Shkarkohet nga Kolegji, por Besnik Muçi refuzon të njohë vendimin e vetingut

Lajme
Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin nga detyra të anëtarit më të ri të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi për problemet me pasurinë. Me një interpretim alternativ, Muçi tha se KPA nuk ka kompetencë ta shkarkojë atë si anëtar të Gjykatës Kushtetuese, duke u bërë gjyqtari i parë që refuzon të njohë vendimin e vetingut. 

Gjyqtari i Kushtetueses, Besnik Muçi pas vendimit të shkarkimit nga KPA. Foto: Malton Dibra/LSA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli të enjten shkarkimin nga detyra të anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë si dhe për cënim të besimit të publikut ndaj sistemit të drejtësisë.

Por në një deklaratë të paprecedentë jashtë institucionit, Muçi la të kutohej se nuk e njihte vendimin përfundimtar të vetingut dhe se do të vazhdonte të qëndronte në detyrë –qëndrim i cili rrezikon ta thellojë edhe më tej konfliktin mes palëve politike mbi fatin e Gjykatës Kushtetuese.

Besnik Muçi, prokuror prej vitit 2002, u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese më 16 tetor nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ndërsa vazhdonte përballjen me shkallën e dytë të vetingut për kriterin e pasurisë.

Në sallën e mbushur përplot të Kolegjit, vendimi i shkarkimit u shpall nga kryesuesi i trupës, Sokol Çomo në prani të subjektit, dy komisionerëve publikë dhe përfaqësuesit të ONM-së, Ferdinando Buatier de Mongeot.

KPA arriti në përfundimin se Muçi kishte mungesë burimesh të ligjshme dhe nuk justifikonte huatë e marra nga babai, xhaxhai, motra dhe kunati në Turqi për blerjen e dy apartamenteve në Tiranë në vitet 2006 dhe 2016. Sipas Kolegjit, Muçi kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për këto prona, shkelje e cila është përsëritur edhe me mosdeklarimin e një sipërfaqeje toke të përfituar nga bashkëshortja përmes ligjit 7501 si dhe i pjesës së saj takuese në shtëpinë e prindërve.

Në vendim, Kolegji iu referua analizës financiare për të arritur në përfundimin se Muçi nuk arriti gjithashtu të justifikonte me burimet e ligjshme shpenzimet për disa vite, ndërkohë që sipas Kolegjit, pozita e tij u rëndua edhe nga një raport i DSIK-së.

“Kolegji vlerëson se marrëdhëniet shoqërore me shtetasin A.L, i përfshirë në një konflikt me armë zjarri, fakt i njohur publikisht dhe i botuar edhe nga mediat, privilegjet në blerjen e një apartamenti dhe favoret në mosshlyerjen e huasë ndaj këtij shtetasi kanë sjellë cënimin e besimit të publikut te sistemi i drejtësisë,” tha Çomo gjatë shpalljes së vendimit.

Trupi gjykues e vuri theksin gjithashtu te deklarimet e pavërteta të Muçit përballë Kolegjit lidhur me marrëdhëniet e tij me biznesmenin Armand Lilo për të arritur në përfundimin se ai nuk mund të gëzojë besimin e publikut.

“Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Kolegji vendosi ndryshimin e vendimit nr.58/2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të Besnik Muçit, prokuror në nisje të procesit të rivlerësimit dhe gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në momentin e shpalljes,” deklaroi KPA.

Sipas Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi, vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit është menjëherë i zbatueshëm dhe e bën subjektin të papajtueshëm me çdo pozicion në sistemin e drejtësisë.

Por në një interpretim alternativ jashtë ambienteve të KPA-së, Muçi tha se e kishte humbur statusin e prokurorit dhe se vendimi i Kolegjit nuk mund t’i shtrinte kompetencat mbi anëtarët e zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese.

“Neni 130 i Kushtetutës thotë që në momentin që kam bërë betimin, e kam humbur statusin e prokurorit. Në momentin që ka përfunduar statusi im si prokuror, unë nuk jam subjekt i KPA-së,” tha Muçi për gazetarët, duke sulmuar kreun e KLP-së, Gent Ibrahimi për mospërfundimin e statusit të tij.

Pasi deklaroi se do të vazhdonte të qëndronte në detyrë, Muçi u nis drejt zyrës së tij të re në Gjykatën Kushtetuese – ku është transferuar tashmë një ndër konfliktet më të ashpra politike që pas miratimit të reformës në drejtësi.