Prokurorja Miranda Bushi dhe përfaqësuesja e saj, Antoneta Sevdari pas seancës dëgjimore, Foto:Edmond Hoxhaj.
Analiza KPK Veting

Dy qëndrimet e ndryshme të KPK për të ardhurat e prokurores Miranda Bushi nga emigracioni

Prokurorja e Tiranës, Miranda Bushi u shkarkua nga detyra m 25 maj 2023, pasi shumica e trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK çmoi se ajo kishte kryer deklarime të pamjaftueshme në kriterin e pasurisë dhe se nuk kishte burime të ligjshme për krijimin e tyre dhe mbulimin e shpenzimeve, duke rezultuar me bilanc negativ total në vlerën 28.2 milionë lekë për periudhën 1992-2016. 

Mungesat më të mëdha financiare u konkluduan për shkak të moskonsiderimit në analizën financiare të të ardhurave nga puna në emigracion, prej vitit 1997 kur bashkëshorti dhe ajo u shkëputën nga profesioni i tyre në Shqipëri, deri në 2004-ën kur u rikthyen. 

Pakica vlerëson se Bushi ka qenë bindëse në shpjegimet e saj për të ardhurat nga emigrimi dhe sjell në vëmendje se ajo nuk ka justifikuar me ato kursime të deklaruara pasuri të krijuara gjatë ushtrimit të detyrës.

Miranda Bushi e ka ushtruar fillimisht detyrën e prokurores në Prokurorinë e Matit në periudhën dhjetor 1992 – shtator 1997. Në ’98-ën, ajo iu bashkua në emigrim bashkëhsortit që ishte larguar prej vitit 1997. Kur është kthyer, prej vitit 2004 deri në 2008-ën ka ushtruar detyrën e kancelares në ish-Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë dhe në vijim, për periudhën janar 2008 – qershor 2012 ka mbajtur pozicionin e drejtores së kabinetit në Prokurorinë e Përgjithshme. Më pas, nga qershori 2012 është riemëruar prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku qëndroi deri në shkarkimin e saj nga detyra. 

Subjekti ka deklaruar blerjen e një lokali tregtie me sipërfaqe ndërtimi 390 m2 në në Burrel vitin 2001 kundrejt çmimit 7.3 milionë lekë; të një apartamenti në Tiranë me sipërfaqe 118 m2 në vitin 2004 për vlerën 62 mijë e 540 euro; një apartamenti tjetër në Orikum të Vlorës në vitin 2009 kundrejt shumës 35 mijë euro; një depozitë në vlerën 5 milionë lekë dhe dy automjete. 

Si burime kryesore të pasurive ka deklaruar të ardhurat e akumuluara në vite, konkretisht nga puna si prokurore dhe bashkëshorti prej mësimdhënies; nga emigracioni në Itali gjatë viteve 1997-2004; të ardhurat nga aktiviteti bar-restorant në Burrel e nga dhënia në përdorim e kësaj pasurie; të ardhurat nga puna e saj pas rikthimit në Shqipëri; si dhe kredi. 

Trupa e KPK është ndarë në analizën e të ardhurave nga emigracioni. Shumica e përbërë nga kryesuesja Xhensila Pine dhe relatori Olsi Komici kanë çmuar të mos përfshijnë në analizën financiare thuajse të gjitha të ardhurat nga emigracioni në shumën 188 mijë euro, me argumentin se subjekti dhe bashkëshorti nuk provuan me dokumentacion ligjor realizimin e këtyre të ardhurave në periudhën 1997 – 2004, si dhe plotësimin e kriterit të ligjshmërisë së tyre sipas legjislacionit të vetingut. Gjithashtu, nuk është provuar as mënyra se si këto të ardhura janë sjellë në Shqipëri nga subjekti dhe bashkëshorti i saj.

Komisioni ka konstatuar se Bushi ka vërtetuar me dokumentacion ligjor vetëm shumën 1699 euro si të ardhura të ligjshme nga emigracioni, vlerë është është përfshirë në analizën financiare. 

Shumica nuk ka konsideruar pretendimin tjetër të Bushit për reduktim të shpenzimeve jetike në itali për vitet 1998-2004 në vlerën 8.2 milionë lekë, e cila ka këmbëngulur se kishin pasur shpenzime minimale, pasi qiraja, uji dhe energjia janë mbuluar nga vëllai i bashkëshortit, ndërsa produktet bazike ishin siguruar prej saj falas për shkak se punonte në një furrë buke. Duke i cilësuar këto pretendime si deklarative, KPK ka vendosur të rillogarisë shpenzimet jetike në emigrim në shumën 8.7 milionë lekë. 

Po ashtu, është çmuar si deklarativ dhe i pambështetur në prova pretendimi se shpenzimet jetike të vajzës në vitin 1999 janë përballuar nga kisha. 

Deklarative janë konsideruar edhe pretendimet për reduktim të shpenzimeve të udhëtimeve të vajzës gjatë shkollimin në Britaninë e Madhe. Shumica sjell në vëmendje deklarimet periodike të subjektit lidhur me shpenzimet e shkollimit të vajzës, ndërsa vlerësohen të paqarta përgjigjet me email të bankave ku sipas subjektit përcaktohet se një pjesë e vlerave të deklaruara ka qenë për udhëtimet. 

Ndërkohë, shumica ka vendosur të marrë në konsideratë të ardhurat nga lokali në shumën 2,4 milionë lekë deri në janar të vitit 2008, si dhe të ardhurat nga dhënia në përdorim e lokalit në shumën 6 milionë lekë lekë për periudhën 2008 – 2012. Po ashtu, janë përfshirë në analizë të ardhurat e bashkëshortit gjatë periudhës 2002-2004 nga aktiviteti lokalit pasi është vlerësuar se ato plotësojnë kriterin e të ardhurave të ligjshme. 

KPK ka reduktuar shpenzimet jetike në Shqipëri në masën 30% deri në vitin 1998; si dhe shpenzimet jetike të bashkëshortit në Itali për vitin 2004, duke i llogaritur për 2 muaj dhe jo për gjithë vitin ashtu si në analizën fillestare. Po ashtu, janë zbritur shpenzimet e udhëtimeve jashtë shtetit për arsye pune dhe ato që është vërtetuar se janë mbuluar nga të afërm.  

Nga analiza financiare paraprake e Komisionit ka rezultuar pamundësi totale në shumë 37 milionë lekë, nga të cilat 3.1 milionë lekë gjatë ushtrimit të detyrës së prokurores në periudhat 1992-1998 dhe 2012-2016. 

Megjithëse pas rishikimit të analizës financiare ka pasur reduktim të konsideriueshëm të bilanceve negative, është konkluduar sërish pamundësi financiare në vlerë të madhe prej 28.2 milionë lekësh për gjithë periudhën 1992-2016, prej të cilave vetëm shuma 452 mijë lekë ka mbetur gjatë ushtrimit të detyrës. 

Shuli ka dalë me qëndrim ndryshe. Ajo çmon se megjithëse nuk është vërtetuar përmbushja e kritereve ligjore për të konsideruar si burime të ligjshme të ardhurat nga emigracioni, ky fakt nuk mund të sjellë penalizim. 

Ajo nënvizon se është vërtetuar se pasi subjekti ka lënë detyrën e prokurores në shtator 1998, ka emigruar në Itali duke iu bashkuar bashkëshortit i cili ishte larguar që në ’97-ën – për t’u kthyer në vitin 2004 në një detyrë në administratën publike si kancelare e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë. 

Sipas pakicës, Bushi ka sqaruar në mënyrë të detajuar, bazuar edhe në dokumente shkresore, në lidhje me situatën pararendëse drejt stabilizimit së bashku me familjen në Itali nё tetor 1998, kur vendosi të japë dorëheqjen nga detyra e prokurores, si dhe ka argumentuar qartë shkaqet që i detyruan të emigronin. 

“Në konsideratë të parashtrimeve të saj, si dhe faktit që nuk ka asnjë të dhënë të dokumentuar zyrtarisht apo informacione publike të çdolloji që subjekti ka ushtruar veprimtari të kundërligjshme përpara largimit nga detyra si prokurore në vitin 1997, mua më krijohet bindja se subjekti realisht nuk e ka vlerësuar punën e prokurorit si një mundësi për përfitime të kundërligjshme dhe se subjekti është e besueshme në deklarimin e saj”, vlerëson Shuli dhe shton se Bushi ka sqaruar qartë edhe qëndrimin dhe punësimet në Itali, duke pranuar se disa punëdhënës nuk kanë qenë të regjistruar në organet tatimore. Po ashtu, pakica thekson se subjekti ka dhënë sqarime dhe për blerjen e pasurive. 

“Sa i takon të ardhurave të siguruara në emigracion, subjekti ka bërë përpjekje maksimale që në respektim të afateve të caktuara nga Komisioni të grumbullojë sa më shumë informacione, duke deklaruar se këto të ardhura u materializuan në pasuri të luajtshme apo të paluajtshme brenda vitit 2004 (lokali në vitin 2001 dhe pajisjet në lokal, pagesat e apartamentit në Tiranë në vitin 2004)”, vëren Shuli. 

Ajo shton se subjekti ka paraqitur prova shkresore të përpiluara në kohë reale, të cilat vërtetojnë që një pjesë e të ardhurave i janë dhënë hua disa shtetasve, të cilët ia kanë kthyer asaj dhe bashkëshortit gjatë periudhës që ata kanë qenë në emigracion ose menjëherë pas kthimit nga emigracioni. 

Duke ju referuar periudhës kur subjekti dhe bashkëshorti kanë emigruar dhe ndryshimeve sociale në atë periudhë, përfshi informalitetin dhe nivelin e lartë të remitancave, Shuli e cilëson të besueshme Bushin në deklarimet e saj se pjesa më e të ardhurave të fituara në Itali, me të cilat janë blerë pasuritë në Shqipëri, janë dërguar me transferta bankare ose cash kur vinin për vizitë – vlera që janë ruajtur nga babai i saj. 

Shuli mbështet pretendimin e subjektit se këto të ardhura janë realizuar shumë kohë para rifillimit të detyrës si prokurore dhe shumë kohë para miratimit dhe hyrjes në fuqi të paketës kushtetuese të Reformës në Drejtësi. 

Në vijim, pakica e vlerëson të padrejtë moskonsiderimin nga shumica të deklaratave noteriale të paraqitura nga subjekti në parashtrimet e veta, pasi u çmua se nuk ishin bindëse se ishin realizuar gjatë procesit të rivlerësimit. 

“Në vlerësimin tim, në kushtet kur subjekti nuk ka qenë subjekt deklarues gjatë periudhës së emigrimit, deklaratat noteriale dhe çdo provë e paraqitur gjatë procesit që ka lidhje me këtë periudhë, nuk mund të anashkalohen duke u konsideruar si të paraqitura vetëm për efekt të procesit të Vettingut, përkundrazi duhet të analizohen me kujdes në raport me të gjitha provat e rrethanat e evidentuara gjatë hetimit administrativ”, arsyeton Shuli. 

Ajo thekson se është vërtetuar që të ardhurat nga emigracioni janë përdorur për krijimin e pasurive, pasi subjekti është larguar nga detyra e prokurores për të shkuar në emigracion dhe përpara se ajo të riemërohej prokurore në vitin 2012. Sipas Shulit, pas këtij momenti nuk rezulton që Bushi të ketë krijuar pasuri apo të ketë deklaruar likuiditete me burim nga emigracioni, ç’ka heq dyshimet për deklarim të ardhurash nga emigracioni me qëllim justifikimin e pasurive të krijuara gjatë detyrës si prokurore. 

“[…]Në vlerësimin tim nuk ka dyshime për abuzim me burimin të ardhurat nga emigracioni në funksion të deklarimit për efekt të ligjit nr. 84/2016, dhe jo vetëm. Ky fakt, sipas meje, përbën edhe diferencën e subjektit Bushi me disa subjekte të tjera rivlerësimi, të cilat janë penalizuar për shkak të mosvërtetimit të të ardhurave të ligjshme nga emigracioni”, shprehet Shuli dhe e cilëson blancin negativ për periudhën në detyrë në shumën 452 mijë lekë të pamjuaftueshëm për të sjellë penalizim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *