Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të premten më 13 dhjetor me parashtrimet në çështjen e gjyqtarit të Gjirokastrës, Arben Dosti. Në fillim të seancës publike që zgjati për afro 7 orë e gjysmë, Dosti kërkoi fillimisht pezullimin e çështjes, deri në përfundimin e një procesi gjyqësor të hapur në prej tij në një gjykatë greke ndaj një banke, pasi nuk i ka vendosur në dispozicion të dhënat që ka kërkuar.
Po ashtu, kërkoi që t’i jepet mundësia që t’i merren gjurmët e gishtave për të verifikuar në çdo shtet nëse rezulton të jetë i skeduar për ndonjë vepër penale. Kërkesën e dytë ai e kreu bazuar në pretendimet e ngritura në denoncime se kishte qenë i dënuar jashtë shtetit. Ai theksoi se këto informacione nuk janë të vërteta dhe janë përhapur në mënyrë keqdashëse prej një avokati.
Në vijim, Dosti tha se nuk i është njoftuar asnjë e dhënë nga pretendimet e ngritura nga DSIK lidhur me figurën. Sipas subjektit, ai ndihet në disfavor kundrejt Komisionerit Publik, i cili është njohur me raportin.
I pyetur nga trupi gjykues i KPA lidhur me këto kërkime të subjektit, Komisioneri Publik, Florian Ballhysa solli në vëmendje se subjekti kishte bërë kërkesë për marrjen dhe kontrollin e gjurmëve papilare edhe në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Për kërkesën për pezullim tha se do të shprehej kur të njihej me kërkesën. Megjithatë, Ballhysa tha se në përfundim e linte në çmim të gjykatës vlerësimin e të dy kërkimeve të Dostit.
Pasi u tërhoq, trupi gjykues i KPA vërejti se kërkesat e subjektit janë për hetim të mëtejshëm dhe i kërkoi që t’i paraqesë në formën ligjore. Ndërsa kërkesa për pezullimin e procesit u rrëzua si e pabazuar.
Lidhur me kërkesat për informacion të kryera nga KPK e më vonë nga KPA në Ministrinë e Drejtësisë, për komunikuar me institucionet homologe në Itali dhe Greqi, me qëllim verifikimin e gjendjes gjyqësore të Dostit atje, në seanca u tha se autoritetet italiane kishin sjellë përgjigje në të cilën thuhej se subjekti nuk figuronte i dënuar.
Megjithëse Ministria e Drejtësisë nuk kishte kthyer një përgjigje përfundimtare lidhur me korrespodencën e mbajtur me autoritetet greke, Dosti tha se kishte dorëzuar një kopje të vërtetimit të gjendjes gjyqësore në shtetin helen dhe premtoi se brenda javës që vjen do të mundet ta sjellë të pajisur me vulë apostile, në formë e kërkuar nga ligji.
KPK vendosi më 3 dhjetor 2021 të konfirmojë në detyrë gjyqtarin e Gjirokastrës, Arb en Dosti, pasi arsyetoi se kishte dhënë shpjegime të mjaftueshme për barrën e provës, lidhur me balancën financiare negative të konstatuar gjatë hetimit paraprak në shumën 36.4 milionë lekë për shkak të të ardhurave të pa dokumentuara. Subjekti pretendon se i ka kursyer këto para nga emigracioni në Greqi, nga bashkëpunimi me një shoqëri tregtare, si dhe nga shitja e një lokali në pronësi të nënës, të gjitha të përfituara para fillimit të detyrës.
Po ashtu Komisioni rrëzoi raportin negativ të DSIK-së, si dhe gjetjet për profesionalizmin nuk u konsideruan penalizuese.
Arben Dosti përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2013 dhe deri në korrik të vitit 2014 kreu stazhin pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga tetori 2015 kur u emërua si gjyqtar dhe e ushtron funksionin në Gjykatën e Rrethit Gjirokastër.
Parashtrimet
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa tha në seancë se u qëndronte gjithë shkaqeve të ankimit, duke arsyetuar se gjyqtari Arben Dosti nuk arrin nivel të besueshëm për tu konfirmuar në detyrë dhe kërkoi shkarkimin e tij.
Lidhur me ligjshmërinë e të ardhurave nga emigracioni për periudhën 1992-2000 në shumën 14 milionë lekë për të cilat Dosti ka pretenduar se janë të pa dokumentuara, KPK ka vlerësuar se subjekti gjendet në pamundësi objektive për deklarimin e tyre në shtet dhe pagesën e detyrimeve tatimore.
Ndryshe nga KPK, Komisioneri vlerëson se të ardhurat e pretenduara nga emigracioni, mbeten ne nivel deklarativ si me kohën dhe mënyrën, ashtu edhe territorin ku janë krijuar. Ballhysa tha se Dosti nuk arrin të provojë të kundërtën e barrës së provës për këto të ardhura dhe çmon se ato nuk duhen konsideruar në analizën financiare.
Për të ardhurat e pretenduara nga subjekti se janë përfituar nga bashkëpunimi i paformalizuar me një shoqëri private në shumën prej 8 milionë lekë deri në 10 milionë lekë, Komisioni ka krijuar bindjen se Dosti ka shpjeguar të vërtetën.
Edhe për këto të ardhura Ballhysa konstaton se mbeten në nivel deklarativ dhe se nuk provohet që të jenë realizuar nga një burim i ligjshëm dhe për të cilën janë paguar detyrimet përkatëse tatimore.
Për të ardhurat e pretenduara nga shitja e lokalit në Kuçovë në vlerën 12.8 milionë lekë, ka rezultuar se në kontratën e shitblerjes është shënuar çmimi 3.9 milionë lekë. Komisioni e ka vlerësuar bindës shpjegimin e Dostit se në kontratë është shënuar çmimi 3.9 milionë me kërkesë të blerësit dhe me orientim të noterit.
Ballhysa vlerëson ndryshe duke konsideruar se këto të ardhura të deklaruara nuk i përmbushin kërkesat për t’u konsideruar si burime të ligjshme.
Në përfundim të parashtrimeve në kriterin e pasurisë, Komisioneri solli në vëmendje të Kolegjit se të ardhurat e provuara me dokumentacion ligjor janë në shumën 10.2 milionë lekë, ndërsa pasuria e deklaruar nga vetë subjekti i rivlerësimit kap në total vlerën e 31 milionë lekëve.
Megjithëse gjyqtarin Arben Dosti në seancë u paraqit me avokaten Romina Zano, ai i parashtroi vetë qëndrimet e tij. Ai shpjegoi se ishte larguar në Greqi në vitin 1992, sapo kishte përfunduar shkollën e mesme dhe kishte jetuar e punuar fillimisht në ishullin Tinos, ku kishte pasur dhe familjarë të tij. Ai rrëfeu për punët e tij të para si pjatalarës, ndihmës kuzhinier e më pas si kamerier. Sipas subjektit, në atë periudhë kishte njohur një arkitekt, i cili do të kryente ndërtime dhe i kishte thënë nëse mundej të krijonte një brigadë ndërtimi. Dosti tha se kishte biseduar me familjarët e tij që punonin në ndërtim dhe kishin rëndë dakord të punonin për arkitektin grek.
Nga sa tregoi subjekti, ky moment kishte qenë dhe çelësi i suksesit të tij financiar, duke arritur të kujdesej për organizimin e punës dhe mbajtjen e marrëdhënies me arkitektin grek, i cili e paguante për zërat e punimeve që kryenin, ndërsa punëtorët paguheshin me ditë pune. Kjo i ka mundësuar, sipas tij, të krijonte të ardhura të konsiderueshme për atë periudhë.
Sipas Dostit, thuajse të gjitha pagesat ishin kryer cash, kurse në një rast kur kishte pasur punime në ishullin Rodos, për shkak të distancës së largët, kishte hapur një llogari bankare ku arkitekti grek depozitonte shumat për hakën e punimeve. Në vijim subjekti theksoi se ato të ardhura i kishte transferuar në Shqipëri përmes bankave.
Lidhur me shitjen e lokalit, subjekti sqaroi se ajo pasuri ka qenë në emër të nënës, megjithëse ai kishte investuar gjatë gjithë kohës. Ai pretendoi se nuk kishte pasur asnjë arsye që të mos vendosur vlerën e plotë të shitjes së lokalit për të shmangur detyrimet tatimore, pasi atëherë detyrimi ishte 1% që përbënte një shifër të papërfillshme. Sipas subjektit, kishte qenë noterja ajo e cila kishte thënë se deri në vlerën 4 milionë lekë, kontrata hartohej për një pagesë prej 6 mijë lekësh, ndërsa për një shumë më të madhe, paguhej shumë herë më shumë. Për këtë arsye ishte përcaktuar në kontratë çmimi 3.9 milionë lekë. Ai pretendoi se një vlerë prej 8 milionë lekësh e kaluar në llogarinë e nënës pak muaj para aktit të shitjes, ishte pjesë e çmimit real të paguar nga blerësi për lokalin.
Figura dhe profesionalizmi
Lidhur me dyshimet e ngritura në raportin e DSIK, subjekti solli në vëmendje të Kolegjit se bashkëshortja e tij në vitin 2015 ishte pajisur me certifikatë sigurie pasi punonte pranë Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Dosti tha se për këtë arsye ishte pajisur dhe ai me certifikatë sigurie nga DSIK në atë kohë.
Për denoncimin e kryer ndaj tij nga avokati A.Ll., subjekti tha se ai avokat nuk kishte lënë asnjë magjistrat pa anatemuar. Sipas Dostit, portali i disponuar nga avokati A.Ll. ka shpikur ndaj tij, duke sajuar dhe dënimin në Itali në vitin 1998.
Subjekti solli në vëmendje se në ’98-ën ishte pajisur me pasaportë në Shqipëri dhe një vit më vonë me vizë greke. Ai theksoi se nuk mund të gjendej në të njëjtën kohë dhe në burg në një shtet tjetër, edhe në Shqipëri duke u pajisur me pasaportë në komisariat. “I kundërshtoj fort pretendimet se kam qenë i dënuar”, tha Dosti ndër të tjera. Subjekti shtoi se të gjitha ankesat ndaj tij ishin kryer në një kohë të shkurtër dhe se kanë pasur qëllim për ta dëmtuar.
Dosti u mbrojt edhe lidhur me faktin se ishte përfshirë në politikën vendore duke mbajtur poste drejtuese në subjektin politik ku ishte pjesë. Sipas tij, atëherë nuk mund të mbaje pozicione drejtuese në parti, qoftë dhe po të kishe një cent të vogël, pasi kontrolli dhe vendimmarrja bëhej nga baza. “Jam krenar për atë kohë”, tha Dosti dhe shtoi se për figurën është shumë i qetë dhe i pastër.
Një prej çështjeve të trajtuara në aspektin profesional kishte të bënte me lirimin me kusht të një të pandehuri të dënuar për “Dhunë në familje” dhe për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Gjatë hetimit në KPK, Dosti ka shpjeguar se të dyja dënimet ndaj të pandehurit ishin bashkuar në një dënim të vetëm dhe për këtë arsye nuk mund të thuhej se ai po kryente njërin nga dënimet dhe ishte përsëritës në tjetrin. KPK nuk ka gjetur probleme në vendimmarrjen e subjektit, por sipas Ballhysës, në këtë rast nuk mund të gjente zbatim verifikimi i kryer nga subjekti nëse i pandehuri ishte ose jo përsëritës në kryerjen e veprave penale.
Komisioneri vlerëson se bashkimi i dënimeve në një të vetëm nuk mund të interpretohet si rrethanë e cila karakterizon personin i cili ka kryer disa vepra penale, si person jopërsëritës dhe të legjitimojë dhënien e masës së lirimit me kusht.
Po ashtu, Ballhysa u qëndroi dhe shkaqeve të tjera të ngritura në aspektin profesional duke e cilësuar të cënueshëm përfundimin e Komisionit për këtë kriter, si dhe i konsideron mangësitë e konstatuara si shkarkuese.
Gjyqtari Dosti pranoi se në kriterin e pasurisë mund të kishte ndonjë pasaktësi, por ai theksoi se pika e tij e fortë është profesionalizmi. Ai u shpreh se proceset gjyqësore janë të gjalla, ku shikohen e dëgjohen njerëzit, ndërsa jo gjithçka shkruhet në vendime. Lidhur me mos shënimin në vendim të shuarjes së masave për detyrim paraqite, ai tha se ato shuhen automatikisht.
Po ashtu kundërshtoi konstatimin për mos marrjen e një vendimi për gjykimin në mungesë. Sipas subjektit, ajo kishte qenë seancë përgatitore.
Lidhur me vendimmarrjen për lirimin me kusht, subjekti tha se personi në fjalë pas lëshimit të urdhrit të mbrojtjes ishte larguar dhe jetonte tek motra në një qytet tjetër. Sipas tij, pas katër muajsh bashkëshortja kishte njoftuar policinë se në shtëpi gjendej një armë që ishte e bashkëshortit që e akuzonte për dhunë në familje.
Dosti argumentoi se përcaktimi përsëritës në kuptimin ligjor është i ndryshëm nga ai numerik. Duke sjellë në vëmendje dhe situatën ekonomike të personit për të cilin kishte vendosur ta lironte me kusht, subjekti këmbënguli se kishte dhënë një vendim të drejtë.
Në përfundim, Kolegji parashtroi se veç denoncimeve të mëparshme, së fundmi ishte denoncuar dhe një i ri. Për t’u dhënë kohë palëve për të përgatitur qëndrime për denoncimet, trupi gjykues i KPA vendosi të shtyjë seancën për më datë 19 dhjetor.




