Prokuroru Petrit Vukaj dhe avokatja Romina Zano pas seancës dëgjimore | Foto: Edmond Hoxhaj
KPK Lajme Veting

Prokurori Petrit Vukaj jep shpjegime për barrat e provës në të tre kriteret

Prokurori Petrit Vukaj i Prokurorisë së Fierit u përball të hënën më 10 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për barrat e provës që i ishin kaluar në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Procesi i vetingut për prokurorin Vukaj po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Petrit Vukaj e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier. Në vitin 2015, Vukaj u arrestua nga ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda për veprën penale të korrupsionit pasiv, por dy vjet më vonë ai u shpall i pafajshëm me vendim të Gjykatës së Apelit. Pas këtij vendimi, ai u rikthye në detyrë sërish në Prokurorinë e Fierit.

Vukaj u paraqit në seancën dëgjimore në KPK së bashku me avokaten Romina Zano, e cila paraqiti mbrojtjen për pasurinë dhe figurën.

Barrat e provës për pasurinë

Subjekti ka shënuar në deklaratën “veting”, zotërimin e një trualli me sipërfaqe 300 m2 dhe një shtëpie banimi me dy kate në Fier, ku kati i parë është më sipërfaqe 104 m2 dhe papafingo sipër tij, me sipërfaqe 102 m2. Po ashtu, ka deklaruar dhe një depo me sipërfaqe 23 m2. Relatorja Çiftja pohoi se subjekti ka pasqyruar vlerën e rivlerësimit të pasurisë në shumën 17.6 milionë lekë, por pa deklaruar se sa ka shpenzuar dhe as burimin e krijimit.

Për përllogaritjen e shpenzimeve të ndërtimit të katit të parë gjatë viteve 1992-1994, Komisioni konstaton se në atë periudhë nuk ka pasur referenca për kostot e ndërtimit, dhe për rrjedhojë është konsideruar sipas të dhënave për vitin 1995, por duke kryer uljet sipas indeksit të inflacionit për vitet e mëparshme.

Kostoja totale e ndërtimit të katit të parë është konsideruar në shumën rreth 594 mijë lekë. Referuar të ardhurave nga puna e subjektit dhe bashkëshortes për atë periudhë, ka rezultuar pamundësi financiare në masën rreth 500 mijë lekë.

Nga hetimi ka rezultuar se kati i dytë duket se është ndërtuar në vitet 2009-2010 dhe se kostoja është përllogaritur në masën 2.6 milionë lekë, prej nga ka rezultuar një balancë negative rreth 700 mijë lekë në 2010-ën.

Sipas KPK, duket se regjistrimi i katit të dytë të banesës në vitet 2010 dhe 2017, nuk është bërë sipas parashikimeve të legjislacionit për urbanizimin e ndërtimeve pa leje.

Avokatja Zano u shpreh se me provat dhe shpjegimet që kishin dorëzuar vlerësonin se kishin përmbysur barrën e provës për të tre kriteret. Ajo nënvizoi se shtëpia është e vetmja pasuri e paluajtshme që zotëron subjekti dhe se është ndërtuar prej vitit 1992, kur ai nuk ishte ende subjekt deklarues dhe as nuk mbante funksionin e prokurorit.

Për mosdeklarimin e vlerës së investimit dhe burimin, Zano tha se subjekti nuk ka pasur asnjë qëllim. Ajo shtoi se deklaratës “veting” i janë bashkëlidhur të gjitha dokumentacionet ligjore që lidhen me origjinën e kësaj prone, si dhe për çdo veprim juridik të kryer prej subjektit lidhur me këtë pasuri. Po ashtu, vërejti se këto veprime janë pasqyruar rregullisht në deklaratat periodike.

Sipas Zanos, trualli është fituar nga Komiteti Ekzekutiv i Pluralizimit, si familje e re dhe e pastreh. Ajo theksoi se subjekti e ka deklaruar saktësisht, si truallin ashtu dhe ndërtimin. Zano tha se subjekti në deklaratën “veting”, ka vlerësuar që të kryejë deklarimin duke i’u referuar dokumentacionit ligjor.

Në vijim, avokatja solli në vëmendje se Vukaj ka deklaruar në vitin 2003 edhe burimin e krijimit, nga të ardhurat e tij e të bashkëshortes prej punës. Ajo këmbënguli se subjekti ka bërë deklarime të sakta dhe në vitet 2008, 2009 dhe 2010 për këtë pasuri.

Përfaqësuesja e Vukajt deklaroi se punimet për katin e parë ishin kryer nga subjekti dhe familjarëve dhe të afërmve të tij, me punë vullnetare, duke mos pasur kosto. Sipas saj, shpenzimet për katin e parë kanë qenë minimale.

Zano kërkoi që të ulen shpenzimet e jetesës për këtë periudhë si dhe të konsiderohen prodhimet nga toka për shpenzimet jetike. Po ashtu, ajo kërkoi të konsiderohen të ardhurat e subjektit nga puna në një ndërmarrje para vitit 1992, si dhe të bashkëshortes si agronome për periudhën 1991-1993. Sipas avokates, deri në vitin 1994 bilanci del pozitiv.

Ajo kontestoi dhe vlerën e përllogaritur për katin e dytë, duke argumentuar se është konsideruar sikur të ishte kati i parë, me themele. Zano shpjegoi se kati i dytë ishte ndërtuar si papafingo, më shumë me funksionin e çatisë, për të penguar lagështirën. Sipas saj, edhe aktualisht i banueshëm është vetëm kati i parë. Avokatja kërkoi që të ulen kostot e ndërtimit me 44%.

Zano paraqiti dhe një analizë ligjore lidhur me konstatimin e KPK, se regjistrimi katit të dytë, nuk ishte kryer sipas lgjislacionit përkatës. Ajo solli në vëmendje se subjekti kishte pasur leje ndërtimi të vitit 1994 për ndërtimin e një banese me dy kate në truallin e përfituar në 1991-in dhe se nuk kishte një përcaktim kohor për ndërtimin.

Komisioni konstatoi pamundësi në shumën rreth 550 mijë lekë për blerjen e një automjeti nga subjekti në vitin 2009, pasi shumica e të ardhurave nga shitja e një makine tjetër nuk janë konsideruar si burim i ligjshëm. Sipas Çiftjas, subjekti ka deklaruar si burim shumën një milion lekë nga shitja e një automjeti të mëparshëm. Por, nga hetimi ka rezultuar se subjekti e ka blerë makinën e mëparshme në 2005-ën për shumën 250 mijë lekë dhe e ka shtitur pas katër vjetër për një milion lekë. Ndërsa blerësi e ka shitur në vitin 2015 për 100 mijë lekë.

Sipas KPK, subjekti nuk ka arritur të vërtetojë shpenzimet e kryera për përmirësimin e mjetit që të mund të rritej vlera e tij dhe për rrjedhojë, në analizën financiare është përfshirë si e ardhur vetëm shuma 250 mijë lekë.

Zano parashtroi se subjekti ka kryer shpenzime për përmirësimin e gjendjes së makinës, që kishte pasur probleme në motor dhe i mungonte sistemi i ajrit të kondicionuar. Sipas saj, subjekti nuk ka pasur në atë kohë detyrim për deklarim të shpenzimeve të tilla, duke pretenduar se një gjë e tillë ishte përcaktuar me ndryshime ligjore të vitit 2012. Avokatja tha se shpenzimet vërtetohen me anë të deklaratave noteriale të administratorit të subjektit që ka kryer punimet dhe kërkoi që të përfshihet në analizë edhe shuma prej 850 mijë lekësh.

Për një pamundësi në shumën 134 mijë lekë të konstatuar nga KPK në vitin 2016, Zano tha se ky bilanc negativ rrjedh nga një pasaktësi në deklarimin e subjektit në vitin 2015. Ajo tha se në atë periudhë subjekti ishte pa pagë dhe kishte tërhequr një shumë për ta përdorur për shpenzime jetike. Sipas Zanos, në këtë rast ka pasaktësi në deklarim dhe jo mungesë burimesh.

Komisioni ka gjetur pamundësi të burimeve të ligjshme në shumën 1.2 milionë lekë për depozitimin e një vlere 10 mijë euro nga subjekti në vitin 2010. Megjithëse Vukaj ka pretenduar se ka qenë një huamarrje që është përdorur si garanci për vizë, KPK konstaton se mungon dokumentacioni ligjor për konfirmimin e marrëdhënies së huasë, si dhe se nuk janë vërtetuar me dokumentacion ligjor të ardhurat që kanë shërbyer për këtë shumë.

Zano shpjegoi se kjo ishte huaja e tretë e marrë nga subjekti nga i njëjti person, për kohë të shkurtesa dhe me qëllim marrjen e vizave për familjen për jashtë shtetit. Sipas saj, huadhënësi kishte pasur mundësi për huatë.

Nga analiza financiare e përgjithshme paraprake e KPK, është konstatuar bilanc negativ në vlerën totale 3.2 milionë lekë. Zano e kundërshtoi duke kërkuar që të konsiderohen provat dhe shpjegimet dhe pretendoi se vetëm në disa vite rezultonin bilance negative të papërfillshme, që nuk mund të sjellin penalizim.

Figura dhe profesionalizmi

Megjithëse Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar, AKSIK nuk ka gjetur probleme për prokurorin Vukaj, Komisioni ka konstatuar se subjekti ka përdorur në vitin 2014 një automjet në pronësi të një personi të dënuar në vitin 2001 në Itali për pjesëmarrje në grup kriminal, shfrytëzim prostitucioni dhe plagosje. Në vitin 2014, ky shtetas i ka dhënë subjektit të drejtën e përdorimit të mjetit për një vit. Ndërkohë, ka lëshuar në vitin 2021 një deklaratë noteriale lidhur me dhënien në përdorim të mjetit për subjektin, që është dorëzuar në KPK në funksion të procesit të vetingut.

Çiftja tha se duket se kontakti i subjektit me këtë shtetas është i papërshtatshëm dhe se Vukaj nuk e ka deklaruar pranimin e favorit për të përdorur këtë automjet.

Avokatja Zano deklaroi se subjekti e ka mësuar këtë rrethanë vetëm gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar. Sipas saj, po ta kishte ditur një gjë të tillë, nuk do të kishte marrë automjetin në përdorim dhe as do kishte kërkuar nënshkrimin e deklaratës noteriale të vitit 2021. Zano argumentoi se bëhej fjalë vetëm për një udhëtim tre ditor që nuk kishte lidhje me detyrën e subjektit dhe se në vitin 2017, kur kishte plotësuar deklaratën e pastërtisë së figurës, as shteti shqiptar nuk kishte pasur dijeni për dënimin e pronarit të mjetit në Itali.

Vetë prokurori Vukaj deklaroi se kontakti kishte qenë i rastësishëm, pasi mjetin ia kishte kërkuar një personi tjetër që e njihte pronarin e kësaj makine. Sipas tij, në vitin 2021 kur ishte publikuar në medie ndalimi i këtij personi me qëllim ekstradimin, ai kishte qenë i hospitalizuar për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore nga COVID-19 dhe se nuk kishte marrë dijeni.

Lidhur me aspektin profesional, relatorja Çiftja evidentoi ndër të tjera dhe verifikimet e kryera për çështjen për të cilën subjekti është proceduar në vitin 2015 nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda dhe është dënuar nga gjykata e Shkallës së Parë e të njëjtit juridiksion, por që më pas pushua nga Apeli dhe subjekti u rikthye në detyrë. Çiftja nënvizoi se verifikimet për këtë çështje janë kryer vetëm në kuadër të procesit të rivlerësimit. Sipas saj, duket se subjekti ka kërkuar pezullimin e hetimit, pa konsideruar shkaqet e veprës penale. Ajo tha se duket që subjekti të ketë favorizuar të hetuarin, gjetje që së bashku me të tjera të evidentuara mund të çojnë në cenim të besimit të publikut tek drejtësia.

Për një çështje tjetër të vitit 2014, u evidentua se subjekti nuk ka kryer veprime të mëtejshme hetimore, edhe pse ka pasur indicie se i hetuari mund të kishte pasur lidhje me viktimën.

KPK konstaton se subjekti ka vendosur mosfillim për një kallëzim të vitit 2015, pa kryer veprimet hetimore të nevojshme, pasi përfundimi nuk është bazuar në ekspertë të fushës, si dhe duket se nuk janë analizuar elementët e veprës penale për vetëgjyqësinë.

Prokurori Vukaj e paraqiti vetë mbrojtjen në kriterin e aftësive profesionale. Ai evidentoi se për çështjet e relaturara, gjykata i ka gjetur të drejta vendimmarrjet e tij duke i lënë në fuqi. Po ashtu, pretendoi se në çdo rast kishte kryer gjithë veprimet hetimore të nevojshme. Për një rast kur kishte kërkuar pezullimin e dënimit, ai argumentoi se bëhej fjalë për një ngjarje të ndodhur nga pakujdesia, se i pandehuri nuk kishte qenë ndonjëherë i dënuar, si dhe se kishte pasur dy fëmijë të mitur. Për një vendim mosfillimi, sqaroi se u kishte referuar palëve të vijonin procedurat civile.

Në përfundim, prokurori Petrit Vukaj kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet me datë 14 qershor, në orën 09:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *