Pas një séance dëgjimore pa telashe, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të hënën që gjyqtari Albert Meça të vazhdojë punën në sistemin e drejtësisë. Vendimi i konfirmimit u shpall nga trupa e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Pamela Qirko.
Gjatë seancës dëgjimore që u zhvillua më 14 korrik, Meça dha shpjegime për një hua prej 20 mijë eurosh të marrë nga daja e tij për një periudhë të shkurtër. Gjyqtari këmbënguli se kishte dokumentuar se i afërmi i tij kishte pasur burime të ligjshme.
Gjyqtarit Meça nuk iu gjetën probleme në kriterin e profesionalizmit dhe as në atë të figurës.
Albert Meça e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punon prej gati dy dekadash si gjyqtar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Meça e vlerësoi me superlativa hetimin e KPK-së ndaj tij dhe kërkoi të konfirmohej në detyrë.