Nga një seancë në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: KPA
Korrupsioni KPA Lajme Vendi

Prokurorja Irma Balli kërkon përmbysjen e shkarkimit në Kolegj

Ish-drejtuesja e Prokurorisë së Apelit Korçë, Irma Balli deklaroi se ishte paragjykuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe e cilësoi vendimin për shkarkimin e saj të paqartë dhe jo profesional. Ajo pretendoi se e kalon testin e besueshmërisë për pasurinë.

Nga seanca e prokurores Irma Balli në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA pasi dëgjoi në seancë publike shkaqet e ankimit të ish-drejtueses së Prokurorisë së Apelit të Korçës, Irma Balli kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra, vendosi të administrojë provat e dorëzuara prej saj dhe të mbyllë hetimin gjyqësor.

Prokurorja Irma Balli u shkarkuara nga KPK më 19 shkurt 2019, pasi u ngritën dyshime mbi deklarime të rreme dhe mungesë burimesh të ligjshme mbi pronësinë familjare të një pike shpërndarje karburanti në Korçë dhe një objekti me tre kate.

Gjithashtu, Komisioni ngriti dyshimin se Balli mund të kishte ndërhyrë në dokumentacionin tekniko-ligjor në ZVRPP Korçë për të mundësuar ndërtimin e objektit ku ajo zotëron ¼ pjesë takuese, ndryshe nga sa ishte parashikuar në lejen ndërtimore. Rivlerësimi i saj përfundoi vetëm për kriterin e pasurisë.

Prokurorja Balli deklaroi në fillim të seancës se ndihej e kënaqur që pas dy vitesh përbaltje, më në fund po gjykohej nga një trupë e vërtetë gjyqësore.

Ajo renditi shkaqet proceduriale dhe ato të ngritura mbi konkluzionet e Komisionit për pasurinë. Balli pretendoi se në shkallën e parë të vetingut nuk i ishte ofruar një proces i rregullt ligjor dhe se vendimi i Komisionit është i paqartë dhe jo profesional.

Sipas Ballit, si burime krijimi për pasuritë që zotëron dhe shpenzimet në vite, kishin shërbyer të ardhurat nga pagat e saj dhe të bashkëshortit. “Fëmijët kanë studiuar në Shqipëri dhe bëjnë një jetë modeste. Ku qëndron korrupsioni këtu?, pyeti ajo.

Prokurorja Balli parashtroi më së shumti lidhur me gjetjet e Komisionit për pikën e kaburantit + objektin me tre kate në bashkëpronësi me familjarët e saj. Ajo shpjegoi se ishte bërë bashkëpronare, pasi ky objekt ishte ndërtuar si karabina dhe se kishte qenë dëshirë e babait.

“Jam paragjykuar pa të drejtë për këtë pronë. KPK është munduar të shtojë problemet jashtë kornizave të ligjit. Më çon në pamjaftueshmëri dhe më ngarkon rëndë me mospërputhje të deklarimeve me dokumentet e arshivës, duke çuar edhe më rëndë, se kam ndikuar në ndryshimin e projektit të objektit,” tha Balli, duke i mohuar këto pretendime.

Ajo deklaroi se ndërtimi i objektit ishte përfunduar me 3 kate + papafingo pasi kishte qenë Zyra e Urbanistikës që e kishte imponuar këtë projekt, ndryshe nga sa kishin planifikuar familjarët e saj. “Ka dokumente pse ky projekt duhej të kalonte në një tjetër projekt,” sqaroi subjekti.

Balli vijoi se në dokumentacionin e arshivës mungonte çatia, ndërsa në ZVRPP Korçë figuronte vetëm leja për kaburantin dhe thuhej se objekti ishte për banesë. “Të gjitha këto kanë ardhur nga mungesa e përgjegjësisë në zyrat e hipotekës. Konfuzioni i KPK lidhur me këto mospërputhje më ka penalizuar”, pohoi Balli dhe deklaroi se nuk kishe asnjë akses në këto institucione dhe se nuk gjendej në kushtet e shkarkimit lidhur me këtë pasuri.

Për mosdeklarimin e një shtese 12/5 m2 të ndërtuar në vitin 2008 në këtë objekt, Balli tha se vlera e saj nuk e arrinte atë shumë për të cilën detyrohej deklarimi. “Familjarët e mi kanë qenë aq të përgjegjshëm sa kanë aplikuar edhe për legalizimin e shtesës 12.5 m2”, pohoi Balli.

Ajo kundërshtoi edhe aktin e ekspertimin për vlerën e objektit dhe të karburantit. Balli tha se eksperti i KPK e kishte përllogaritur vlerën me kostot e vitit 2016, edhe pse objekti karabina ishte ndërtuar në vitet 1998-1999 dhe ishte ende i papërfunduar. Ajo sqaroi se kolaudimi është kryer kur objekti ishte ende karabina, në vitin 1999.

Balli tha se kishte dorëzuar në KPA një akt preventivi për vlerën e kësaj pasurie. E pyetur nga Kolegji, se përse nuk kishte hartuar akt-ekspertim, subjekti deklaroi se objekti është ende i papërfunduar dhe se vlerësimi në këtë rast mund të kryhet vetëm për punimet e realizuara.

Balli u ndal më pas në cilësimin e familjarëve si persona të lidhur. “Unë me bashkëpronarët nuk kam pasur transaksione,” tha ajo dhe sqaroi se babai e kishte kaluar pjesën më të madhe të pasurisë tek vëllai dhe tek nipat.

Subjekti i rivlerësimit dorëzoi dokumentacion për të ardhurat e të atit dhe sqaroi se ajo dhe bashkëshorti kishin investuar 1 milionë lekë nga kursimet e familjes prej të ardhurave të siguruara nga pagat dhe emigracioni.

E pyetur se sa ishte pesha e të ardhurave nga emigracioni në investimin e kryer, Balli tha se ishte e vogël, por se nuk mund ta përcaktonte konkretisht.

Balli këmbënguli se familjarët nuk kanë qenë persona të tjerë të lidhur dhe se Komisioni nuk ka pasur në vëmendje parimin e proporcionalitetit për pamundësinë objektive për gjetjen e dokumenteve për të ardhurat e bashkëshortit e të familjarëve në emigracion.

“Ky vendim më ka ndryshuar jetën. Nuk kam qenë nga ata që kanë shthurur sistemin. Përfundimi nuk duhet të jetë subjektiv, por procesual”, pohoi Balli.

Balli theksoi se Komisioni nuk ka qenë transparent në mënyrën se si ka përllogaritur të ardhurat e familjes së saj ndër vite. “Duhet që bilanci të jetë progresiv.  Brenda një viti mund të kesh ndryshime, por nëse ke të ardhura të transferuara nga viti i mëparshëm, ato duhet të konsiderohen,” tha ajo dhe evidentoi se në analizën financiare për garazhin nuk ishin përfshirë një pjesë e të ardhurave.

Ajo solli në vëmendje vendime të tjera të KPK, duke pretenduar se në ato çështje është vlerësuar ndryshe nga rasti i saj, ku janë pranuar si burime të ligjshme të ardhurat e subjekteve të tjerë të rivlerësimit, megjithëse gjendeshin të situata të njëjta.

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka bërë një tabelë me gabime matematikore duke shtuar artificialisht balancën negative,” pohoi Balli.

Në përfundim ajo depozitoi prova të reja veç atyre të paraqitura me ankimin. Balli kërkoi të administrohen letër-këmbime për të provuar se familjarët kishin punuar në emigracion dhe kishin përfituar të ardhura; vërtetim nga Prokuroria e Apelit Korçë për udhëtimet e saj jashtë shtetit gjatë periudhës 2012-2013; vërtetim nga Kadastra ku pasqyrohen pasaktësitë për objektin me tre kate dhe një shkresë nga Komisioni i Kompesimit dhe Kthimit të Pronave, dokumente që u pranuan të gjitha nga Kolegji.

Në fund të seancës, Balli tha se me provat e dorëzuara mendonte se arrin nivel të besueshëm për pasurinë.

Trupi gjykues i KPA vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe shtyu seancën për shpalljen e vendimit përfundimtar më datë 15 qershor, ora 14:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *