Trupa gjykuese gjatë seancës dëgjimore ndaj gjyqtarit Petrit Aliaj. Foto:Vladimir Karaj
KPK Lajme Në Fokus

KPK do hetojë raportet mjekësore të gjyqtarit Petrit Aliaj

Pas shtyrjes së seancës së tretë dëgjimore me një tjetër raport mjekësor nga gjyqtarit Petrit Aliaj, KPK i kërkoi Këshillit të Lartë Gjyqësor të caktojë një mjek për ekzaminimin e tij të pavarur dhe i kërkoi Ministrisë së Shëndetësisë hetimin e protokolleve dhe raporteve të lëshuara.

Trupa gjykuese gjatë seancës dëgjimore ndaj gjyqtarit Petrit Aliaj. Foto:Vladimir Karaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të mërkurën një seancë jo të zakonshme dëgjimore. Në sallën e gjyqit në Pallatin e Kongreseve ishin rralluar karriget për publikun, që ishin vendosur larg njëra tjetrës si masë kundër Covid-19, por në seancë nuk kishte asnjë pjesëmarrës nga publiku, ndërsa nuk u paraqit as gjyqtari Petrit Aliaj, ndaj të cilit zhvillohej seanca.

Kryesuesja e trupës Etleda Çiftja lexoi një raport të shkurtër të arsyeve të mungesës së palëve. Çiftja vuri në dukje se gjyqtari Aliaj, dy seanca ndaj të cilit ishin shtyrë tashmë, kishte sjellë një raport të ri mjekësorë, sipas të cilit pretendonte se ishte i shtruar në spital. Çiftja tha se Aliajt i ishte kërkuar të dërgonte përfaqësues ligjorë, por ai nuk e kishte bërë këtë.

Kryesuesja vuri në dukje, se raportet mjekësore për probleme të ndryshme shëndetësore brenda pak ditësh,  kishin krijuar dyshime te KPK. Kjo e fundit tha se do i kërkonte Ministrisë së Shëndetësisë që të hetonte vërtetësinë e raporteve shëndetësore që Aliaj kishte marrë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësorë që të egzaminonte gjendjen e gjyqtarit duke caktuar një mjek të vetin.

“I gjendur në këtë situatë trupi gjykues vendosi të hetoj procedurat ligjore të ndjekura për lëshimin e këtyre raporteve”, tha Ciftja. Nga Ministria e Shëndetësisë u kërkua auditimi i raporteve të lëshuara deri tani nga Aliaj. KPK tha se ministrisë i ishtë kërkuar që të ngrinte një grup mjekësh për të investiguar rastin.

Ndërkohë KLGJ-së iu kërkua që të kryente egzaminimin e Aliajt me një mjek të caktuar prej vetë Këshillit.

Petrit Aliaj e ka nisur karrierën e tij në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë si gjyqtar në Delvinë dhe në Sarandë. Në vitin 2004, Aliaj u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë me motivacionin “Për kryerjen e veprimeve që vijnë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës”, ndërsa një vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë e riktheu atë në punë në vitin 2006.

Pavarësisht trajektores së ndërlikuar të karrierës së tij, Aliaj u promovua në detyrë në vitin 2013 si gjyqtar i Gjykatës së Apelit të Vlorës. Në vitin 2015, ai u kallëzua nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për mosdeklarim dhe fshehje të burimeve të pasurisë së tij si dhe për deklarime të rreme. Për këto akuza ai u hetua më pas nga Prokuroria e Elbasanit, e cila vendosi të pushojë çështjen penale kundër tij. Aliaj ka deklaruar se kishte punuar si avokat për kompanitë e vëllezërve Balili në Delvinë. Ai po ashtu ishte pjesë e trupit gjykues që lehtësoi dënimin ndaj Dritan Dajtit, nga burg përjetë në 25 vjet.

Ndaj Aliajt dhe dy kolegëve të tij u ndërmorën kontrolle në shtëpi, ndërsa u nis pas kësaj një hetim nga prokuroria. Struktura e Posaccme Kundër Korrupsionit e dërgoi në fillim të janarit dosjen në gjykatë për ta pushuar, por ajo u kthye pas nga gjykata për hetime të mëtejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *