KPA la në fuqi shkarkimin e Arben Zefit për pasurinë

Analiza dhe Opinione
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rrëzuar shumicën e pretendimeve të ish-gjyqtarit Arben Zefi, duke vlerësuar se ai ka kryer deklarime të pasakta, nuk ka pasur burime të ligjshme për të justifikuar pasurinë dhe shpenzimet si dhe është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit.  

Kryetari i Gjykatës se Shkodrës, Arben Zefi, duke dalë pas një seance të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, | Foto nga: LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA la në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të ish-kryetarit të Gjykatës së Shkodrës Arben Zefi, edhe pse konkludon ndryshe lidhur me vlerësimin për pastërtinë e figurës.

Kolegji i konsideron të pabazuara thuajse të gjitha shkaqet e ngritura në ankim nga ish-gjyqtari Zefi për pasurinë, ndërkohë i jep të drejtë për kriterin e figurës dhe rrëzon konkluzionin e Komisionit se, në vlerësimin tërësor të çështjes, ish-gjyqtari Zefi kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Komisioni vendosi më 10 janar 2019, të shkarkojë nga detyra ish-kryetarin e Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi pasi u konkluduan mungesë burimesh për krijimin e pasurive; deklarime të pasakta e të pamjaftueshme.

Gjithashtu, bazuar në raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK lidhur me informacione për përfshirje të Zefit në çështje korruptive, edhe pse KPK nuk gjeti shkaqe shkarkuese për kriterin e pastërtisë së figurës, konstatoi se në vlerësimin tërësor, ai kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Trupi gjykues i KPA i përbërë nga Luan Daci kryesues, Albana Shtylla relatore dhe Ardian Hajdari, Ina Rama e Natasha Mulaj anëtarë, pasi e shqyrtuan ankimin e ish-gjyqtarit Zefi në dhomë këshillimi, e cilësoi të drejtë vendimin e KPK për shkarkimin e tij, pasi u çmua se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë.

Arben Zefi e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994. Ai ka punuar prej më shumë se 15 vitesh si gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Shkodër dhe prej vitit 2014 deri në shkarkimin e tij nga KPK, ai ak shërbyer si kryetar i kësaj gjykate.

Vlerësimi ndryshe për figurën

Përfundimet e nxjerra nga DSIK në raportin e dytë të saj, duke e konsideruar Zefin të papërshtatshëm për shkak të informacioneve për përfshirje në korrupsion në disa procese gjyqësore, u vlerësuan si jo shkarkuese nga Komisioni, pasi nuk u arrit të provoheshin. Por, duke ju referuar këtyre përfundimeve KPK konkludoi se, në vlerësimin tërësor të çështjes, Zefi kishte cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Zefi e ka kundërshtuar përfundimin e KPK, duke pretenduar se institucioni rivlerësues i shkallës së parë kishte kuptuar dhe zbatuar në mënyrë të gabuar ligjin material, duke ndikuar në një vendimmarrje të padrejtë.

Kolegji shprehet se, edhe pse Komisioni nuk ka identifikuar se cili është arsyetimi që ka çuar në konkluzionin e arritur për cënim të besimit tek drejtësia, kuptohet se kjo është lidhur me veprimtarinë e kundërligjshme, shfaqur në formën e korrupsionit pasiv të gjyqtarit në disa procese gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër.

Trupi gjykues vlerëson se Komisioni nuk ka arsyetuar se cilat kanë qenë veprimet ose mosveprimet e subjektit të rivlerësimit apo rrethanat konkrete, të cilat janë provuar gjatë hetimit administrativ dhe se cilat kanë qenë pasojat që kanë prodhuar – që sipas KPA do të krijonin bindjen se subjekti ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë.

“Edhe nga verifikimi i akteve të hetimit administrativ, trupi gjykues nuk konstaton ekzistencën e akteve që dëshmojnë për një hetim të mundshëm të Komisionit, në këtë drejtim. Në këto kushte, trupi gjykues arrin në përfundimin se Komisioni nuk ka arritur të arsyetojë se subjekti i rivlerësimit ka cënuar besimin e publikut në atë nivel, saqë e bën të pamundur vazhdimin e ushtrimit të detyrës prej tij”, vlerëson KPA.

“Trupi gjykues i Kolegjit, në ndryshim nga Komisioni, arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit nuk ndodhet në kushtet e nenit 61, pika 5 e ligjit nr. 84/2016. Për sa më sipër, trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se pretendimi i subjektit të rivlerësimit është i bazuar”, citohet në vendim.

Ndërkohë, Kolegji ka rrëzuar si të pabazuara pretendimet e subjektit se i ishte refuzuar njohja me dokumentacionin e klasifikuar dhe se Komisioni ka cënuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë, pasi ka ushqyer mediet me mllef e përfundime të pasakta e të padrejta ndaj tij. Në vendim sqarohet se Zefi nuk dorëzoi prova dhe nuk i vërtetoi dot këto pretendime.

Problemet me pasurinë

Ashtu si edhe Komisioni, Kolegji vlerëson se Zefi ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasuritë dhe se ka qenë në pamundësi financiare për krijimin e tyre. Sipas KPA, në një rast subjekti është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit.

Kolegji e quan të drejtë konkluzionin e KPK se Zefi ka kryer deklarim të pasaktë për shumën 50 mijë euro që i ka dhënë një kompanie për të përfituar një hapësirë në ndërtimet që ajo do të kryente, pasi nuk e ka pasqyruar pagimin e kësaj vlerë si paradhënie në vitin 2007. Gjithashtu, konkludohet mungesë e burimeve të ligjshme për krijimin e kësaj shume, pasi në vitin 2007 ka rezultuar me balancë negative në vlerën 172 mijë lekë në vitin 2007.

Kolegji rrëzon pretendimin e Zefit, se nuk është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit, me argumentin se u kishte bërë prezent palëve në gjykim faktin se ishte në marrëdhënie kontraktuale dhe se ato kanë qenë dakort me trupin gjykues.

“… Në rastin konkret, trupi gjykues vlerëson se dispozitat e ligjit nr. 9367, datë 07.04.2005, ‘Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike’… janë komplementare me ato të Kodit të Procedurës Civile për rastet e përjashtimit të gjyqtarit. Kjo dispozitë, në kundërshtim me sa pretendon subjekti i rivlerësimit, nuk përjashton veprimtarinë e gjyqtarëve nga fusha e zbatimit të ligjit nr. 9367/2005 për sa i përket detyrimit të tyre për të verifikuar dhe shmangur konfliktin e vazhdueshëm dhe rast pas rasti të interesit…”, arsyeton Kolegji.

“…Për sa kohë që konflikti i interesit është gjendja e konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave privatë të një zyrtari në të cilën ai ka interesa privatë, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që ndikojnë, mund të ndikojnë ose duket sikur ndikojnë në kryerjen në mënyrë të padrejtë të detyrave dhe përgjegjësive të tij publike”, vijon trupi gjykues.

KPA arrin në përfundimin se në rastin konkret, subjekti i rivlerësimit ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit në këtë vendimmarrje gjyqësore, pasi marrëdhënia kontraktore mes tij dhe palës ndërgjyqëse nuk kishte përfunduar ende.

Në vendim thuhet se Zefi në këtë rast nuk ka ndjekur procedurën e kërkuar nga ligji, që parashikon paraqitjen e kërkesës për heqje dorë te kryetari i gjykatës.

KPA e quan të drejtë konkluzionin e KPK se Zefi nuk ka patur burime të mjaftueshme për blerjen e një apartamenti banimi me sipërfaqe 132.8 m2. Edhe për mospasqyrimin në deklaratën veting të shumës 1.9 milion lekë të përfituar nga shitja e një apartamenti tjetër me sipërfaqe 56.1 m2, Kolegji ashtu si edhe Komisioni, vlerëson se Zefi gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë. Ndërkohë, Trupi gjykues ka rrëzuar një prej gjetjeve të Komisionit për këtë apartament të përfituar nga subjekti si i pastrehë.

Sipas arsyetimit të Komisionit, familjarët e Zefit të përfshirë në llogaritjen e EKB-së nuk kanë qenë anëtarë të familjes së tij dhe rrjedhimisht ata nuk mund të përfshiheshin në llogaritjen e shumës që do të përfitohej.

Ndërsa KPA çmon se shuma prej 800 mijë lekësh është përllogaritur nga dega e EKB-së Shkodër mbi bazën e certifikatës familjare të familjes së Zefit, sipas gjendjes familjare të vitit 1992 dhe e cilëson këtë veprim në përputhje me legjislacionin përkatës. Kolegji vlerëson se Komisioni në arsyetimin e tij është mbështetur vetëm në deklarimet e Zefit, pa ballafaquar parashikimet ligjore të kohës me dokumentacionin e gjendur në praktikën e shitjes së apartamentit 56,1 m2, të përcjellë nga EKB-ja.

“Komisioni, pavarësisht se ka konkluduar se subjekti ka përfituar shumën 800.000 lekë në kundërshtim me ligjin nr. 8030, datë 15.11.1995, ‘Për kontributin e shtetit për familjet e pastreha’, nuk ka arsyetuar dhe identifikuar se cilat kanë qenë veprimet konkrete të subjektit të rivlerësimit, të cilat kanë çuar në përfitimin e kësaj shume në shkelje të dispozitave ligjore, cili ka qenë ndikimi i subjektit të rivlerësimit tek organet shtetërore për t’i detyruar ato të disponojnë në shkelje të parashikimeve ligjore, cilat janë pasojat apo ndikimi i këtyre veprimeve në procesin e rivlerësimit të subjektit në lidhje me masën disiplinore të deklarimit të pamjaftueshëm”, vlerëson Kolegji.

KPA çmon ndryshe ndryshe nga Komisioni edhe lidhur me konstatimin se subjekti ka bërë deklarim të pasaktë në lidhje me pronësinë dhe blerjen e një autoveture tip BMW.

Sipas Kolegjit jontrata e huapërdorjes së këtij mjeti nuk mund të konsiderohet si kontratë shitblerjeje, pavarësisht se subjekti e ka poseduar mjetin që nga viti 2006 dhe ka pretenduar se ka paguar vlerën 3.000 euro për të garantuar blerjen e mëvonshme të tij.

“Në këto kushte, Komisioni mund të konkludonte vetëm në lidhje me mosdeklarimin nga ana e subjektit në deklaratën e pasurisë së rivlerësimit, të vitit të kryerjes së pagesës dhe vlerës së saj,” çmon Kolegji.

Në përfundim, trupi gjykues konkludon se Zefi nuk ka deklaruar burimin e krijimit të pasurisë automjet tip “BMW”, si dhe vlerën e paguar për këtë makinë.

Kolegji konkludon gjithashtu, se Zefi ka bërë deklarim të pasaktë për një autoveturë tip “Mercedes Benz” dhe ndërrimin e kësaj makine me një automjet tip “Volkswagen Passat”, e cila kishte vlerë dyfish më të madhe. Sipas KPA, subjekti nuk ka deklaruar vlerën e kontratës së shitblerjes së automjetit tip “Mercedes Benz” dhe burimin e krijimit të kësaj pasurie. Ashtu si edhe KPK, Kolegji ka gjetur mungesë të burimeve të ligjshme për blerjen e Benz-it.

Ndërkohë, KPA e cilëson në nivelin e konstatimit, konkluzionin e KPK se “shkëmbimi i mjeteve përbënë veprim financiar të pajisutifikuar e të pambështetur në parimet e ekonomisë së tregut”.

Sipas trupit gjykues, Komisioni nuk ka shpjeguar se cila është pasoja apo ndikimi që ky veprim ka pasur në procesin e rivlerësimit për kriterin e pasurisë dhe cila është përgjegjësia disiplinore e Zefit.

Sipas KPA Zefi ka kryer deklarime të pasakta dhe kontradiktore për dy automjete tip BMW. Ai nuk e ka deklaruar një makinë në vitin 2003, ndërsa ka dhënë shpjegime kontradiktore dhe në kundërshtim me situatën faktike lidhur me një autoveturë tjetër po tip BMW.

Njërën prej makinave Zefi e ka marrë fillimisht në përdorim dhe më pas e ka kaluar në pronësi të tij duke përdorur një akt të falsifikuar për të cilin është proceduar i vëllai. Mjeti ka rezultuar i vjedhur dhe është sekuestruar nga policia.

Sipas Kolegjit, nëse rivlerësimi i Zefit do të ishte kryer në të tria kriteret, atëherë kjo rrethanë do ti ishte nënshtruar vlerësimit.

Ashtu si Komisioni, edhe KPA konkludon se Zefi nuk ka patur burime të ligjshme financiare për shpenzimet e kryera në favor të vëllait të tij në vitet 2006, 2007 fdhe 2009, të cilit i kishte lënë në përdorim kartën e debitit në të cilën hidhej rroga e tij. Trupi gjykues nuk është bindur nga pretendimet e subjektit të rivlerësimit se paratë që vëllai kishte tërhequr në Itali, ishin rimbursuar më pas nga e motra, e cila banon në ShBA.

Trupi gjykues, në ndryshim nga Komisioni, ka gjetur të drejtë pretendimin e Zefit lidhur me konkluzionin për deklarim të pamjaftueshëm dhe të pasaktë në deklaratën veting për përdorimin e të ardhurave të tij. “Në ndryshim nga arsyetimi i përdorur prej Komisionit, trupi gjykues vlerëson se bazuar në kërkesat e neneve 30-32 dhe shtojcës 2 të ligjit nr. 84/2016, subjekti i rivlerësimit nuk ka pasur detyrimin që në deklaratën e pasurisë së rivlerësimit të deklaronte shpenzimet e kryera në vitet 2006, 2007 dhe 2009”, citohet në vendim.

Në vijim Kolegji e quan të drejtë konkluzionin e KPK se Zefi ka kryer deklarim të pasaktë lidhur me mospasqyrimin e marrëdhënies me një shumë  100 mijë USD, e kaluar në llogarinë e tij bankare në datën 13 gusht 2007 nga një person i tretë dhe e tërhequr brenda dy ditëve.

Gjithashtu, Kolegji e gjen të drejtë konkluzionin e Komisionit se Zefi duhej ta kishte deklaruar pjesën taukese të bashkëshortes në një godinë trekatëshe, të trashëguar. KPA e ka rrëzuar pretendimin e subjektit se kjo pasuri ishte ende në proces legalizimi dhe se bashkëshortja ende nuk e kishte fituar pjesën e saj takuese.

KPA ka korrektuar analizën financiare të vitit 2009 të kryer nga KPK, dhe konkludon se pavarësisht uljes së balancës negative, ish-gjyqtari Zefi rezulton sërish në pamundësi financiare për kryerjen e shpenzimeve dhe investimeve.