Gjyqtari Pëllumb Zaimi pas seancës në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

Gjyqtari Pëllumb Zaimi jep shpjegime për gjykimet në ‘konflikt interesi në dukje’

Gjyqtari Pëllumb Zaimi i Gjykatës së Beratit u përball të premten më 14 tetor 2022 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore u evidentuan balanca negative për kursimet në dy vite, të cilat ai i cilësoi si modeste dhe të pamjaftueshme për të sjellë penalizim.

Gjithashtu, në seancë u relatuan raste të konfliktit të interesit në dukje në shqyrtimin e disa çështjeve, gjetje të cilat u kundërshtuan nga subjekti. Një raport i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK për dyshime për veprime korruptive u relatuan prej Komisionit në gjetjet e kriterit profesional, por nuk u evidentuan probleme.

Procesi i vetingut për gjyqtarin Zaimi po kryhet nga trupa e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Relatorja Bekteshi sqaroi në fillim të seancës së gjyqtari Pëllumb Zaimi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 në Skrapar dhe pas mbylljes së asaj gjykate vitin 2007, u emërua në 2008-ën në Gjykatën e Beratit, ku dhe e ushtron aktualisht detyrën.

Gjetjet për pasurinë

Për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 86 m2 në vlerën 48 mijë e 700 euro, gjyqtari Zaimi ka deklaruar si burim të ardhurat e familjes nga puna të kursyera në vite dhe nga shitja e një apartamenti në Çorovodë. Sipas Bekteshit, nga verifikimi dokumentacionit ka rezultuar se kjo pasuri është porositur në vitin 2007 dhe blerja është realizuar në 2016-ën.

Në seancë u evidentua se Zaimi nuk e ka deklaruar në 2007-ën porositjen e apartamentit, gjetje për të cilën ai deklaroi se kishte qenë një harresë dhe se ishte korrigjuar me deklarimin e vitit 2008.

Komisioni konstaton se subjekti rezulton me balanca negative në dy vite për kursimet e deklaruar, që më pas kanë shërbyer për të paguar një pjesë të çmimit të apartamentit. Ndërkohë, ka rezultuar i saktë deklarimi për shlyerjen e këstit të fundit në shumën 11 mijë e 700 euro në vitin 2016, me të ardhurat nga shitja e apartamentit në Çorovodë po atë vit, për vlerën 2.7 milionë lekë. Si pasojë e balancave negative për kursimet, ka rezultuar pamundësi për blerjen e apartamentit në shumën totale 649 mijë lekë.

Në të ardhurat e analizuara nuk janë përfshirë kontributet e vajzës së subjektit në blerjen e kësaj pasurie, të krijuara me dhurimet që i janë bërë ndër vite.

KPK nuk ka gjetur probleme në blerjen e një automjeti në vitin 2010 për çmimin 200 mijë lekë; një gjendje në llogarinë rrjedhëse të krijuar nga të ardhurat prej pagesës dhe pjesës së mbetur së vlerës së shtëpisë së shitur në 2016-ën dhe për një llogari rrjedhëse në emër të vajzës së gjyqtarit Zaimi.

Nga hetimi ka rezultuar se subjekti ka qenë bashkëpronar me pjesë takuese 1/6 në një apartament të përfituar nga familja nëpërmjet privatizimit, por subjekti ka vërtetuar me anë të një deklarate noteriale të vitit 2006, se ka hequr dorë nga pjesa e tij. Në seancë nuk u vërejtën probleme për këtë pasuri.

Gjyqtari Pëllumb Zaimi u shpreh se nuk kishte ndonjë kundërshtim me metodologjinë e përdorur nga Komisioni për analizimin e pasurisë së familjes së tij. Balancat negative në vitet 2005 dhe 2008 i konsideroi modeste krahasuar me periudhën e ushtrimit të detyrës. Ndërkohë, ai konsideroi jo të sakta përllogaritjet e pagave të tij dhe të bashkëshortes, duke kërkuar që të përfshiheshin në analizë edhe shërbimet dhe dietat ushqimore. “Nëse Komisioni do t’i marrë parasysh, përmbysen balancat negative,” pretendoi ai.

Bekteshi vërejti se në vitin 1994, janë dorëzuar për blerje aksionesh në shoqërinë Albtelecom bono privatizimi me vlerë 75 mijë lekë, pasi bashkëshortja e subjektit ka qenë punonjëse e kësaj shoqërie kur është kryer privatizimi.

Ndërkohë, ka rezultuar se Zaimi ka shqyrtuar rreth 19 çështje ku palë ka qenë shoqëria Albtelecom. “Duket se subjekti i rivlerësimit ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit për shkak se ka shqyrtuar çështje ku palë në proces ka qenë kompania ku ka qenë aksioner,” vërejti Bekteshi.

Subjekti u shpreh se nuk ka qenë në dijeni për zotërimin e aksioneve në shoqërinë Albtelecom dhe se nuk kishte përfituar asnjëherë likujditete. Po ashtu, ai theksoi se vlera e aksioneve është e papërfillshme. Sipas Zaimit, të gjitha vendimet që ai kishte dhënë për çështjet ku palë kishte qenë shoqëria Albtelecom, ishin lënë në fuqi nga gjykatat e shkallëve më të larta.

Figura dhe profesionalizmi

DSIK ka dorëzuar fillimisht raport pozitiv për Zaimin, ndërsa në vijim ka ngritur dyshime për veprime korruptive dhe ka konstatuar papërshtatshmëri të subjektit për të vazhduar detyrën. Bekteshi sqaroi se DSIK e ka përcjellë informacionin pranë ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda, por kallëzimi është dërguar për kompetencë në Prokurorinë e Fierit, që ka vendosur mosfillimin e çështjes.

Komisioni i trajtoi çështjet e referuara prej DSIK-së në aspektin profesional, por megjithatë nuk u relatuan probleme.

Zaimi deklaroi se vetë raportet e DSIK-së kundërshtonin njëra-tjetrën. Subjekti tha se ndjehej i indinjuar për raportin e dytë dhe e konsideroi atë plotësisht të pavërtetë. “Kam qenë i drejtë dhe profesional. Asnjëherë nuk jam intimiduar dhe prandaj gëzoj respektin e qytetarëve dhe të kolegëve,” deklaroi Zaimi.

Bekteshi konstatoi se gjatë periudhës së rivlerësimit profesional, 2013-2016 ka rezultuar se ndaj subjektit janë kryer dy ankesa, një prej të cilave është arkivuar, ndërsa për tjetrën është vendosur mosfillimi. Nga verifikimi ka rezultuar se ndaj Zaimit nuk ka pasur ndonjë masë apo procedim disiplinor gjatë karrierës së tij.

Kundër gjyqtarit Zaimi janë depozituar 21 denoncime në KPK. Bekteshi sqaroi se pesë prej denoncuesve i kanë përsëritur nga tre herë ankesat e tyre.

Në një prej denoncimeve nga publiku është pretenduar se gjyqtari Zaimi ka paraqitur komunikim jashtë etikës së gjyqtarit. Bekteshi evidentoi se nga dëgjesa e regjistrimit audio të seancës dukej se komunikimi i subjektit ishte jashtë etikës.

I pyetur nga kryesuesja Shuli lidhur me këtë gjetje, Zaimi shpjegoi nëpërmjet përfaqësuesit të tij ligjor se subjekti nuk u ishte drejtuar palëve apo personave në sallë. Ai shtoi se personi që kishte bërë denoncimin nuk kishte qenë pjesë e procesit. Ndërkohë, Zaimi deklaroi se kishte shfletuar fjalorin për të gjetur kuptimin e fjalës “kamare” të përdorur prej tij dhe pretendoi se përdorimi i kësaj fjale nuk shkaktonte fyerje. Ai këmbënguli se nuk kishte pasur komunikim jashtë etikës.

Bekteshi evidentoi një çështje të shqyrtuar prej Zaimit, ku rezultonte që të kishte qenë pjesë e procesit edhe ASHK-ja Berat, kur ky institucion drejtohej prej vajzës së tij. Subjekti vërejti se nuk e kishte thirrur ndonjëherë ASHK-në si palë në proces dhe se ky institucion kishte qenë në cilësinë e personit të tretë.

“Palët në proces e dinin se vajza ime ishte drejtoreshë në atë institucion dhe nuk kanë ngritur pretendime për konflikt interesi. E ka ngritur vetëm denoncuesi A.D. pasi iu rrëzua padia,” shpjegoi Zaimi dhe vërejti se denoncimet ndaj tij ishin kryer nga personat që kishin humbur gjyqet, pas përfundimit të proceseve.

Ashtu si për pasurinë, ai u shpreh dakord edhe me konstatimet e Komisionit në kriterin profesional.

Në përfundim të seancës, gjyqtari Zaimi vlerësoi punën e KPK-së dhe shprehu besim se rivlerësimi ndaj tij do të ishte objektiv. Ai kërkoi konfirmimin në detyrë, duke shpjeguar se pas një viti e disa muajve mbushte moshën e pensionit.

KPK u tërhoq për vendim që u njoftua se do të shpallet më datë 18 tetor, në orën 09:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *