Gjyqtari Markelian Koça pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

Gjyqtari Markelian Koça përballet me vetingun

Gjyqtari Markelian Koça i Gjykatës së Durrësit u përballet të hënën më 21 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për barrën e provës për një apartament të blerë nga familja e origjinës në vitin 1999, pasuri që ai e ka përdorur deri në krijimin e familjes së tij, për një automjet si dhe një çështje të gjykuar prej tij.

Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Markelian Koça e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si ndihmësgjyqtar në vitin 1995 dhe prej vitit 2000 ai e ushtron funksionin si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Komisioni nuk ka gjetur probleme për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 130 m2 në Durrës në vitin 2016 për vlerën 75 mijë euro, paguar me kursimet e tij dhe të bashkëshortes, përkatësisht në shumat 14 mijë euro dhe 21 mijë euro, si dhe të një kredie 40 mijë euro.

Ndërkohë, KPK ka konstatuar balancë negative në shumën 291 mijë lekë për blerjen e një automjeti në vitin 2008, me burime krijimi të deklaruara kursimet e tij dhe të familjes së origjinës. Pine konstatoi mospërputhje dhe në çmimin e deklaruar në vitin 2003 në shumën 500 mijë lekë, me atë në deklaratën “veting” në vlerën 470 mijë lekë.

Gjyqtari Koça e cilësoi mospërputhjen në deklarimin e vlerës së automjetit si një gabim material të tijin. Ndërkohë, ai pretendoi se kishte pasur mundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie me kursimet nga të ardhurat nga pagat e tij, që ishin administruar nga nëna e tij. Koça tha se familja e tij e ka pasur mundësinë për krijimin e kësaj shume.

“Makina është pasuria ime e parë. Kam filluar punë si ndihmësgjyqtar në vitin 1995 dhe si gjyqtar në vitin 2000. Unë nuk kam deklaruar kursime, por kjo nuk do të thotë se nëna nuk mund të kishte kursyer,” vërejti ai dhe theksoi se në atë periudhë jetonte me prindërit dhe një pjesë e të ardhurave të tij administroheshin nga ata.

Po ashtu, Koça pohoi se kjo ishte e vetmja balancë negative e konstatuar gjatë gjithë periudhës së rivlerësimit, 2003-2016.

Komisioni i ka kaluar subjektit barrë prove për të vërtetuar ligjshmërinë e burimeve financiare të një apartamenti të porosituar nga babai i tij në vitin 1999, banesë që është përdorur prej gjyqtarit Koça deri në krijimin e familjes së tij. Po ashtu, iu evidentua se kjo pasuri nuk ishte pasqyruar në deklaratën “veting”.

Lidhur me këtë pasuri, Koça sqaroi se kishte hequr dorë nga e drejta e trashëgimisë ligjore. Ai pretendoi se nuk e kishte shënuar këtë apartament në deklaratën “veting”, pasi nuk kishte asnjë lloj të drejte mbi të. Koça vërejti se këtë pasuri nuk e kishte shmangur nga kontrolli pasi e kishte deklaruar prej vitit 2003 e në vijim.

Ai shpjegoi se kishte jetuar në atë apartament disa vite me prindëri dhe pretendoi se ishte vetëm përdorim i pasurisë dhe jo huapërdorje, e për rrjedhojë nuk i lindnin të drejta. Sipas Koçës, nuk bëhej fjalë as për pasuri të dhuruar dhe në kushtet që kishte hequr dorë nga pjesa e trashëgimisë ligjore, nuk mund t’i kalohej barrë prove për të vërtetuar burimet e krijimit të kësaj pasurie. Koça i bazoi argumentet e tij në jurispudencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Pavarësisht këtij qëndrimi, ai tha se familja e origjinës kishte pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme për të blerë në vitin 1999 apartamentin në Durrës kundrejt shumës rreth 25,400 USD. Ai vërejti se kishte dorëzuar si prova mandat pagesat për likujdimin e këtij apartamenti të prindërve si dhe dokumentacion për të ardhurat e tyre dhe të vëllait emigrant në Itali.

Koça theksoi se kishte vendosur në dispozicion të Komisionit dokumentacion ligjor që vërtetonte punësimin e vëllait në Itali për periudhën 1996-2000 dhe të ardhurat e tij. Sipas subjektit, vëllai ka pasur mundësi që të kursente shumën 4.5 milionë lekë.

Ai shtoi se prindërit kishin përdorur si burim për këtë pasuri edhe të ardhurat e përfituara nga shitja e shtëpisë së vjetër në shumën 1.4 milionë lekë si dhe pagat e tyre. “Familja ime ka pasur mundësi për blerjen e këtij apartamenti,” theksoi gjyqtari.

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Kasifikuar, DSIK ka dorëzuar fillimisht raport pozitiv për gjyqtarin Koça, por në vijim i ka përcjellë Komisionit informacione ku ngriheshin dyshime se subjekti mund të kishte favorizuar një palë ndërgjyqëse.

Pine vërejti se nga verifikimi i çështjes në fjalë ishte konstatuar se subjekti kishte pushuar çështjen për shkak të mosparaqitjes në gjykim të palës paditëse dhe se vendimarrja e tij kishte marrë formë të prerë. “Nuk vërtetohen informacionet e DSIK-së”, pohoi relatorja Pine.

KPK nuk ka gjetur probleme në tre dosjet e dorëzuara nga subjekti dhe në pesë të shortuarat. Ndërkohë, Koçës iu kërkuan shpjegime për një çështje të denoncuar nga publiku lidhur me dyshimet për favorizimin e sekretarit të tij, shtetasit G.Gj si palë në gjykim.

Gjyqtari Koça shpjegoi se kishte vlerëuar se në këtë çështje nuk ishte gjendur në kushtet e heqjes dorë, as sipas kritereve të përcaktuara në legjislacion, as në ato të paparashikuara për konfliktin në dukje të interesit.

Subjekti shpjegoi se nuk ka nxjerrë asnjë dokument në lidhje me shtetasin G.Gj., pasi nuk ka qenë kryetar i gjykatës në periudhën kur ai person është emëruar apo larguar nga detyra. Sipas Koçës, kur ishte regjistruar çështja me palë shtetasin G.Gj, ky i fundit nuk punonte më në gjykatë. Po ashtu, subjekti theksoi se G.Gj. nuk kishte qenë sekretar gjyqësor i asnjë çështje që kishte shqyrtuar dhe se nuk kishin pasur miqësi. “Vërtetoj se nuk ka pasur marrëdhënie varësie me këtë shtetas,” deklaroi ai.

Në përfundim, gjyqtari Markelian Koça kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 22 nëntor, në orën 13:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *