndihmën e një kontabilisti kishte bërë një analizë financiare dhe në mënyrë të detajuar ngriti pikëpyetje mbi gjetjet e Komisionerit Publik, sipas të cilave ai kishte bilance negative në 4 vite të karrierës së tij.

Malaj nënvizoi se gjatë periudhës së deklarimit të pasurisë, ai dhe bashkëshortja kishin pasur të ardhura totale prej më shumë se 50.3 milionë lekë, dhe pasuria e tij përbëhet nga një apartament, një garazh dhe një makinë Volsvagen Golf.

“Si ka mundësi që dikush të mendojë se unë nuk kam pasur të ardhura për një shtëpi, një garazh dhe një makinë,” pyeti ai.

Gjyqtari gjithashtu kundërshtoi gjetjen e Komisionerit Publik se ai nuk kishte pasur mundësi financiare për të paguar këstin e parë prej 15 mijë euro të apartamentit në Tiranë në vitin 2005 – bazuar në kontratën e sipërmarrjes, duke pretenduar se kjo kontratë ishte anuluar pas 1 muaji dhe pagesa nuk ishte bërë kurrë.

Gjyqtari gjithashtu kundërshtoi kërkesën e Komisionerit Publike për cilësimin nga Kolegji i Posaçëm i Apelimi i motrës, kunatit dhe nipit si persona të tjerë të lidhur me subjektin, duke pretenduar se marrëdhënia e tij me tre të afërmit nuk ishte e llojit për të cilën ligji i rivlerësimit kalimtar parashikonte cilësimin si persona të tjerë të lidhur.

Subjekti i kërkoi Kolegjit, se nëqoftëse tre të afërmit do të cilësoheshin si persona të lidhur, Kolegji mos të hetonte të gjithë pasurinë e tyre, por vetëm burimin e aseteve që lidheshin direkt me gjyqtarin, në mënyrë specifike një makinë golf që nipi Flavio Gerveni ia kishte shitur bashkëshortes së tij dhe një apartament që e motra dhe kunati kishin vendosur si garanci në bankë, në mënyrë që gjyqtari Malaj të merrte një kredi për shtëpi në vitin 2005.

Gjyqtari Malaj gjithashtu kundërshtoi dyshimet e ngritura nga Komisioneri Publik se ai ishte pronari i fshehur i një vile tre katëshe në Vlorë, duke i cilësuar pretendimet e ngritura në ankim si indicje dhe jo prova. Ai deklaroi se denoncimet se ai ishte pronar i vilës vinin në saj të faktit se familja e tij – e ëma dhe i vëllai, kishte jetuar me qira në këtë shtëpi nga viti 1996 deri në vitin 2008, përpara se ndërtesa të rikonstruktohej.

“Fjala indicje nuk është fjalë shqip, por është huazuar nga italishtja,” tha Malaj. “Sipas fjalorit italian do të thotë një fakt i pasigurtë, që i shërben gjyqtarit për të arritur prova,” shtoi, duke theksuar se edhe në konkluzionet e Komisionerit Publik hamendësohej me probabilitet mbi pronësinë e shtëpisë.

Gjyqtari Malaj kundërshtoi gjithashtu Komisionerin Publik për pretendim se ai nuk kishte jetuar në shtëpinë e vëllait në Vlorë nga viti 2008 deri në vitin 2011, për shkak se kontrata e shitjes për këtë apartament ishte lidhur në vitin 2011. Ai i paraqiti Kolegjit disa prova sipas të cilave pallati ishte bërë i banueshëm që nga viti 2008 dhe kontrata e shitjes ishte lidhur në vitin 2011 kur ishte regjistruar apartamenti në hipotekë.

Pasi u tërhoq në dhomë këshillimi, Kolegji doli me vendim për hapjen e hetimit gjyqësor ndaj subjektit, bërjen e një analize të plotë financiare dhe ndërkohë pranoi provat e paraqitura nga subjekti. Seanca e radhës në KPA ndaj gjyqtarit Artur Malaj do të mbahet me datë 25 shator, ora 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *