Skeda e pasurisë së deklaruar –Artur Gaxha –Gjykata e Apelit Tiranë
Korrupsioni KPK Skeda Vendi

Skeda e pasurisë së deklaruar –Artur Gaxha –Gjykata e Apelit Tiranë

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Artur Gaxha do të përballet të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Shumëfishimi i pasurisë familjare dhe “flamujt e kuq” nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Artur Gaxha do të përballet të premten më 24 korrik me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjykuese që po kryen procesin e vetingut përbëhet nga Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Pamela Qirko.

Artur Gaxha e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995. Ai ka punuar për më shumë se një dekadë në Gjykatën e Tiranës, ndërsa në vitin 2016 u emërua gjyqtar i Gjykatës së Apelit Tiranë.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Artur Gaxha nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017. [Kliko për skedën në PDF]

Skeda e pasurisë së deklaruar nga gjyqtari Artur Gaxha nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.

Në deklaratën e parë të dorëzuar në vitin 2003, gjyqtari Artur Gaxha deklaronte pasuri me vlerë 5 milionë lekë, ndërkohë që në fund të vitit 2017, pasuria familjare është shumëfishuar duke kapur vlerën e 98.9 milionë lekëve.

Në fund të vitit 2017, Gaxha zotëron familjarisht rreth 56.7 milionë lekë likujditete bankare, 35 milionë lekë pasuri të patundshme, automjete me vlerë 6.9 milionë lekë si dhe kursime cash prej 265 mijë lekësh. Ai deklaron gjithashtu se bashkëshortja zotëron aksione me vlerë 33 mijë lekë në universitetin “Pavarësia” në Vlorë.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese kapin vlerën e 115.9 milionë lekëve. Të ardhurat kryesore në familjen Gaxha janë siguruar nga shitja e pasurive të patundshme në masën 58%, ndërsa të ardhurat nga paga e gjyqtarit zënë vetëm 13% të totalit.

Ai deklaron gjithashtu të ardhurat e familjarëve në masën 21% si dhe të ardhura nga qiratë prej gati 3% të totalit.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 14 vite të deklarimit të Z. Gaxha, katër deklarata rezultuan me probleme.

Gjyqtari Gaxha rezulton me burime të pamjaftueshme financiare për të mbuluar asetet e deklaruara për vitet 2004, 2005, 2011, 2014, pa llogaritur në këtë analizë shpenzimet vjetore për konsum familjar.

Në vitin 2004, subjekti deklaron blerjen e dy automjeteve me vlerë 12 500 euro, duke rezultuar me një diferencë të vogël negative prej 9638 lekësh.

Në vitin 2005, subjekti deklaron blerje të pasurive të patundshme me vlerë rreth 134 mijë dollarë dhe 26 mijë euro, pa shpjeguar asnjë burim të ardhurash për këto shtesa. Diferenca negative në vitin 2005 është rreth 15.5 milionë lekë.

Edhe për vitin 2011, gjyqtari rezulton me pamjaftueshmëri financiare prej 2.7 milionë lekësh. Gjatë këtij viti, ai deklaron shitjen e një apartamenti për 120 mijë euro, shumë e cila depozitohet në llogari bankare, blen një automjet në bashkëpronësi me motrën për 55 mijë dollarë (pa shpjeguar burimin) dhe shlyen një detyrim prej 120 mijë eurosh përmes një kredie bankare në të njëjtën shumë.

Ndërsa në vitin 2014 deklaron shtesa pasurie të patundshme prej 5.3 milionë lekësh, shtesa depozite bankare prej 184 mijë eurosh dhe shlyerje totale kredie prej rreth 175 mijë eurosh-pa shpjeguar asnjë burim të këtyre transaksioneve. Si rrjedhojë, diferenca rezulton në 52.2 milionë lekë.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN ka identifikuar si “flamuj të kuq” transaksionet e paqarta me një apartament në emër të bashkëshortes, një huamarrje, shlyerjen e një detyrimi si dhe vlerat e konsiderueshme të kredive bankare.

Në vitin 2013, bashkëshortja e subjektit deklaron se ka përfituar një apartament banimi me vendim të ortakëve të një shoqërie, me burim financiar një kredi bankare të vitit 2008. Apartamenti, të cilit i mungon çmimi i blerjes është shitur brenda vitit në vlerën 450 mijë euro. Ndërkohë, detyrimi i mbetur i kredisë prej rreth 175 mijë eurosh është ndarë mes dy ortakësh të shoqërisë (nuk sqarohet lidhja e bashkëshortes së subjektit me këtë shoqëri).

Në vitin 2007, Z.Gaxha deklaron detyrim ndaj një kompanie ndërtimi në vlerën 16 mijë euro, nga të cilat rezultojnë të shlyera deri në fund të vitit 2017 vetëm 11 mijë euro.

Në vitin 2010, ai deklaron një hua prej 15 mijë USD nga motra, të cilat nuk rezultojnë të jenë shlyer në vitet e mëvonshme.

Kreditë bankare janë shlfrytëzuar rregullisht si burim financimi; në vitin 2006 në vlerën 1.5 milionë lekë; në vitin 2011 në shumën 120 mijë euro dhe në vitin 2013 në vlerën 175 250 euro, të cilat janë shlyer rregullisht.

Deklarata e pasurisë së vitit 2003

Deklarata e pasurisë së vitit 2004

Deklarata e pasurisë së vitit 2005

Deklarata e pasurisë së vitit 2006  

Deklarata e pasurisë së vitit 2007

Deklarata e pasurisë së vitit 2008

Deklarata e pasurisë së vitit 2009

Deklarata e pasurisë së vitit 2010

Deklarata e pasurisë së vitit 2011

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Deklarata e pasurisë së vitit 2017

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *