Prokurori i Vlorës, Hyrjet Lamaj pas seancës dëgjimore, Foto: Vladimir Karaj.
Analiza KPK Veting

Argumentet e KPK për shkarkimin e prokurorit Hyrjet Lamaj

Prokurori i Vlorës Hyrjet Lamaj i përmbysi barrat e provës që i’u kaluan nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK për tre prona, por një apartament dhuruar prej vëllait u konsiderua se kishte qenë pasuri e tij prej fillimit, duke sjellë penalizim.

Ndërkohë, KPK nuk gjeti probleme domethënëse në kriterin e figurës dhe profesionalizmit.

Lamaj u shkarkua më 26 maj 2023 nga trupa e KPK e kryesuar nga Genta Tafa Bungo, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Lulzim Hamitajn.

Ai e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore në vitin 2002. Në 2005-ën u emërua si prokuror në Vlorë.

Përmbysja e barrës së provës

Lamaj ka shënuar në deklaratën “veting” blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 58.6 m2 në Vlorë në vitin 2002 për çmimin 2.9 milionë lekë dhe të shitur në 2007-ën për 3.5 milionë lekë. Ai ka sqaruar se kjo pasuri është krijuar para fillimit të detyrës dhe me burim dhuratë nga prindërit për martesë.

Lidhur me mundësinë e prindërve për të kusyer dhe dhuruar shumën 2.9 milionë lekë, subjekti ka shpjeguar se ata jetonin së bashku deri në momentin e lidhjes së martesës de facto me bashkëshorten, në korrik të 2002-it. Lamaj ka deklaruar se për krijimin e të ardhurave familjare, veç pagës së tij kanë shërbyer edhe tё ardhurat nga toka bujqësore dhe blegtoria, si dhe të gjitha burimet e të ardhurave.

Komisioni ka konstatuar fillimisht se Lamaj nuk ka provuar në ndonjë formë të dokumentuar shumën e të ardhurave të përfituara nga aktiviteti bujqësor e blegtoral i prindërve të tij, si dhe mundësitë e tyre financiare për të dhuruar shumën prej 2.9 milionë lekësh. Por, ps dorëzimit të provave dhe shpjegimeve të reja, KPK është bindur. Duke mbajtur në konsideratë edhe faktin se kjo pasuri është krijuar para fillimit të detyrës, Komisioni çmon se është përmbysyr barra e provës.

Lamaj ka qenë bindës edhe për transaksionet e kryera me një apartament me sipërfaqe 125 m2 në Vlorë të blerë në shkurt të 2007 në vlerën 3.4 milionë lekë, si dhe shitjen e apartamentit të mëparshëm pak ditë më parë për çmimin 3.5 milionë lekë.

Si burim krijimi të apartamentit në vitin 2007, Lamaj ka deklaruar se ka parapaguar para blerjes në formën e kaparit shumën 2.4 milionë lekë, të marrrë hua nga bashkëshortja prej familjarëve të saj. Si burim për pjesën tjetër të çmimit ka deklaruar 600 mijë lekë nga një depozitë dhe 400 mijë lekë nga gjendja cash e arkëtuar nga shitja e apartamentit të mëparshëm.

Për të vërtetuar mundësinë e prindërve të bashkëshortes për dhënien e huasë, subjekti ka depozituar dokumentacion për shitjen e një pasurie prej tyre në vitin 1997 në shumën 5 milionë lekë, kohë kur kanë regjistruar dhe një aktivitet privat.

Fillimisht KPK ka vlerësuar se dokumentacioni i paraqitur nga subjekti nuk provonte të ardhura të krijuara apo të kursyera nga vjehrri subjektit deri në vitin 2007, kur pretendohej se ishte dhënë huaja. Po ashtu, Lamaj është pyetur lidhur me trajtimin preferencial në çmimin e blerjes së apartamentit.

Komisioni e ka përgatitur analizën financiare paraprake për krijimin e kësaj pasurie në dy variante. Në të parin është marrë në konsideratë se çmimi i blerjes së apartamentit me sipërfaqe 125 m2 dhe çmimi i shitjes së apartamentit me sipërfaqe 58.6 m2 janë sipas kontratave të shitblerjes dhe nuk është marrë në konsideratë si burim huaja nga familjarët në shumën 2.4 milionë lekë e shtuar si burim gjatë hetimit administrativ, prej nga ka rezultuar bilanc negativ në shumën 2.2 milionë lekë.

Në variantin e dytë është marrë në konsideratë se çmimi i blerjes së apartamentit me sipërfaqe 125 m2 është në vlerën 6.1 milionë lekë sipas referencave të Entit Kombëtar të Banesave dhe se ai i shitjes së apartamentit me sipërfaqe 58.6 m2 do të ishte në vlerën 2 milion e 990 mijë lekë, sipas shumës së transferuar në bankë. Edhe në këtë rast nuk është marrë në konsideratë si burim huaja nga familjarët në shumën 2.4 milionë lekë, duke ka rezultuar pamundësi në shumën rreth 5.4 milionë lekë.

Për të vërtetuar se vlera e blerjes së apartamentit ka qenë çmimi i drejtë i vendosur nga shoqëria ndërtuese dhe jo preferencial, subjekti ka vendosur në dispozicion të Komisionit 5 kopje të ndryshme kontratash shitblerjeje me palë të tjera, në të cilat çmimi i blerjes ka qenë i njëjtë. Po ashtu, ka sqaruar se apartamenti nuk ishte një i tërë, por përbëhej nga dy pjesë – njëra prej të cilave garsonier.

Ai ka ritheksuar faktin se huaja ishte marrë për një kohë të shkurtër nga bashkëshortja tek familjarët e saj, pasi prisnin që të shisnin apartamentin që zotëronte. Subjekti ka sjellë në vëmendje faktin se vjehrri ka pasur një gjendje llogarie të hershme në bankë, një pjesë e së cilës është tërhequr gjatë vitit 2007, ndërsa pjesa tjetër në 2009-ën. Sipas tij, kjo e dhënë tregon se huadhënësi ka pasur mundësi financiare dhe nuk ka pasur nevojë për tërheqje të menjëhershme të shumës 2.4 milionë lekë të dhënë borxh.

Subjekti ka këmbëngulur se mundësia financiare e vjehrrit për të disponuar shumën prej 2.4 milionë lekësh ka ekzistuar që në vitin 1995 kur ka shitur një pronë dhe ka vazhduar me të ardhurat e realizuara nga ushtrimi i aktivitetit tregtar.

Këto shpjegime dhe provat e Lamajt janë gjetur të besueshme për Komisionin që ka çmuar se subjekti e ka përmbysur barrën e provës.

Po ashtu, Lamaj e ka bindur Komisionin edhe për burimet e një apartamenti me sipërfaqe 70 m2 dhe garazhi me sipërfaqe 28.8 m2 në Vlorë, të blerë në qershor të vitit 2012 kundrejt vlerës totale 4 milionë e 778 mijë lekë. Ai ka deklaruar se në mars të atij viti ka shitur dy pjesët e apartamentit 125 m2, përkatësisht në shumat 2 milionë e 659 mijë lekë dhe 4 milionë lekë. Pjesën me të madhe të banesës ia ka shitur të vëllait, shtetasit M.L.

Në analizën paraprake nuk janë përfshirë të ardhurat nga shitja e pjesës së apartamentit në shumën 4 milionë lekë pasi i është kërkuar subjektit të provojë mundësinë financiare të vëllait. Por, provat e paraqitura nga Lamaj janë gjetur sërish bindëse nga KPK që në fund ka nxjerrë bilanc pozitiv për krijimin e kësaj pasurie.

Dyshimet për fshehje

Lamaj ka deklaruar një apartament me sipërfaqe 94 m2 në Vlorë, pasuri për të cilën ka shpjeguar se ka qenë e prindërve të tij, që ishte blerë nga vëllezërit e motra dhe e regjistruar në emër vetëm të vëllait M. L.. Subjekti e ka përfituar këtë pasuri me anë të dhurimit nga i vëllai M.L. dhe bashkëshortja e këtij të fundit, në korrik të vitit 2015. Ai ka deklaruar se kjo banesë ndodhet ngjitur me apartamntin e tij me sipërfaqe 70 m2 dhe se aktualisht i ka bashkuar në një banesë të vetme.

Nga hetimi i Komisionit ka rezultuar se vëllai i subjektit e ka blerë këtë apartament në vitin 2012 dhe në vitin 2015 ia ka dhuruar prokurorit Lamaj pa asnjë lloj shpërblimi. Në kontratën e dhurimit është cituar se, megjithëse apartamenti ishte në emër të njërit prej vëllezërve, ai është investim i të dy vëllezërve të subjektit dhe i motrës së tyre. Po ashtu, është sqaruar se dhurimi kryhej për shkak të kontributit që subjekti dhe bashkëshortja e tij kishin dhënë dhe jepnin ndaj prindërve të tyre.

Por, nga hetimi Komisionit ka rezultuar se prokurori Lamaj ka kryer pagesa të ujit dhe energjisë që prej vitit 2012 për një apartament të tipit 3+1, që i referohen përkatësisht apartamentit me sipërfaqe 70 m2 të blerë nga subjekti dhe i dyti apartamenti që i është dhuruar nga vëllai.

Në kërkimet në sistemin TIMS ka rezultuar se vëllai i Lamajt nuk ka qenë në Shqipëri në datën e nënshkrimit të kontratës së shitblerjes më 19 qershor të vitit 2012, ndërkohë që është ndodhur në datën e nënshkrimit të kontratës së dhurimit.

I pyetur për të ardhurat e vëllait, subjekti ka shpjeguar se ai është larguar në vitin 2000 në Itali ku fillimisht ka punuar në ndërtim, pastaj kur është pajisur me leje ka ushtruar në profesionin e tij si infermier. Sipas dokumentacionit të dorëzuar për periudhën 2002-2012, vëllai i subjektit ka realizuar të ardhura në shumën rreth 236 mijë euro.

Megjithëse i vëllai ka rezultuar me të ardhura të konsiderueshme, është konstatuar se në atë periudhë ai ka investuar dhe pasuri të tjera. Nga analiza e gjithë investimeve të kryera, i vëllai ka rezultuar në pamundësi në shumën 44 mijë e 552 euro.

Trupi gjykues, vlerëson se nuk mund të bëjë analizën e burimeve të vëllait të subjektit në mënyrë të veçuar dhe mbështetur vetëm në pasurinë që është objekt i dhurimit. “[…]Pasi në tërësi situata e krijuar në vitin 2012 mbart në vetvete dyshime dhe se këto pasuri janë krijuar thuajse në të njëjtën periudhë kohore, ndaj një analizë e shkëputur nuk do të pasqyronte situatën reale dhe nuk do t’u jepte përgjigje dyshimeve të Komisionit lidhur me këtë pasuri”, argumenton KPK.

Në vijim Komisioni rithekson se apartamenti është blerë në emër të vëllait të subjektit kur ai nuk ka qenë në Shqipëri, si dhe rezulton që ky transaksion të jetë kryer një ditë pas blerjes nga prokurori Lamaj të apartamentit që ai e ka bashkuar në një banesë të vetme. Ndërkohë, veprimet për regjistrimin e apartamentit të dhuruar janë kryer nga bashkëshortja e subjektit të rivlerësimit.

Bazuar në këto dhëna Komisioni ka ngritur dyshime se subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e fshehjes së pasurisë. “[…]Pasi nga hetimet duket sikur kjo pasuri është krijuar që prej fillimit nga vetë subjekti i rivlerësimit”, ka vlerësuar KPK dhe i ka kaluar prokurorit Hyrjet Lamaj barrë prove për të vërtetuar të kundërtën e rezultateve të hetimit administrativ.

Subjekti u ka qëndruar shpjegimeve se kjo pasuri ka qenë banesë e prindërve e blerë nga vëllezërit dhe motra. Ai ka pretenduar se kanë vendosur që dhe ai të blinte një apartament ngjitur me atë të prindërve, me qëllim që të kujdesej në mënyrë të vazhdueshme për ta.

Këto shpjegime të subjektit nuk janë gjetur bindëse nga trupa e KPK që ka arritur në përfundim se apartamenti i dhuruar nga vëllai, ka qenë pasuri e krijuar prej fillimit nga prokurori Lamaj.

“[…]Lidhja e kontratës së shitblerjes në vitin 2012, regjistrimi i saj në emër të subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshortes në vitin 2015 dhe jo në emër të prindërve, si dhe pamundësia financiare e vëllait të subjektit të rivlerësimit për krijimin e një sërë pasurish të paluajtshme në të njëjtën periudhë përafërsisht, krijuan bindjen se apartamenti me sipërfaqe 94 m2 , […], është pasuri e subjektit të rivlerësimit, e se ai ndodhet në kushtet e nenit D pika 5 të Aneksit të Kushtetututës”, citohet në vendim.

KPK konstaton bilanc negativ për blerjen e një automjeti në vitin 2012 si dhe vlerëson se subjekti ka deklaruar çmim jo real për blerjen e një makine tjetër në vitin 2013, pasi ka patur mungesë të burimeve financiare.

Në përfundim Komisioni vlerëson se Lamaj ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë dhe ka vendosur shkarkimin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *