Prokurori Julian Çafka pas seancës në KPA. Foto: Vladimir Karaj.
KPA Lajme

KPA çel shqyrtimin për profesionalizmin e prokurorit Julian Çafka

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të enjten çelje të hetimeve ndaj prokurorit të Gjirokastrës, Julian Çafka dhe njoftoi se do të administronte dosjet penale për të cilat ai është denoncuar.

Po ashtu, trupa e Kolegjit e kryesuar nga Ina Rama, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtare Rezarta Schuetz, Albana Shtylla dhe Sokol Çomo, njoftoi marrjen e 4 denoncimeve të reja dhe i ftoi palët të shprehen për to në seancën e radhës.

Para këtyre vendimeve të ndërmjetme, KPA dëgjoi parashtrimet e Komisionerit Publik Florian Ballhysa dhe të prokurorit Julian Çafka.

Prokurori Julian Çafka u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 14 shtator pasi disa çështje të denoncuara nga publiku, ku janë konstatuar mangësi në hetimet e kryera nga drejtuesi i komanduar i Prokurorisë së Gjirokastrës, si dhe dyshimet e ngritura nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK për veprime korruptive, nuk u konsideruan penalizuese.

Ndërkohë, KPK vendosi të transferojë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dy çështje të hetuara prej prokurorit Çafka në vitet 2018 dhe 2019 , për “inspektim të shkaqeve që mund të përbëjnë shkelje disiplinore”.

Në fjalën e tij, Ballhysa vuri në dukje se i qëndronte ankimit dhe kërkoi ndër të tjera që KPA të hetonte çështjet për të cilat Çafka ishte denoncuar dhe të rivlerësonte atë sa i përket kriterit të profesionalizmit. Sipas tij, edhe vetë gjetjet e KPK mbi çështjet për të cilat ishte denoncuar Çafka duhej të kishin sjellë rezultat të ndryshëm në vlerësimin e tij përfundimtar.

“Komisioneri Publik vlerëson se gjetjet e vetë Komisionit mbi çështjet e mësipërme, në varësi edhe të rezultateve të hetimit të kërkuar nëpërmjet këtij ankimi, do të ndikonin në vlerësimin përfundimtar të subjektit të rivlerësimit,” tha Ballhysa në parashtrime.

Ai i kërkoi KPA që të marrë në konsideratë çështjet për të cilat ishte bërë ankimi dhe të hapë hetimin. “Kërkojmë që shkaqet e parashtruara në këtë ankim të merren në konsideratë nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, duke disponuar çeljen e hetimit dhe marrjen e provave përkatëse, sipas kërkimeve të ankimit dhe kësaj parashtrese”, tha Ballhysa.

Nga ana e tij, Çafka i kërkoi KPA të mos e merrte parasysh ankimin dhe denoncimet. Ai pretendoi se ato ishin jashtë objektit të institucioneve të rivlerësimit dhe tejkalonin shkaqet e ankimit.

Çafka i kundërshtoi pretendimet e Komisionerit, duke iu referuar kryesisht legjislacionit mbi rivlerësimin dhe pretendoi se ankimi nuk qëndronte.

Në fjalën e tij, ai iu referua vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, rekomandimeve për vetingun nga Komisioni i Venecias dhe po ashtu edhe vendimeve të mëparshme të marra nga Kolegji në lidhje me denoncimet e kësaj natyre.

Pasi dëgjoi palët, KPA i vuri ata në dijeni për denoncimet e reja, duke u kërkuar që të shpreheshin për to në seancën e radhës me 26 janar 2024.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *