Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të enjten më 20 nëntor lënien në fuqi të shkarkimit nga detyra të prokurorit të Tiranës, Elio Mazreku. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Albana Shtylla dhe anëtarë Sokol Çomo, Mimoza Tasi e Rezarta Schuetz, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të Mazrekut ndaj vendimmarrjes së Komisionit. Vendimi i Kolegjit është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Elio Mazreku u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më datë 23 nëntor 2023, pasi u konkludua se nuk arriti nivel të besueshëm për pasurinë. Ndërkohë, ai u vlerësua pozitivisht për figurën dhe se arriti nivel kualifikues për profesionalizmin.
Elio Mazreku e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Tiranës.



