Prokurorja Mariola Mërtiri pas seancës në KPK. Foto:BIRN
KPA Lajme Veting

KPA shkarkon prokuroren Mariola Mërtiri

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të hënën vendimin për shkarkimin e prokurores Mariola Mërtiri duke vënë në dukje probleme në të tre kriteret, që sipas trupës gjykuese çonin në përfundimin se ajo nuk ishte e përshtatshme për të vijuar detyrën.

Trupa e kryesuar nga Ina Rama, me anëtar Rezarta Schuetz, Sokol Çomo, Albana Shtylla dhe Mimoza Tasi arsyetoi ndër të tjera se Mërtiri kishte mungesë burimesh të ligjshme në kriterin e pasurisë dhe se ishte në shkelje të legjislacionit sa i përket përfitimit të një apartamenti me kredi të butë.

Trupa arsyetoi se shkelje ishte edhe shitja e këtij apartamenti dhe fakti që nuk ishin deklaruar aksionet e bashkëshortit në një kompani. Sipas Kolegjit Mërtiri kishte probleme edhe sa i përket kriterit të figurës.

KPA arsyetoi ndër të tjera se mos deklarimi në formular i marrëdhënies me një person të dënuar tek i cili ishte blerë apartamenti, përbënte shkelje. Sipas Kolegjit fakti që Mërtiri kishte dhënë dorëheqjen nga një çështje me këtë person, e bënte jo bindëse arsyet pse ajo nuk e kishte deklaruar këtë marrëdhënie.

Në të njëjtën kohë KPA gjeti problematike marrëdhënien mes Mërtirit e bashkëshortit të saj, me vëllain e këtij të fundit dhe kunatën. Dy personat në fjalë, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja, janë të dënuar si të përfshirë në aferën e inceneratorëve. Kolegji arsyetoi se fakti që marrëdhëniet financiare kishin vijuar edhe pas marrjes së këtyre personave si të pandehur ishte në mospërputhje me qëllimin e procesit të rivlerësimit për rikthimin e besimit të publikut te drejtësia.

KPA gjeti probleme edhe në çështjet e hetuara nga prokurorja dhe vlerësoi në tërësi se ajo “cënonte besimin e publikut te drejtësia”.

Mariola Mërtiri u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me shumicë votash më 21 dhjetor 2022. Relatori i çështjes, Roland Ilia dhe anëtarja Pamela Qirko arritën në konkluzionin se problemet e gjetura ishin sqaruar dhe se Mërtiri kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit. Në pakicë, kryesuesja e trupës Etleda Çiftja arsyetoi se, ndërsa veç e veç problemet e gjetura nuk ishin të mjaftueshme për të sjellë shkarkimin, të marra së bashku ato çonin në shkarkimin e Mërtirit, me argumentin se “subjekti i rivlerësimit dështoi të kalonte testin e mos cënimit të besimit të publikut”.

Vëzhguesit ndërkombëtarë kërkuan rihetim të subjektit dhe gjetjet e tyre ishin elementët kyçë në seancën publike që u zhvillua KPK. Në rekomandim, vëzhguesit evidentuan se shumica në KPK dështoi të kryente hetim të plotë dhe po ashtu edhe të arsyetojë apo argumentojë vendimin e saj për të konfirmuar Mërtirin. Bazuar në këtë rekomandim, Komisionerja Publike, Irena Nino ushtroi ankim në Kolegj duke kërkuar shkarkimin e Mërtirit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *