Gjyqtari Julian Haxhiu pas vendimit të KPK. Foto | BIRN
KPK Lajme Veting

KPK konfirmon me shumicë votash gjyqtarin Julian Haxhiu

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të premten se me shumicë votash ka konfirmuar në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës Julian Haxhiu.

Haxhiu, u përball gjatë seancës dëgjimore më 5 qershor me pyetje mbi bilancet negative dhe konstatimin për kryerjen e disa transaksioneve në dukje fiktive, me qëllimin mundësimin e përfitimit të një kredie me kushte lehtësuese.

Ai këmbënguli se me aktet e dorëzuara dhe shpjegimet vërtetonte burimet financiare të të gjitha shpenzimeve dhe investimeve, si dhe u shpreh se nuk ishte kryer asnjë veprim fiktiv, pasi ai mundej që ta përfitonte kredinë e butë.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Haxhiu u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Xhensila Pinen. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.

Julian Haxhiu përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Mirditës. Ai u transferua në Gjykatën e Lezhës në vitin 2008 dhe prej 2011-ës e ushtron funksionin në Gjykatën e Tiranës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *