Gjyqtarja Manjola Bejleri pas vendimit të shkarkimit nga KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
Analiza Korrupsioni KPK Vendi

KPK u nda në vlerësimin e gjyqtares Manjola Bejleri

Vendimi i arsyetuar i shkarkimit të gjyqtares Manjola Bejleri pasqyron qëndrimet e ndryshme të trupës së KPK-së për një vlerë të trashëguar nga babai dhe dy hua të marra nga vëllezërit.

Gjyqtarja Manjola Bejleri pas vendimit të shkarkimit nga KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 20 tetor të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Tiranës, Manjola Bejleri për deklarim të pamjaftueshëm të pasurive dhe mugesë burimesh financiare për justifikimin e tyre.

Shkarkimi u vendos me shumicë votash nga komisionerët Olsi Komici dhe Valbona Sanxhaktari, ndërsa kryesuesja e trupës, Xhensila Pine doli në pakicë, duke vlerësuar në analizën e saj se subjekti kishte provuar thuajse gjithë burimet financiare të pasurive dhe balanca negative prej 1 milion lekësh nuk ishte penalizuese.

Bjeleri u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe për aspektin profesional u konsiderua se kishte arritur nivelin minimal kualifikues.

Komisioni është ndarë në qëndrime për një shumë të deklaruar nga Bejleri si të dhuruar nga babai i ndjerë, për dy hua nga vëllezërit si dhe për një automjet në pronësi të njërit prej vëllezërve, që është përdorur edhe prej subjektit të rivlerësimit.

Deklarimet vjetore dhe ‘veting’ të gjyqtares Bejleri lidhur me trashëgiminë e shumës 3.2 milionë lekë nga babai dhe huatë e marrë nga vëllezërit janë gjetur të paprovura prej shumicës, ndërsa Pine i konsideron si prova deklarimet periodike dhe argumenton se këto shuma duhen konsideruar, përderisa është provuar burimi i ligjshëm i tyre.

Si një prej burimeve të krijimit të një depozite bankare në shumën 38 mijë e 899 euro, subjekti ka deklaruar dhe një shumë 3.2 milionë lekë si të trashëguar nga babai i ndjerë në vitin 2012.

Nga hetimi i Komisionit ka rezultuar se në maj 2012, subjekti ka depozituar me afat një vjeçar shumën 3.2 milionë lekë. Kjo shumë është tërhequr nga Bejleri në shtator të vitit 2014. Në deklaratën vjetore të 2014-ës të plotësuar në mars të 2015-ën, Bejleri ka sqaruar se shuma 3.2 milion lekë është tërhequr për blerjen e një banese, por ka shtuar se transaksioni nuk është realizuar.

Megjithëse Bejleri ka pretenduar se e ka përfituar shumën 3.2 milionë lekë me trashëgimi nga babai dhe si burim ka deklaruar të ardhurat e tij nga puna në vite, nga hetimi ka rezultuar se sipas Dëshmisë së Trashëgimisë Ligjore të vitit 2016, janë përcaktuar si trashëgimtarë edhe tre anëtarë të tjerë të familjes veç subjektit, të gjithë me pjesë takuese 1/4.

Për të mbrojtur pretendimin e saj, subjekti ka vendosur në dispozicion të Komisionit një deklaratë noteriale të vitit 2019 të dy prej trashëgimtarëve ligjorë, të cilët kanë deklaruar se babai ia ka lënë gjithë vlerën 3.2 milionë lekë vajzës së tij, Manjola Bejleri.

Ajo ka sqaruar se si burim për krijimin e shumës së dhuruar kanë qenë të ardhurat e babait ndër vite nga puna si inspektor në Inspektoratin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në periudhën 1998-2006; si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për periudhën maj 1980 – janar 1988; gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë për periudhën 1990 –1992; si dhe këshilltar në Kryeministri për periudhën 1994 – 1996. Nga hetimi i KPK-së ka rezultuar se për periudhën 1990-2012 janë provuar me dokumentacion ligjor të ardhura të babait në shumën totale 11 milionë lekë.

Megjithatë, shumica nuk është bindur se subjekti ka trashëguar nga i ati shumën 3.2 milionë lekë, duke argumentuar se nuk është provuar me ndonjë dokument të kohës së kjo shumë ka ekzistuar realisht. Gjithashtu, vlerësohet se nuk është provuar nëse e gjithë kjo shumë i është dhuruar vetëm subjektit të rivlerësimit.

“Dokumenti i vetëm i kohës është deklarimi periodik vjetor, i bërë nga subjekti i rivlerësimit, i cili nuk u vlerësua nga trupi gjykues si i mjaftueshëm,” vlerëson shumica dhe shprehet se subjekti i rivlerësimit nuk ka provuar se shuma e derdhur në bankë në vitin 2015 është e njëjtë me atë të tërhequr në vitin 2014 për blerje banese.

Kryesuesja Xhensila Pine në pakicë sjell në vëmendje se subjekti ka deklaruar në vitin 2013 çeljen e depozitës me vlerën 3.2 milionë lekë, duke pasqyruar si burim trashëgiminë e përfituar nga i ati. Ajo thekson se ligji për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve i ka njohur vlerën e provës deklaratës.

Gjithashtu, Pine konstaton se rezultoi e provuar jashtë çdo dyshimi mundësia e babait për kursimin e shumës 3.2 milionë lekëve dhe çmon se nuk mund të ngrihen dyshime.

Pine nuk pajtohet edhe me konkluzionin e shumicës së trupit gjykues për paqartësinë e destinacionit të shumës së tërhequr në vitin 2014.

“Arsyetimi lidhur me shumën e tërhequr nga llogaria bankare në shtator të vitit 2014, e cila nuk u deklarua si gjendje cash në banesë në DPV-në e vitit 2014, duhet të bëhej duke analizuar edhe në DPV-në e vitit 2015, në të cilën subjekti ka deklaruar në mënyrë të qartë se ridepozitimi i kësaj shume kishte si burim shumën e tërhequr prej saj nga banka në vitin 2014,” vlerëson Pine.

Situatë e ngjashme paraqitet edhe për dy hua, për të cilat subjekti ka deklaruar si i kanë dhënë  vëllezërit, një në shumën 12 mijë USD për blerjen e një apartamenti në Tiranë në vitin 2003 dhe tjetrën në 2007-ën në shumën 1 milion lekë për shlyerjen e një kredie të marrë për të njëjtën banesë.

Bejleri ka deklaruar se huanë 12 mijë USD e ka marrë nga vëllai A.B. që jeton në Sydney të Australisë, pa afat. Megjithëse subjekti ka shpjeguar se vëllai ka jetuar dhe punuar prej vitit 1994 e në vijim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, Greqi e prej vitit 1999 në Australi, si dhe ka paraqitur dokumentacion për të ardhurat e tij, KPK vlerëson se nuk është provuar mundësia financiare për kursimin e shumës 12 mijë USD.

Sipas shumicës, nuk rezultuan të dhëna mbi të ardhurat e këtij shtetasi për periudhën 2000 – 2002 në Australi, si dhe nga dokumentacioni për gjithë punësimet në vendet e tjera nuk u provua mundësia financiare për të dhënë hua në shumën prej 12 mijë USD.

Po ashtu, trupi gjykues vlerëson se subjekti nuk ka provuar me asnjë dokumentacion se vëllai ka qenë në Shqipëri në vitin 2002, kur pretendohet dhënia e huasë dhe nuk e ka konsideruar shumën 12 mijë USD në analizën financiare.

Shumica konstaton pamundësi edhe për shlyerjen e kredisë të marrë për blerjen e apartamentit në vitin 2003.  Si burim për shlyerjen e kredisë deri në vitin 2007, Bejleri ka deklaruar të ardhurat e saj nga paga si gjyqtare, hua nga vëllai F.B. në shumën 1 milion lekë pa afat dhe të shlyer me këste deri në 2014-ën, si dhe një shumë 250 mijë lekë nga shitja e një automjeti.

Sipas shumicës, subjekti nuk provoi se vëllai ka pasur mundësi për dhënien e huasë në vitin 2007, ndërkohë që automjeti ka rezultuar se është shitur pas shlyerjes së kredisë.

Pine në pakicë vlerëson se deklarimi i subjektit për marrjen e huasë 12 mijë euro në deklaratën ‘veting’ përputhet me atë të kryer në vitin 2003, si dhe është pasqyruar fakti se ka shërbyer si burim krijimi për këtë apartament. Ajo konkludon se subjekti në të dyja rastet ka provuar me dokumentacion ligjor mundësitë financiare të vëllezërve për dhënien e huave.

Sipas Pines, balanca negative në shumën 494 mijë lekë që mbetet pas konsiderimit të këtyre vlerave është e pamjaftueshme për shkarkim.

Nga hetimi i lëvizjeve të një llogarie bankare të subjektit ka rezultuar se ajo ka depozituar në qershor të vitit 2008 shumën totale 1.6 milionë lekë dhe e ka tërhequr në muajin korrik të atij viti.

Bejleri ka pretenduar se shuma 1.6 milionë lekë i është dhënë hua nga babai vetëm me qëllimin për të plotësuar një dokument të ardhurash për t’u pajisur me vizë australiane ajo dhe i biri, për të vizituar vëllain. Gjithashtu, ajo ka deklaruar se kjo vlerë nuk është shpenzuar dhe nuk duhet konsideruar në analizën financiare.

Shumica thekson se nuk u gjet asnjë provë apo fakt që mund të provonte ekzistencën e vlerës së derdhur në bankë nga babai i subjektit dhe as dhënien e kësaj shume prej tij dhe e ka konsideruar si shpenzim në analizën financiare të vitit 2008. Shumica konstaton se ky burime është deklaruar nga subjekti i rivlerësimit për herë të parë pas dërgimit të rezultateve të hetimit.

Pine shprehet kundër dhe argumenton se subjekti ka arritur të provojë dhe të shpjegojë qëllimin e këtij depozitimi referuar veprimit bankar që ka shërbyer për garanci dhe kthimin në kohë të shkurtër. Sipas saj, edhe provueshmëria e burimit të të ardhurave të babait duhet të passillnin heqjen e kësaj vlere si shpenzim në analizën financiare të vitit 2008.

Pine arrin në përfundimin se nëse do të konsiderohen të gjitha vlerësimet e saj për gjithë periudhën e deklarimit, gjyqtarja Bejleri do të gjendej në një balancë negative totale 1 milion lekë, duke konsoderuar se kjo mungesë financiare nuk e vendos këtë subjekt rivlerësimi në asnjë prej rasteve të shkarkimit nga detyra.

Ndërsa shumica e kryen analizën për periudhën 2003-2016 pa përfshirë shumat e mësipërme dhe arrin në përfundimin se Bejleri zotëron pasuri më të mëdha nga sa mund të justifikojë ligjërisht.

Po ashtu, shumica konkludon se Bejleri ka fshehur një mjet në emrin e të vëllait, megjithëse ajo e ka deklaruar përdorimin e tij. Në vendim thuhet se nga sistemi TIMS rezulton që subjekti të ketë udhëtuar disa herë jashtë Shqipërisë me këtë automjet, ndërkohë që i vëllai si pronar i mjetit nuk ka udhëtuar asnjëherë, por ka përdorur automjet tjetër.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *