Prokurori Erjon Shehaj (majtas) pas seancës dëgjimore në KPK.
KPK Veting

Prokurori Erjon Shehaj jep shpjegime për burimet e pasurisë

Drejtuesi i Prokurorisë së Lezhës, Erjon Shehaj u përball të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për pasurinë, kriterin e vetëm për të cilin është mbyllur hetimi administrativ paraprak.

Procesi i vetingut për prokurorin Shehaj po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Erjon Shehaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në qershor të vitit 2012 dhe prej asaj kohe vazhdon ta ushtrojë detyrën në Prokurorinë e Rrethit Lezhë, ku prej prillit të vitit 2021 mban dhe funksionin e drejtuesit.

Në seancë u sqarua se është pranuar një kërkesë e subjektit për shtyrje të seancës dëgjimore, ndërkohë që kërkesa tjetër për riçeljen e hetimit për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin do të shqyrtohet gjatë vendimarrjes përfundimtare.

Pasaktësi dhe mungesë burimesh

Ndryshe nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, ILDKPKI që nuk ka gjetur asnjë problem në deklarimet e pasurisë dhe për burimet e krijimit të tyre – Komisioni konstaton pasaktësi, mospërputhje dhe mungesa financiare.

Në seancë u relatuan gjetjet për dy pasuritë e zotëruara nga familja e prokurorit Shehaj, një apartament në Tiranë me sipërfaqe totale 94 m2 në vlerën 62 mijë euro dhe një automjet tip “Benz” të blerë për çmimin 300 mijë lekë.

Sipas relatores Qirko, subjekti ka deklaruar se apartamentin e ka porositur në maj të vitit 2009 kur ka paguar shumën 45 mijë e 600 euro e në vijim ka lidhur kontratë premtim shitje në vitin 2014, kur ka paguar dhe shumën 13 mijë e 500 euro, ndërsa kanë mbetur pa u likujduar 2900 euro.

Si burim krijimi të kësaj pasurie, Shehaj ka deklaruar një kredi bankare në shumën 4 milionë lekë si dhe dy hua të marra nga babai i tij, një në vitin 2009 në shumën 2.5 milionë lekë dhe tjetrën në 2013-ën në vlerën 14 mijë euro.

Nga verifikimi i deklaratës përpara fillimit të detyrës të vitit 2012 të prokurorit Shehaj dhe nga deklarimet e bashkëshortes, edhe ajo subjekt rivlerësimi prej vitit 2009, KPK ka konstatuar se apartamenti i porositur në vitin 2009 ka qenë me sipërfaqe më të vogël dhe kundrejt çmimit 48 mijë euro.

Në vitin 2014, subjekti ka deklaruar revokimin e kontratës së sipërmarrjes së vitit 2009 dhe lidhjen e kontratës së premtim shitjes për blerjen e apartamentit me sipërfaqe më të madhe. Gjithashtu, ka deklaruar dhe një hua tjetër të marrë nga babai, në shumën 14 mijë euro, edhe këtë të formalizuar me deklaratë noteriale.

Nga hetimi ka rezultuar se sipas kontratës së sipërmarrjes së vitit 2009 është përcaktuar se kësti i parë në vlerën 30 mijë euro të shlyhej brenda majit 2009, ndërsa kësti i dytë 18 mijë euro në momentin e dorëzimit të apartamentit. Ndërkohë, veç shlyerjes së këstit të parë 30 mijë euro, në tetor të vitit 2009 është nënshkruar deklaratë noteriale se nga kësti i dytë është shlyer vlera 15 mijë e 600 euro.

Në vijim, në kontratën e premtim- shitjes në janar të 2014-ës është përcaktuar çmimi total 62 mijë euro për shkak të rritjes së sipërfaqes; se shuma 45 mijë e 600 euro është likujduar sipas kontratës së sipërmarrjes të vitit 2009; si dhe është pasqyruar shlyerja e këstit të dytë në shumën 13 mijë e 500 euro, ndërsa kësti i fundit 2900 euro është përcaktuar të likujdohet me nënshrkimin e kontratës së shitblerjes.

Komisioni ka analizuar burimet e krijimit të kësaj pasurie të deklaruara nga Shehaj dhe bashkëshortja e tij prej nga është konstatuar se kredia nuk mund të ketë shërbyer për pagesën e këstit të parë, pasi është disbursuar rreth 5 muaj më vonë.

Si burime për shumën 2.5 milionë lekë të dhënë hua nga babai, Shehaj ka shënuar në deklaratën veting të ardhurat nga pagat e prindërve dhe shitja e një trualli në Sarandë. Kur është pyetur nga ILDKPKI në vitin 2014, ka deklaruar se burim i huadhënies kanë qenë të ardhurat nga emigracioni dhe shitja e truallit, ndërsa gjatë hetimit subjekti ka sqaruar se veç pagave dhe të ardhurave nga shitja e truallit, ka shërbyer dhe një hua në shumën 1.5 milionë lekë që i ati ka marrë prej një kushëriri, duke dorëzuar dhe dokumentacion vërtetues.

Sipas KPK, prindërit e kanë pasur të pamundur që prej pagave të kishin kursyer shumën 2.5 milionë lekë, ndërsa për të ardhurat e pretenduara nga shitja e truallit nuk ka rezultuar të jetë paguar tatimi përkatës. Po ashtu, huaja nga kushëriri i babait nuk është konsideruar prej KPK me arsyetimin se Shehaj ka pasur detyrimin ta deklarojë në kohë reale.

Për rrjedhojë, nga analiza financiare për pagesën e këstit të parë ka rezultuar balancë negative në shumën 3.5 milionë lekë.

Lidhur me shlyerjen e këstit të parë, Shehaj pretendoi se kishte depozituar si provë një deklaratë noteriale të vitit 2009 që vërtetonte se babai kishte marrë hua të përkohshme në vlerën 30 mijë euro tek një subjekt, ku ishte përcaktuar se duhej të shlyhej brenda vitit. Ai këmbënguli se kishte dorëzuar dokumente që provonin mundësinë e huadhënësit dhe se kur ishte disbursuar kredia ishte mundësuar shlyerja.

“Nuk është deklaruar në vite se ishte një hua e përkohshme dhe ishte shlyer brenda vitit. Mendoj se kam kryer deklarim të saktë, pasi huaja ishte e përkohshme dhe nuk ka qenë detyrim për t’u deklaruar”, pohoi Shehaj.

Edhe kur u pyet nga relatorja Qirko se përse nuk e kishte përmendur asnjëherë para kalimit të barrës së provës këtë hua, Shehaj theksoi se si burime të apartamentit kishte konsideruar gjithmonë kredinë dhe huatë e marra nga i ati.

Në vijim, subjekti deklaroi se kishte vërtetuar me dokumentacion edhe marrjen e huave nga i ati, si dhe mundësitë finaciare të prindërve të tij për kursimin e tyre.

KPK nuk ka gjetur probleme për pagesën e këstit të dytë 15.600 euro të shlyer me një pjesë së vlerës së kredisë, ndërsa për këstin tjetër 13 mijë e 500 euro të paguar në vitin 2014 pas ndryshimit të kontratës për sipërfaqen e apartamentit është konstatuar sërish pamundësi financiare.

Qirko tha se prej hetimit ka rezultuar se huaja është marrë në nëntor të vitit 2013 dhe nuk është deklaruar si gjendje e disponuar në fund të atij viti dhe për rrjedhojë nuk është konsideruar si burim për shlyerjen e këstit në janar të 2014-ës.

Mungesë financiare është konstatuar dhe për blerjen e një automjeti tip Benz në vitin 2016 për çmimin 300 mijë lekë, ku si burim krijimi të kësaj pasurie janë deklaruar të ardhurat nga pagat. Nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në shumën 359 mijë lekë për blerjen e këtij mjeti.

Komisioni ka gjetur mospërputhje në deklarimet për gjendjet cash në vite me atë ‘veting’, pasi në këtë të fundit ka shënuar shumën 350 mijë lekë dhe vlerën 1450 euro, ndërsa në përllogaritjen e shumave të pasqyruara në deklaratat vjetore duhej të disponohej shuma 1.4 milionë lekë.

Si burime krijimi të gjendjes cash, Shehaj ka deklaruar të ardhurat nga pagat dhe nga kontrata e bashkëshortes e lidhur me prezencën e OSBE në Shqipëri. Komisioni i ka kaluar subjektit barrën e provës lidhur me mospërputhjet për gjendjen cash dhe për të depozituar në formën e kërkuar nga ligji kontratat e lidhura me OSBE, me qëllim vërtetimin e pagesës së detyrimeve tatimore mbi të ardhurat e përfituara.

Shehaj deklaroi se shpjegimet dhe provat e tij e përmbysnin balancën negative të vitit 2016 dhe se rezultonte të kishte pasur burime të ligjshme për blerjen e Benz-it. Ai theksoi se të ardhurat e siguruara prej bashkëshortes nga bashkëpunimi me prezencën e OSBE-së në Shqipëri, ishin burime të ligjshme.

Nga analiza financiare e përgjithshme për periudhën 2008-2016 ka rezultuar balancë negative në shumën 4.2 milionë lekë. Balancë negative është gjetur dhe në vitin 2017, në shumën 897 mijë lekë.

“Kam shpjeguar dhe provuar mundësinë e babait për dhënien e huave. Nëse konsiderohen atëherë rezultoj me balancë pozitive,” deklaroi prokurori Shehaj dhe kërkoi që të përfshihen në analizë edhe shpjegimet e dhëna gjatë seancës dëgjimore.

Shehajt i janë kërkuar shpjegime dhe për përdorimin e një automjeti tip Benz në pronësi të kunatit të tij. Sipas Qirkos, kunati i ka dhënë subjektit të drejtën e përdorimit të këtij mjeti, në të njëjtën ditë që e ka blerë kundrejt çmimit 400 mijë lekë.

Prokurori Shehaj pohoi se e kishte deklaruar në 2016-ën të drejtën e aktit të përdorimit të mjetit. Ai shtoi se nuk e kishte përdor më këtë mjet, pasi kishte blerë makinën e tij.

Në fund të seancës, prokurori Erjon Shehaj kërkoi të konstatohet se ka arritur nivel të besueshëm për pasurinë dhe të riçelet hetimi për dy kriteret e tjerë. KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më datë 10 janar, ora 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *