Komisioni konfirmon në detyrë gjyqtaren Rezarta Aliu

Lajme
Gjyqtarja e Gjykatës Administrative të Durrësit, Rezarta Aliu kaloi me sukses procesin e rivlerësimit.

Gjyqtarja Rezarta Aliu në KPK

Komisionin i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të enjten vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtres Aliu, e cila u vetua në të tre kriteret e rivlerësimit.

Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Rezarta Aliu kryesohet nga Suela Zhegu, me relatore Firdes Shulin dhe anëtare Brunilda Bekteshin.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të mërkurën, gjyqtarja Aliu dha më së shumti shpjegime lidhur me një apartament të blerë nga nëna e saj përmes një kredie të butë në vlerën e 4 milionë e 950 mijë lekëve dhe kursimeve nga të ardhurat nga bujqësia e emigracioni.

Aliu kërkoi të përjashtohej nga barra e provës për apartamentin e nënës si dhe të konfirmohej në detyrë.

Rezarta Aliu përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe punoi fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 2011, ajo u emërua gjyqtare në Gjykatën e Përmetit dhe aktualisht e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Durrësit.