Kryetarja e Kolegjit te Posacem te Apelimit, KPA, Natasha Mulaj dhe anetaret, Ardian Hajdari, Sokol Como, Rezarta Schuetz, Luan Daci, gjate nje seance te Kolegjit te Posacem te Apelimit (KPA), i cili degjoi ankimin e Komisionerit Publik kunder vendimit te KPK, per konfirmimin ne detyre te gjyqtares, Nertina Kosova./r/n/r/nThe President of the Appeal Chamber Natasha Mulaj and members, Ardian Hajdari, Sokol Como, Rezarta Schuetz, Luan Daci, during a session of the Appeal Chamber which has reviewed the complaint of the Public Commissioner against the judge Nertina Kosova.
Analiza Artikull kryesor Analiza KPA Në Fokus

Kryetarja e KPA-së ‘mendim pakice’ për Nertina Kosovën

Gjyqtarja e Apelit për Krime të Rënda, Nertina Kosova u konfirmua në detyrë me shumicë votash, ndërsa kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Natasha Mulaj arsyetoi se ajo duhet të ishte shkarkuar.

Kryetarja e Kolegjit te Posacem te Apelimit, KPA, Natasha Mulaj dhe anetarët, Ardian Hajdari, Sokol Çomo, Rezarta Schuetz, Luan Daci, gjatë një seance të Kolegjit të Posaëëm të Apelimit (KPA), | Foto : LSA

Gjyqtarja e Apelit të Krimeve të Rënda Nertina Kosova ishte e subjekti i parë i e cila u konfirmua në dy shkallët e procesit të vetingut dhe mbetet e vetmja që ka kaluar dy herë procesin e verifikimit të pasurisë.

Megjithatë vendimi i zbardhur i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i cili vendosi rikonfirmimin e Kosovës nuk është unanim. Katër anëtarë të trupës gjykuese, Sokol Çomo, Ardian Hajdari, Luan Daci dhe Rezarta Schuetz gjykuan se pasuritë e Kosovës dhe familjes së saj ishin nga burime të ligjshme, ndërsa i cilësuan disa pasaktësi në deklarime si jo të rëndësishme. Schuetz megjithatë në një qëndrim paralel, këmbënguli që Kolegji duhej të kishte arsyetuar ndryshe mbi mosdeklarimin e një llogarie bankare dy emërore dhe se vendimi i zbardhur duhej të ishte më i detajuar.

Ndërkohë në pakicë Natasha Mulaj, e cila ishte edhe relatore e çështjes arsyeton se hetimi provoi se gjyqtarja Kosova kishte bërë deklarim të pamjaftueshëm e madje kishte fshehur pasurinë. Mulaj, e cila gjatë procesit gjyqësorë pati një debat me gjyqtaren në lidhje me një seri pyetjesh që u cilësuan nga Kosova si “gati paragjykuese”, argumenton në të kundërt të shumicës dhe përtej kërkesave të Komisionerit Publik, i cili në këtë rast u shpreh se ishte bindur nga provat e gjyqtares.

Kosova kaloi me sukses shkallën e parë të vetingut më 18 korrik 2018, pasi KPK e vlerësoi pozitivisht në të tre kriteret, por u përball më pas me një ankim të Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili pretendoi se hetimi i KPK në kriterin e pasurisë nuk ishte i plotë. KPA vendosi në 26 korrik 2019 të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ndërsa në vendimin e zbardhur del se edhe Komisioneri Publik është pajtuar me këtë vendim.

Kosova është anëtare e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda prej korrikut 2014. Më parë, ajo ka punuar si gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda si dhe një kohë të shkurtër në Gjykatën e Elbasanit. Ajo po ashtu ka qenë pedagoge në Universitetin e Elbasanit.

Qëndrimi i shumicës

Apeli ndaj konfirmimit të Kosovës u bazua kryesisht mbi katër çështje të pasurisë së gjyqtares. Kryesore në kërkesën e Komisionerit Publik ishte justifikimi i dy shumave të përdorura për parapagimin e një apartamenti të blerë nga gjyqtarja me kredi.

Shumat njëra prej 1.5 milion lekësh dhe tjetra 1 milion lekë, vinin sipas gjyqtares prej kursimeve të prindërve ku ajo kishte kontribuar, por ato nuk ishin deklaruar në vite pasi ligji nuk parashikon deklarimin për prindërit.

Kosova kishte shpjeguar në KPK se shuma e parë prej 1.5 milion lekësh ishte marrë nga babai dhe i ishte dhënë ndërtuesit, por pasi kjo marrëveshje kishte dështuar paratë ishin kthyer pas. Prej kësaj shume ishte marrë më pas 1 milion lekë që janë paguar në një kontratë të dytë sipërmarrjeje.

Shumica pasi shqyrtoi një sërë dokumentash arriti në përfundimin që “subjekti i rivlerësimit vërtetoi burimin e ligjshëm të të ardhurave në shumën 1 milion lekë, pjesë e kursimeve nga të ardhurat e ligjshme të familjes Kosova dhe që kanë shërbyer për pagesën e këstit të parë sipas kontratës së sipërmarrjes”.

Në vendimin e zbardhur vihet në dukje se analiza financiare e pasurisë së familjes, përfshirë kontributin e vetë gjyqtares ishte e mjaftueshme për të krijuar këtë kursim. Po ashtu shumica la të kuptohet se mosdeklarimi i kësaj shume nuk penalizonte Kosovën, pasi paratë ishin mbajtur nga familja. Qëndrimet e Kosovës se këto para nuk ishin as dhuratë e prindërve, por kthim pas i kontributeve që ajo kishte dhënë u pranuan nga KPA.

“Subjekti i rivlerësimit, znj. Nertina Kosova, ka pasur për detyrë të deklaronte likuiditetet në çfarëdo forme, por nuk mund të deklaronte ato likuiditete që ishin në administrim të prindërve dhe të familjes së saj, pavarësisht nga fakti se familja mund të kishte krijuar kursime edhe për shkak të kontributit të saj me të ardhurat nga paga”, thuhet në arsyetimin e shumicës.

KPA iu referua për këtë lëvizjeve në llogaritë bankare të prindërve të Kosovës, përfshi një tërheqje pikërisht në datën kur ajo kishte paguar sipas kontratës shumën prej 1 milion lekë të sipërmarrësi.

Megjithatë në këtë pikë KPA arriti në përfundimin se Kosova “ka pasur pasaktësi në deklarimet e saj”, por që në nuk ndikonon në procesin e saj të rivlerësimit, pasi në thelb u provua që të ardhurat ishin nga burime të ligjshme.  Shumica argumentoi bazuar kryesisht në qëndrimet e Komisionerit Publik se lëvizjet në llogari bankare edhe pse nuk ishin deklaruar  nuk tregonin për pasuri të paligjshme.

Ngjashëm trupi gjykues vendosi se dy transferta bankare që vëllai i Kosovës kishte kryer nuk kishin të bënin me pasurinë e familjes, por kishin lidhje me punën e tij. “Nëpërmjet dokumentacionit të paraqitur arriti të provojë se transferta e kryer nga i vëllai i subjektit të rivlerësimit në një llogari bankare jashtë vendit, në asnjë rrethanë faktike e ligjore nuk lidhej me subjektin e rivlerësimit, znj. Nertina Kosova, apo të ardhurat e saj”, thuhet në vendim. Kosova paraqiti sipas KPA një sërë dokumentesh që provonin punën e të vëllait në një kompani dhe një sërë transfertash të kësaj kompanie.

Shumica po ashtu arriti në përfundimin se një hua e marrë nga babai te një person i tretë nuk kishte lidhje as të “drejtpërdrejtë apo e tërthortë” me gjyqtaren. Arsyet e tjera të ankimin nuk u gjetën të bazuara.

Ndërkohë, ndërsa ishte dakord me përfundimet e shumicës gjytarja Rezarta Schuetz doli me mendim paralel në të cilin i tërhoqi vëmendje trupës për mënyrën se si ishte arsyetuar vendimi. Schuetz tha se arsyetimi për mos deklarimin e likuiditeteve të administruara nga prindërit krijonte një hapësirë që “i çlironte subjektet nga detyrimi për të deklaruar sipas ligjit”.

Ajo tha se KPA duhej të ishte më e qartë në këtë pikë pasi në këtë mënyrë interpretimi “padrejtësisht ndërhyn dhe prish rregullat e bazuara në ligjet mbi të cilat ka funksionuar e funksionon deklarimi i pasurive dhe i interesave private”.

Ajo po ashtu kishte kritika mbi faktin se arsyetimi i shumicës u bazua kryesisht në qëndrime e Komisionerit Publik, ndërsa “duhet të ishin pasqyruar gjerësisht dhe saktësisht”, analiza financiare dhe hetimet që kishte kryer vetë Kolegji.

Qëndrimi i pakicës

Në pakicë relatorja e çështjes Natasha Mulaj doli në një përfundim krejt tjetër. Ajo shprehet se “trupi gjykues duhet të kishte vendosur ndryshimin e vendimit, të Komisionit dhe shkarkim nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Nertina Kosova”.

Gjyqtarja shprehet se ‘analiza financiare’ e nxjerr Kosovën me pamjaftueshmëri të burimeve të ligjshme. Ajo thotë se nuk ka prova të mjaftueshme për të provuar se shuma prej 1.5 milion lekësh ishte kthyer pas nga ndërtuesi apo edhe që kontrata ishte prishur, po ashtu ajo pretendon se Kosova nuk kishte pasur burime të mjaftueshme për të paguar 1 milion lekë në kontratën e dytë dhe se ajo nuk kishte njoftuar bankën për këtë ndryshim kontrate.

Mulaj thotë se nuk ka asnjë provë, “siç e parashikon ligji që provon prishjen e kontratës së parë mes “M.K.” Sh.p.k dhe subjektit të rivlerësimit dhe kthimin e vlerës prej 1.5 milionë lekësh”.

Një marrëveshje me kompaninë e nënshkruar para lëvrimit të kredisë në fjalë dhe pretendimet e Kosovës së banka nuk kishte pësuar dëm nga ndryshimi i objektit që blihej, pasi ndërkohë si garanci ishte vendosur shtëpia e prindërve, nuk e kanë bindur Mulajn.

Përndryshe nga shumica, Mulaj e ka detajuar qëndrimin e saj mbi analizën financiare duke arsyetuar se ka “kundërshtuar vendimin e shumicës që vlerëson të përllogarisë shpenzimet për konsum familjar, ku sipas metodologjisë së përdorur nga shumica, shpenzimet për konsum përbëjnë vetëm 19% të të ardhurave”.

Ndryshe nga analiza e pranuar prej shumicës, analiza financiare që referon Mulaj e nxjerr gjyqtaren me mungesë burimesh me 1.1 milion lekë për pagesën në kontratën e parë dhe 1.5 milion në kontratën e dytë.

Mulaj po ashtu ka kundërshtuar qëndrimin e shumicës sa i përket pagesave që vëllai i Kosovës kishte kryer për llogari të një kompanie të huaj. Mulaj thotë se  “në dallim nga shumica e trupit gjykues, vlerësoj se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë përmes provave të paraqitura në Kolegj faktin që kjo transfertë ishte kryer në emër dhe për llogari të shoqërisë “A.P.” ShPK”.

Sipas Mulajt, paraqitja e një kontrate pune me këtë kompani nuk ishte e mjaftueshme, pasi nuk rezultonte që kompania të kishte paguar sigurime shoqërore e shëndetësore për vëllain e Kosovës. Nga ana tjetër Mulaj i konsideron indicie që nuk provonin faktin dokumentet e paraqitura nga Kosova, që dëshmonin një sërë transferatash të ngjashme të kryera nga kompania në fjalë dhe të firmosur nga vëllai i saj si punonjës dhe as të dhënat bankare që paraqiti gjyqtarja mbi llogarinë bankare të përdorur për këtë rast.

Mulaj thotë se transferta prej 22 mijë dollarësh duhej konsideruar si shpenzim i familjes dhe kjo e çonte pamjaftueshmërinë financiare të Kosovës në 3.7 milion lekë për periudhën deri në vitin 2006.

Gjyqtarja në pakicë po ashtu kundërshtoi shumicën në lidhje me huan e marrë nga babai i gjyqtares, duke pretenduar se huadhënësi duhej të konsiderohej person tjetër i lidhur dhe se ai nuk kishte pasur burime të ligjshme për këtë hua.

Mulaj kundërshtoi shumicën edhe sa i përket mosdeklarimeve në vite të ndryshimeve në llogarinë bankare të pagës dhe ato në një llogari të përbashkët me babain.  Mulaj shprehet se në këtë rast “subjekti i rivlerësimit ka kryer fshehje të pasurisë”.

Qëndrimi i Mulajt në këtë rast doli në pah edhe gjatë seancave gjyqësore. Në cilësinë  e relatores Mulaj bëri një sërë pyetjesh shtesë për Kosovën, një pjesë e të cilave ishin parashtruar më herët nga Komisioneri Publik.

Pyetjet shkaktuan një përplasje mes saj dhe gjyqtares në proces. Kosova në seancën e përgjigjeve tha se disa nga pyetjet tejkalonin kufijtë e ankimit dhe se në ishin “në kufijtë e paragjykimit”. Ajo po ashtu tha se ato ishin përsëritje dhe se një pjesë e përgjigjeve ishin dhënë më herët dhe “gjendeshin lehtësisht në pyetësorë”.

Mulaj reagoi me tone të ngritura ndaj këtij qëndrimi duke akuzuar gjyqtaren për “tendencë të pamoralshme”, ndërsa deklaroi me ton të acaruar zëri se “çdo subjekt që ulet në atë tavolinë do të marrë atë që meriton,”. Duke iu drejtuar Kosovës dhe kundërshtuar dyshimet për njëanshmëri ajo shtoi “nuk të preket asnjë fije floku padrejtësisht”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *