Gjyqtari Albert Spiro pas seancës dëgjimore në KPK.
Analiza KPA Veting

Ish-gjyqtari Albert Spiro dështoi të përmbyste plotësisht barrën e provës në KPA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA i rrëzoi si të pabazuar disa prej konkluzioneve të arritura nga Komisioni për pasuritë e ish-gjyqtarit të Vlorës, Albert Spiro, megjithatë, pamundësia financiare që mbeti pas rishikimeve të analizës financiare, u gjet penalizuese për këtë subjekt rivlerësimi.

Spiro u shkarkua prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 12 korrik të vitit 2021 pasi u gjet në pamundësi financiare në vlera të mëdha për justifikimin e pasurive të tij. Ndërkohë, ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, si dhe nuk u gjetën probleme për profesionalizmin.

Nga hetimi administrativ u konstatua se Spiro kishte kryer deklarime jo të sakta të likuiditeteve cash në deklaratën veting, si dhe rezultoi me balanca negative në blerjen e një apartamenti + garazh në Vlorë; të një apartamenti + dy garazhe në Tiranë dhe të një makine.

Sipas Komisionit, ish-gjyqtari i Vlorës, Albert Spiro nuk provoi dot marrjen e një huaje 50 mijë euro për blerjen e pasurive në kryeqytet, si dhe as mundësinë e huadhënësve në momentin e transaksionit. Kësaj balance negative i’u bashkuan edhe pamundësitë financiare të konstatuara në burimet e pasurive të tjera për shkak të pasaktësive në deklarimeve, që në total u çmuan në vlerën 10.2 milionë lekë.

Spiro e apeloi vendimin, por trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga gjyqtari Sokol Çomo, me relatore Ina Rama dhe anëtare Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Natasha Mulaj, e gjeti të drejtë shkarkimin. Megjithatë KPA u nda në mendime të ndryshme për disa gjetje. Shumica i vlerësoi të drejta disa pretendime të subjektit duke e reduktuar bilancin negativ, ndërsa pakica çmoi se duhej lënë në fuqi bilanci i gjetur prej Komisionit.

Albert Spiro e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 si gjyqtar në Gjykatën e Tepelenës. Prej vitit 2006 dhe deri në shkarkimin nga detyra, ai ushtroi funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë.

Vlerësimi i pasurive

Ish-gjyqtari Spiro ka blerë një apartament dhe dy garazhe në Tiranë për vlerën 68 mijë euro. Si burime krijimi ka deklaruar huamarrje në vlerën 50 mijë euro dhe 18 mijë euro nga kursimet familjare. Subjekti ka deklaruar se për shkak të marrëdhënieve të posaçme me huadhënësin, fillimisht akti i marrjes së huasë i vitit 2011, nuk ka qenë i formalizuar me akt noterial, ndërsa me kontratë noteriale të vitit 2015 është pranuar shlyerja e shumës 15 mijë euro dhe është lidhur kontrata e huasë për vlerën 35 mijë euro, me afat deri në 2026-ën. Si burim të krijimit të shumës së huasë, subjekti ka deklaruar të ardhurat e huadhënësit nga një kontratë qiraje me një bankë, si dhe nga aktiviteti privat furrë buke dhe prodhime brumërash nga viti 2003 e në vazhdim.

Komisioni arsyetoi se subjekti i rivlerësimit nuk shpjegoi bindshëm burimin e krijimit të të ardhurave, si dhe se huadhënësi nuk ka pasur burime të mjaftueshme për dhënien e vlerës 50 mijë euro.

Spiro ka kundërshtuar si të pabazuar konkluzionin e Komisionit duke kërkuar që vlera e huas të konsiderohet me të ardhura të ligjshme dhe të përfshihet në analizën financiare. Ai ka pretenduar se përfundimi për huadhënësin se ai nuk ka pasur burime të mjaftueshme për dhënien e vlerës 50 mijë euro, është i pabazuar në provat e administruara. Subjekti ka argumentuar se qëllimi i hetimit për personat e tjerë të lidhur është vetëm pasuria që afekton huadhënien.

Ndryshe nga KPK, Kolegji ka vlerësuar se të dhënat e administruara për të ardhurat e huadhënësit, krijojnë bindjen se ndërsa ai ka pasur të ardhura të ligjshme për krijimin e shumës 50 mijë euro, si dhe se dukej se kishte mundësi dhe burime të ligjshme për të justifikuar në një nivel të arsyeshëm edhe investimet e kryera përtej kësaj shume. Për këtë arsye huaja është konsideruar në analizën për blerjen e pasurive në kryeqytet. Por në të njëjtën kohë Kolegji e ka ngarkuar subjektin dhe për të justifikuar shlyerjen e huasë në vite. Në vendim sqarohet se këto elementë kanë ndikuar në analizën financiare të subjektit, në ndryshim nga logjika që kishte përdorur Komisioni.

Megjithëse Kolegji ka konsideruar dhe të ardhura të tjera të subjektit, ka rezultuar mungesë e burimeve të ligjshme për pagesën e këstit të fundit të kësaj pasurie në vitin 2014.

Anëtarja e trupit gjykues, Natasha Mulaj shpreh dakordësi për zgjidhjen përfundimtare të çështjes duke u lënë në fuqi shkarkimi, por nga ana tjetër paraqet mendimin paralel lidhur me arsyetimin e shumicës për sa i përket huasë në shumën 50 mijë euro, të deklaruar si burim për blerjen e apartamentit dhe garazheve në Tiranë. Mulaj çmon se shuma 50 mijë euro nuk duhet konsideruar si burim krijimi për këto pasuri, duke konfirmuar pamjaftueshmërinë financiare të konstatuar nga Komisioni në vendim.

Si burime krijimi për një apartament dhe një garazh në Vlorë, pasuri të blera në vitin 2008 kundrejt çmimit 6.5 milionë lekë, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga shitja e një apartamenti të mëparshëm në Gjirokastër në shumën 6.2 milionë lekë dhe kursime familjare nga pagat. Komisioni arsyetoi se ishin bërë deklarime jo të sakta dhe jo në përputhje me ligjin dhe Spiro ishte në mungesë të burimeve të ligjshme për financimin e apartamentit dhe garazhit në Vlorë. Ai ka rezultuar pamundësi në shumën 272 mijë lekë për pagesën e këstit të dytë dhe bilanc negativ prej 700 mijë lekësh për këstin e tretë.

Subjekti ka kundërshtuar si të pabazuara konkluzionet e Komisionit duke pretenduar se kontrata e shitjes apartamentit në Gjirokastër është hartuar me çmimin e referencës së shitjes së pasurisë së paluajtshme të zonës dhe është paraprirë nga kontrata e kaparit. Sipas tij, këto akte tregojnë mungesë qëllimi për fshehjen e vlerës së përfituar dhe për shmangien e detyrimeve tatimore. Spiro ka nënvizuar se diferenca mes çmimit në kontratën e kaparit me atë të shitjes ka ardhur pasi apartamenti është shitur së bashku me mobilimin dhe pajisjet elektoshtëpiake. Po ashtu, ka pretenduar se ka provuar që ka shlyer një vlerë tatimore më të lartë se parashikimet ligjore të kohës për shitjen e pasurisë së paluajtshme apartament.

Lidhur me këstin e dytë, subjekti ka pretenduar se duke provuar ligjshmërinë e të ardhurave totale nga shitja e apartamentit në Gjirokastër, ka provuar edhe ligjshmërinë e pagesës. Për pagesën e këstit të fundit në vitin në vitin 2011 në shumën prej 700 mijë lekësh, subjekti ka pretenduar ka shërbyer pakësimi i gjendjes cash i padeklaruar atëherë për pakujdesi apo keqinterpretim të rubrikave të deklaratës. Subjekti ka sjellë në vëmendje se e ka deklaruar para ILDKPKI-së në vitin 2015, sapo pasaktësia është evidentuar nga ky institucion.

Në konkluzionin e Komisionit për këtë pasuri, trupi gjykues i KPA konstaton gabime materiale në pasqyrimin e bazës ligjore ku mbështetet përfundimi. “Në përfundimet lidhur me secilin prej tri kësteve të paguar për krijimin e kësaj pasurie, Komisioni në asnjë rast nuk konkludon për deklarime të pasakta të subjektit të rivlerësimit e për rrjedhojë, ky përfundim i pasqyruar në vlerësimin tërësor të kriterit të pasurisë nuk vjen në unitet me sa analizuar dhe konkluduar më lart në vendim lidhur me këtë pasuri”, konstaton KPA.

Megjithatë, Kolegji ashtu si dhe KPK, konstaton pamundësi për shlyerjen e këstit të dytë dhe të tretë të këtyre pasurive, pavarësisht se bilanci negativ total është reduktuar në masë të vogël, nga 972 mijë lekë, në 865 mijë lekë.

Ndërkohë, pakica vlerëson se subjekti ka kryer veprime fiktive gjatë procedurave të shitjes së apartamentit në Gjirokastër, pasi në kontratën e shitjes është shënuar një vlerë prej 1.7 milionë lekësh, më e ulët se ajo e përcaktuar në kontratën e kaparit, që sipas Mulajt, ka sjellë si pasojë të vetme shmangien e pagesës së detyrimit tatimor për këtë shumë.

Edhe Kolegji ka gjetur pamundësi dhe për blerjen e një automjeti të llojit “Daimler Chrysler”.

Ndërkohë janë gjetur të bazuar disa pretendime të subjektit për të ardhura e kursimet, që së bashku me konsiderimin e huasë për blerjen e pasurive në Tiranë dhe shpenzimet në vite për shlyerjen e saj, kanë sjellë ndryshim të bilancit negativ.

Nga pamundësia financiare në vlerën 10.2 milionë lekë e konkluduar në KPK për periudhën 1998-2016, prej rishikimit të analizës në Kolegj, kanë rezultuar bilance negative në vitet 2009, 2011, 2013, 2014 dhe 2016, në shumën totale prej 3 milionë lekësh – mungesë burimesh që është çmuar e mjaftueshme për të lënë në fuqi vendimin e Komisionit për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Albert Spiro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *