Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari në ditën e ceremonisë së betimit në Presidence. Foto: LSA
Analiza Artikull kryesor Analiza Korrupsioni KPA Në Fokus

Tërheqja e ankimit nga Marsida Xhaferllari pranohet me debat nga Kolegji

Shumica në KPA pranoi tërheqjen e ankimit nga anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari si akt dhe pushoi çështjen, por dy anëtare në pakicë kërkuan që veprimi të cilësohej si dorëheqje me efekt ndalimin për 15 vjet të punësimit në organet e drejtësisë.

Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferllari në ditën e ceremonisë së betimit në Presidence. Foto: LSA

Dy ditë pasi u dekretua si anëtare e Gjykatës Kushtetuese nga presidenti Ilir Meta, Marsida Xhaferllari i shkroi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit se hiqte dorë nga ankimi që kishte bërë ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Xhaferllari i ishte drejtuar Kolegjit për të kundërshtuar mbylljen pa vendim të procesit të vetingut në KPK me argumentin se ajo e kishte humbur statusin e magjistratit, por pas zgjedhjes në Gjykatë Kushtetuese e konsideroi shqyrtimin e ankimit të panevojshëm.

Tërheqja e ankimit u motivua nga Xhaferllari me faktin se vendimarrja e Kolegjit nuk ishte më e nevojshme për shkak të pozicionit të ri që ajo kishte marrë si dhe me faktin se ishte vlerësuar paralelisht edhe nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Situata e krijuar, siç del nga vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ishte unike dhe e paparashikuar në ligjin “Për rivlerësimin kalimtarë të gjyqtarëve”.

Tërheqja nga ankimi do të thoshte se Xhaferllari merrte pozicionin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese pa një vendim të institucioneve të rivlerësimit si kolegët e saj, edhe pse i ishte nënshtruar procesit dhe kishte kundërshtuar vendimin e KPK që e nxirrte jashtë kompetencave.

Kolegji që shqyrtoi në fund kërkesën për heqje dorë nga ankimi, u nda në mënyrën se si arsyetoi mbi këtë tërheqje. Shumica, e përbërë nga Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Sokol Çomo,  duke iu referuar Kodit Civil dhe të drejtës së palëve për t’u tërhequr në çdo moment nga ankimi i një çështje gjyqësore, vendosi pushimin e çështjes dhe lënien në fuqi të vendimit të KPK.

Në pakicë, Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz arsyetuan se tërheqja nga ankimi në këtë rast duhej të konsiderohej si dorëheqje dhe Xhaferrllarit i duhej ndaluar punësimi në sistemin e drejtësisë për 15 vjet. Pakica arsyetoi se Xhaferllari ishte subjekt i rivlerësimit dhe si i tillë tërheqja nga procesi duhej penalizuar, ndërsa referimi në Kodin e Procedurës Civile prej shumicës binte sipas tyre ndesh me qëllimin e procesit të rivlerësimit.

Vendimi i KPK dhe ankimi

Ish-kryeinspektorja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Marsida Xhaferllari iu nënshtrua një procesi normal rivlerësimi në të tre kriteret në pranverë të vitit 2019 në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, por në vend të vendimit, shumica në KPK doli në përfundimin se “objekti ishte bërë i pamundur” dhe nuk mund të kishte një vendim.

Sipas vendimit të KPK-së u vendos se për shkak se kishte punuar jashtë gjyqësorit, Marsida Xhaferllari e kishte humbur statusin e magjistrates në vitin 2011. Relatori Roland Ilia dhe kryesuesja Firdes Shuli ishin të mendimit se për këtë arsye, ish-gjyqtarja duhej t’i nënshtrohej sërish një testimi në Shkollën e Magjistraturës.

Xhaferllari  e kundërshtoi vendimarrjen e KPK në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Ajo kundërshtoi pretendimin se kishte humbur statusin e magjistrates dhe kërkoi përmbyllje të procesit.  Vendimarrja për këtë rast u përshpejtua me kërkesë të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Vlerësimi i Xhaferllarit si kandidate për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ishte më i shpejtë dhe ajo e kaloi procesin duke u cilësuar e përshtatshme. KED e renditi Xhaferllarin të katërtën në listën e kandidatëve për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese që zgjidhej nga Presidenti i Republikës.

Ky i fundit, pasi Kuvendi kishte zgjedhur Fiona Papajorgjin dhe Elsa Toskën të renditura para Xhaferllarit, vendosi të dekretonte këtë të fundit duke marrë të mirëqenë se ajo ndodhej tashmë e dyta në listë.  Dekretimi u shoqëruar me thellim të përplasjes mes Presidentit dhe shumicës socialiste në Kuvend dhe kryetarit të KED, Ardian Dvorani.

Partia Socialiste miratoi një rezolutë në parlament që e cilësoi dekretimin e Xhaferllarit nul. Por Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar drejtpërdrejt nenit të Kushtetutës që cilësonte si gjyqtar atë që kishte kryer betimin para presidentit, vendosi të pranonte Xhaferllarin në vend të Arta Vorpsit, e cila teknikisht ishte zgjedhur si e para në listë për shkak të afatit kohor të shkelur nga Presidenti. Gjykata Kushtetuese u shpreh në një njoftim se do të vendoste për çështjen sapo të kishte një kuorum me të cilin mund të merrte një vendim.

Dekretimi në Gjykatën Kushtetuese e bëri, sipas Xhaferrllarit, të panevojshëm ankimin që ajo kishte bërë në KPA. Anëtarja e Gjykatës Kushtetuese kërkoi të tërhiqej nga ankimimi duke arsyetuar se procesi i vlerësimit ndaj saj ishte kryer tashmë nga KED dhe ajo ishte vlerësuar pozitivisht në të tre kriteret.

Qëndrimet në Kolegj

Shumica në KPA pranoi tërheqjen nga ankimi si një proces që varej tërësisht prej subjektit.

Duke iu referuar vendimit të dytë të marrë prej KPA në vitin 2018 mbi tërheqjen e një ankimi nga Komisioneri Publik për prokurorin Sulejman Tola, shumica në KPA e cilësoi tërheqjen e Xhaferllarit nga ankimi të drejtë.

Shumica arsyetoi  duke u bazuar në Kodin e Procedurës Civile dhe parimin “se ankuesi është dhe mbetet titullari i vetëm i këtij mjeti procedural për të kundërshtuar vendimmarrjet e Komisionit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit”.

Kolegji në shumicë vuri në dukje se rasti ishte i veçantë dhe se nuk kishte parashikime ligjore për këtë rast në ligjet për vetingun dhe se do duhej të gjendeshin referime në Kodin e Procedurës Civile.

Pikërisht duke iu referuar këtij Kodi, shumica arsyetoi se “në çdo fazë të gjykimit të çështjes në apel, ankuesi ose përfaqësuesi i tij mund të heqë dorë nga ankimi. Në këtë rast vendoset pushimi i shqyrtimit të çështjes në Gjykatën e Apelit”.

Po ashtu shumica u shpreh se pas tërheqjes së Ankimit, KPA nuk kishte më juridiksion mbi këtë çështje. Nga ana tjetër shumica vuri në dukje se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit sipas të cilit Xhaferllari kishte humbur statusin e magjistrates në kohën e kryerjes së procesit mbetej në fuqi dhe merrte formë të prerë.

Shumica  nuk shprehet në vendim mbi faktin se Xhaferllari emërohej në Gjykatën Kushtetuese pa pasur një vendim përfundimtar nga institucionet e rivlerësimit edhe pse defakto iu nënshtrua një procesi rivlerësimi.

Por në pakicë Natasha Mulaj dhe Rezarta Schuetz arsyetuan se tërheqja nga ankimi prej Xhaferllarit duhej të konsiderohej si dorëheqje nga statusi i magjistratit dhe duhej të shoqërohej me ndalimin për 15 vjet të punës në institucionet e drejtësisë.

Pakica arsyetoi se Xhaferllari ishte subjekt i rivlerësimit dhe se kjo ishte një pozitë që ajo e kishte mbrojtur edhe vetë në ankimin voluminoz kundër vendimit të KPK. Sipas pakicës Xhaferllari duhej t’i nënshtrohej rivlerësimit dhe tërheqja nga ankimi ishte e barabartë me dorëheqje, pasi synonte në një mënyrë shmangien e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese nga procesi i vetingut. “Nëse pranohej arsyetimi i tij (subjektit) sipas ankimit, vlerësuar në bazë të viteve të punës si gjyqtar, pushimi i çështjes nga shumica është në kontradiktë me ligjin”, thuhet në mendimin e pakicës.

Pakica arsyeton se vendimi i shumicës bie ndesh me qëllimin e procesit të rivlerësimit. Sipas dy anëtarve në pakicë KPA kishte: “Dy mundësi: të rivlerësojnë subjektet që i nënshtrohen procesit ose të përjashtojnë nga mundësia e emërimit në organet e drejtësisë ata individë që vendosin të mos i nënshtrohen procesit”.

Në pakicë Mulaj dhe Schuetz arsyetuan se heqja dorë nga Xhaferllari në momentin procedurial që ishte ankimi, “duhej parë si heqje dorë nga procesi i rivlerësimit, si dhe si tërheqje nga statusi i magjistratit e tërheqje nga detyra dhe, si rrjedhojë, të zbatohej neni G i Aneksit të Kushtetutës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *