Prokurori Ylli Bashaj pas një seance në KPK. Foto: LSA.
KPA Lajme

KPA tërhiqet të marrë vendim për prokurorin Ylli Bashaj

Komisionerja Publike, Irena Nino deklaroi të premten më 26 janar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit se u qëndronte shkaqeve të ankimit të ngritura ndaj vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të prokurorit të Tiranës Ylli Bashaj dhe kërkoi shkarkimin e këtij të fundit me pretendimin se nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë. Bashaj i kundërshtoi qëndrimet e Ninos dhe kërkoi lënin në fuqi.

Bashaj u përball në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK me pyetje që kishin të bënin kryesisht mbi koherencën dhe vërtetësinë e një kontrate për blerjen e një shtëpie në vitin 2000. Ai këmbënguli në vërtetësinë e deklarimeve dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. Në përfundim, KPK vlerësoi se problemet e konstatuara në kriterin e pasurisë; pasaktësitë në deklarim dhe balanca negative e fondeve e përqendruar në një vit të vetëm, nuk ishin të mjaftueshme për të sjellë penalizim. Bazuar në parimin e proporcionalitetit, KPK konkludoi se Bashaj kishte arritur nivel të besueshëm për pasurinë, si dhe se kishte arritur nivel të besueshëm për figurën dhe kualifikues për profesionalizmin.

Komisionerja Nino i qëndroi vlerësimit të saj edhe gjatë bisedimeve përfundimtre, duke theksuar se çmimi i deklaruar nga subjekti për një apartamnt të blerë në vitin 2000 për shumën 28 mijë USD është i pasaktë dhe i pamjaftueshëm. Duke ju referuar rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ajo argumentoi se në kontratën e shitblerjes të vitit 2000 referohet se çmimi është shlyer totalisht jashtë zyrës noteriale për vlerën 28 mijë USD, ndërkohë që rezulton se në 2001-in është transferuar nga llogaria e subjektit në atë të shoqërisë vlera 8000 USD.

“Rezultoi se pretendimet e subjektit se çmimi real i paguar ka qenë në vlerën 28 mijë USD dhe jo 36 mijë USD, mbetën në nivel deklarativ dhe të paprovuara”, pohoi Nino.

Lidhur me burimet e krijimit të kësaj pasurie, Nino vlerëson se mbeti e provuar mospërputhja e deklarimeve mbi shumat e huave nga huadhënësit në deklaratën e vitit 2003 dhe atë “veting”, si dhe mosdeklarimi i subjektit të rivlerësimit në deklaratat periodike vjetore, i ecurisë së marrëdhënies së huave dhe shlyerjeve të tyre.

Sipas komisioneres, bilanci negativ i konstatuar për një pasuri të vetme në momentin e blerjes, si dhe pasaktësitë dhe deklarimet kontradiktore, janë të tilla që nuk lejojnë zbatimin e parimit të proporcionalitetit, ashtu si ka arsyetuar KPK.

Nino vlerëson se Bashaj nuk arriti të provonte të kundërtën e shkakut ankimor, as për shpenzimet e shkollimit të vajzës për periudhën ttor 2013 – prill 2014. Sipas saj, subjekti nuk paraqiti akte apo prova të reja për të provuar nëse në llogarinë e vajzës nuk kanë kaluar shuma të tjera, përtej bursës së shkollës, apo të provonte pamundësinë objektive për të siguruar një dokumentacion të tillë.

Komisionerja u shpreh se në vlerësimin tërësor subjekti gjendet në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.

Prokurori Bashaj i kundërshtoi si të pabazuara pretendimet e Komisioneres Nino. Sipas tij, kontrata përshkruan se pagesa është kryer jashtë zyrës noteriale. Subjekti theksoi se nëse do të kishte qenë pjesë e çmimit edhe vlera 8000 USD, atëherë do të ishte pasqyruar në kontratë.

Ai argumentoi se në provat e administruara shënohet se është paguar kësti i fundit 8 mijë USD, ka tregon se më parë janë pguar 20 mijë USD.

Bashaj vërejti se raste të ngjashme për subjekte të tjerë rivlerësimi nuk janë bërë shkak ankimi nga institucioni Komisionerëve Publikë.

Për huatë, Bashaj tha e i kishte marrë tek të afërm në kushtet e mirëbesimit dhe prandaj nuk i kishin formalizuar marrëdhëniet.

Ai kërkoi që në analizë të rishikohetn shpenzimet jetike deri në vitin 1994 pasi nuk kishte krijuar ende familjen dhe jetonte me prindërit.

Lidhur me shpenzimet e shkollimit të vajzës, BAshaj vërejti se dërgesat ishin bërë me bankë dhe se ishin të verifikueshme. Sipas tij, burim janë vetë transaksionet bankare që ka kryer në atë kohë në llogarinë e të bijës. Bashaj kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin e tij.

Pasi u njoh me konkluzionet përfundimtare në këtë çështje, KPA njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 2 shkurt, në orën 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *