Prokurori Enrik Haxhiraj duke dalë nga seanca në KPK | Foto : Edmond Hoxhaj/BIRN
KPA Lajme Veting

KPA lë në fuqi shkarkimin e Enrik Haxhiraj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të premten se kishte vendosur në dhomë këshillimi të linte në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të Prokurorit të Apelit të Vlorës Enrik Haxhiraj.

Një trupë e përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Albana Shtylla relatore, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli  se kishte rrëzuar ankimin e subjektit të rivlerësimit Enrik Haxhiraj kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të 19 janarit 2021.

“Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në germën “a”, të pikës 1, të nenit 66, të ligjit nr.84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi: 1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 339, datë 19.01.2021, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Enrik Haxhiraj”, thuhet në njoftimin e KPA.

Haxhiraj u shkarkua nga KPK për shkak se pas hetimit administrativ rezultoi se kishte pasaktësi të përsëritura në deklarimin e burimeve të krijimit të pasurive, që kanë sjellë mospërfshirjen në analizën financiare të gjendjeve cash të pretenduara prej tij gjatë hetimit administrativ. Haxhiraj ka rezultuar në pamundësi financiare për një pjesë të investimeve të kryera në një vilë në “Ujin e Ftohtë” në Vlorë, blerjen e një njësie shërbimi po në këtë qytet dhe për një apartament në Tiranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *