Elizabeta Imeraj duke dalë nga seanca e KPA-së | Foto : BIRN/Edmond Hoxhaj
Artikull kryesor ! KPA Lajme Veting

KPA rrëzon si të ‘panevojshme’ shumicën e kërkesave të Elizabeta Imerajt

Ndryshe nga tre seancat e para kur drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës Elizabeta Imeraj paraqiti për orë të tëra parashtrimet, provat, pretendimet dhe kërkimet e saj, seanca e katërt të martën më 12 prill zgjati rreth gjysmë ore. Trupa gjykuese e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA njoftoi vendimmarrjen lidhur me kërkesat e palëve për administrimin e provave, si dhe çeljen e mbylljen e hetimit gjyqësor, duke u kërkuar palëve përgatitjen e konkluzioneve përfundimtare.

Kryesuesja e trupit gjykues të Kolegjit, Ina Rama njoftoi të martën se është çelur hetimi dhe janë pranuar si prova disa prej akteve të reja të dorëzuara nga subjekti i rivlerësimit që janë vlerësuar në funksion të gjykimit të çështjes. Ndërkohë, Rama renditi provat dhe kërkimet e subjektit që nuk u pranuan dhe sqaroi se ato janë gjetur gjetur të panevojshme për zgjidhjen shkaqeve të ngritura në ankim nga Komisioneri, Florian Ballhysa.

Imeraj u paraqit në seancë e shoqëruar me përfaqësuesin e saj ligjor, avokatin e Dhomës së Avokatisë së Strasburgut, Gregory Thuan, i cili deklaroi më parë se nuk po merr pagesë për këtë proces dhe se punon me pro bono, pasi është një çështje ligjore me interes. Ai e cilësoi rastin e Imerajt si “shembull të papajtueshmërisë me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Konfirmimi i Imerajt në detyrë më 1 prill të vitit 2021 u pasua nga shqetësime të mëdha mes ndërkombëtarëve, të cilët argumentuan se rasti i saj vë në rrezik “integritetin, pavarësinë dhe tërësinë e procesit të vetingut”. Më parë, gjatë seancës dëgjimore në Komision, vëzhguesi ndërkombëtar, Theo Jacobs paraqiti një sërë gjetjesh, përfshi dyshimet se Imeraj kishte tentuar të ndikonte në procesin e rivlerësimit përmes shantazhimit të një vëzhguesi ndërkombëtar dhe ndikimit të paligjshëm te njëra prej komisionereve të trupës, por këto konstatime u injoruan nga trupa e KPK-së.

Pas rekomandimit të ONM-së, Komisioneri Publik Florian Ballhysa e ankimoi vendimin e Komisionit për shkaqe në të tre kriteret e rivlerësimit; për pasurinë; pastërtinë e figurës; profesionalizmin; si dhe për etikën, duke i kërkuar KPA-së shkarkimin e Imerajt.

Nga sa parashtroi Imeraj gjatë tre seancave maratonë në KPA, u kuptua se ajo ishte investuar me kërkime në dhjetëra institucione për të siguruar dokumente e përgjigje të cilat i dorëzoi si prova kundër ankimit të Komisonerit Publik.

Prokurorja Imeraj i kërkoi edhe Kolegjit që të investohej në marrjen e fashikujve të hetimeve të kryera bazuar në disa kallëzime të saj, duke pretenduar se jepnin përgjigje mbi rivlerësimin  tendencioz të kryer fillimisht në KPK për shkak se ish-relatorja e çështjes Genta Tafa Bungo kishte pasur konflikt me ish-bashkëshortin kur ai kishte qenë student, si dhe për shkak të paragjykimeve krahinore.

Për të provuar këto pretendime Imeraj paraqiti si prova në seancën e dytë më 31 maj dhe akte të një çështje penale lidhur me një kallëzim të kryer nga një punonjëse e KPK-së. Subjekti sqaroi se bëhej fjalë për një çështje tjetër, por ndërkohë kallëzuesja veç shqetësimeve të saj, ishte shprehur dhe për urrejtjen që kishte konstatuar se kishte komisionerja Genta Tafa Bungo ndaj Imerajt.

Komisioneri Ballhysa vërejti në seancat e mëparshme se edhe trupa e KPK-së që e konfirmoi në detyrë Imerajn, i kishte kaluar si barrë prove thuajse të gjitha gjetjet e konstatuara gjatë hetimit paraprak për pasurinë, por i kishte konsideruar ato jopenalizuese. Sipas tij, ndryshim kishte vetëm për një shtëpi me disa kate për të cilën i është kaluar barrë prove vetëm për burimet e një kati dhe jo për gjithë objektin ashtu si gjatë hetimit paraprak.

Subjekti i kërkoi KPA-së që të investohej dhe për të siguruar fashikujt e hetimeve të kryera lidhur me kallëzimet që vetë Imeraj kishte kryer, duke kërkuar nëse ishin përgjuar e shantazhuar vëzhguesit ndërkombëtarë dhe komisionerët.

Provat e pranuara

Kryesuessja Rama sqaroi se Kolegji vendosi marrjen në cilësinë e provës të akteve të reja të dorëzuara nga subjekti i rivlerësimit. Gjatë seancave të mëparshme Imeraj paraqiti si prova një numër të madh përgjigjesh të marra bazuar në kërkesat e saj drejtuar Kadastrës, Gjendjes Civile e Tatimeve, me të cilat pretendoi se vërtetonte se nuk kishte zotëruar asnjëherë asnjë pronë, si dhe nuk rezultonte të ishte bashkëpronare në asnjë pasuri. Po ashtu, ajo paraqiti si prova edhe përgjigjet e gjithë komisariateve, pikave kufitare, Interpol-it, Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të tjera verifikuese, të cilave u kishte kërkuar informacion nëse ish-bashkëshorti i saj dhe vëllai i tij, rezultonin ose jo të përfshirë në ndonjë vepër penale ose nëse ishin dënuar.

Kur i parashtroi këto prova, Imeraj deklaroi se përgjigjet ishin negative dhe pretendoi se provonte faktin se nuk kishte mundësi të kishte dijeni për vendimin e Gjykatës së Romës të Shkallës së Parë për dënimin e ish-bashkëshortit dhe ish-kunatit, për trafikim të qënieve njerëzore dhe shfrytëzim prostitucioni.

Ajo paraqiti si provë të re dhe një vendim të ILD-së që nuk ka gjetur konflikt intersi për tre anëtarët e KLP-së në votimin e saj si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës ndërkohë që ata kishin të punësuar familjarët në atë institucion, si dhe një akt të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për ku pretendonte diskriminimin për shkaqe krahinore. Imeraj dorëzoi si provë dhe një kartelë të një pasurie, me të cilën pretendoi se provonte se akti që gjendej në dosjen e Komisionit për këtë pronë ku ishte dhe emri i saj, ishte i falsifikuar.

Kryesuesja Rama deklaroi se si prova të subjektit do të administrohen edhe të gjitha pohimet e Imerajt në seancat publike të zhvilluara në Kolegj.

Rama i dha përgjigje edhe kërkesës së Imerajt për moskonsiderimin si provë të gjetjeve të ONM-së, për të cilat ajo deklaroi në seancat e mëparshme se janë të bazuara në copa letre dhe se janë të pavërteta.

“Gjetjet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit përbëjnë provë në vetvete dhe do ti nënshtrohen hetimit gjyqësor në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit”, deklaroi Rama.

Ajo shtoi se do të shqyrtohen edhe dokumentet e paraqitura në shtojcën e ONM-së, si dhe një gjetje e re e vëzhguesve ndërkombëtarë e datës 4 shkurt, së bashku me dokumentet shoqëruese – të cilat kanë të bëjnë me dënimin e ish-bashkëshortit të Imerajt në Itali dhe çështje penale të përfaqësuara prej saj në gjykatë.

Aktet dhe kërkimet që nuk u pranuan

Kryesuesja Rama listoi edhe aktet dhe kërkimet e prokurores Elizabeta Imeraj, të cilat nuk janë konsideruar prej Kolegjit për tu administruar si prova. Rama shpjegoi se në këto raste është vlerësuar se aktet nuk janë të nevojshme për zgjidhjen e shkaqeve të ankimit të paraqitur nga Komisioneri Florian Ballhysa.

Konkretisht, KPA vlerëson të panevojshme thirrjen e si dëshmitarë të familjarëve të subjektit dhe të ish-bashkëshortit për dhënë deklarimet e tyre lidhur me situatën e zgjidhjes së martesës dhe për mosdijeninë për dënimet në Itali të paraqitura nga ONM, që kanë të bëjnë me kriterin e figurës.

E panevojshme u konsiderua edhe thirrja si dëshmitar e personit me të cilin ish-bashkëshorti kishte shkëmbyer tokën bujqësore në Mullet me truallin në Tiranë. Po ashtu, u vendos të mos kërkohet informacion nga Bashkia e Tiranës lidhur me vlerën e truallit dhe të sipërfaqes tokë-arë.

Kolegji konsideroi të panevojshme për zgjidhjen e çështjes thirrjen në cilësinë e dëshmitarit të dy anëtarëve të trupës së KPK që konfirmoi Imerajn, komisionerët Roland Ilia dhe Olsi Komici, si dhe përfaqësuesin e ONM-së, Theo Jacobs. Imeraj pretendoi gjatë parashtrimeve se komisionerët ishin fyer dhe shantazhuar nga vëzhguesi ndërkombëtar.

KPA vlerësoi të panevojshme edhe thirrjen si dëshmitarë të denoncuesve të Imerajt për të cilët ajo pretendon se janë të rremë; një gazetar; si dhe të një eksperti që ka kryer analizën financiare me kërkesë të subjektit, që ajo e ka dorëzuar si provë.

Kolegji vendosi të mospranojë as kërkesat e Imerajt për të marrë dhe për t’u njohur me fashikujt e çështjeve hetimore lidhur me kallëzimet e kryera prej saj për përgjimet dhe shantazhet ndaj ndërkombëtarëve e komisionerëve, si dhe aktet e procedimit të punonjëses së KPK-së me të cilat subjekti pretendon se provohet hetimi administrativ tendencioz në KPK.

Për kërkesën e kryer nga Imeraj për administrimin e regjistrimit audio të seancës në KPK, lidhur me gjetjen për etikën ku Komisioneri pretendon se sjellja e subjektit nuk është e duhura, kryesuesja Rama solli në vëmendje se është i administruar procesverbali i shkruar i gjithë seancës dhe sipas saj nuk është e nevojshme.

Trupa vendosi të mos hetojë disa denoncime të depozituara në Kolegj, duke konsideruar se ato nuk përmbushin kriteret ligjore, si dhe nuk gjenden indicie.

Rama i kërkoi Imerajt që të depozitojë kopjet origjinale të disa akteve me të cilat ajo pretendon se vërteton pagesën e qirasë së banesës ku jeton.

Në fund të seancës, prokurorja Imeraj e pyeti Komisionerin Ballhysa nëse ai kishte ndonjë qëndrim lidhur me kartelën e një pasurie që gjendet në dosjen e KPK-së, që sipas saj është e falsifikuar.

Komisioneri Ballhysa vërejti se kartela në fjalë nuk ishte objekt i shkaqeve të ankimit. “Shkak në ankim është titulli i pronësisë dhe mënyra se si subjekti i rivlerësimit është sjellë juridikisht me këtë pronë”, sqaroi Ballhysa.

Avokati Gregory Thuan kërkoi kohë të mjaftueshme për të përgatitur dhe paraqitur konkluzionet përfundimtare me shkrim. Pasi u tërhoq, trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Ina Rama, me relatore rezarta Schuetz dhe anëtarë Mimoza Tasi, Albana Shtylla dhe Sokol Çomo, vendosi të mbylli hetimin gjyqësor dhe u kërkoi plëve të përgatisin dhe paraqesin konkluzionet përfundimtare më datë 20 prill, në orën 13:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *