Gjyqtarja Eda Kaja u gjet me probleme të shumta për pasurinë

Analiza dhe Opinione Uncategorized
Gjyqtarja e Gjykatës së rrethit Gjyqësor Durrës, Eda Kaja u shkarkua nga detyra më 16 nëntor 2021 pasi prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u konkludua se kishe kryer deklarim të pasaktë e pamajftueshëm për pasurinë; deklarim të rremë dhe veprime fiktive; se ka zhvilluar procese gjyqësore në situatë konflikti interesi interesi; është gjenur në papajtueshmëri me detyrën në zotërimin e aksioneve në një kantinë pijesh; si dhe në pamundësi financiare në shumën 8 milionë lekë për të justifikuar investimet dhe shpenzimet e kryera ndër vite.

Ndërkohë, trupa e KPK e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Xhensila Pinen, është ndarë në vlerësimin e të ardhurave të bashkëshortit nga një aktivitet privat. Megjithëse kryesuesja Valbona Sanxhaktari ka dalë me mendim paralel duke çmuar se këto të ardhura duhej të ishin konsideruar në analizën financiare, ajo i bashkohet shumicës në vlerësimin përfundimtar për shkarkimin e Kajës.

Gjyqtarja Eda Kaja e Gjykatës së Rrethit Durrës u përball më 11 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, ndërsa gjatë seancës dëgjimore që zgjati afro katër orë, u pyet dhe dha shpjegime për problemet e konstatuara për pasurinë.

Eda Kaja e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992 si ndihmës gjyqtare dhe është emëruar në funksionin e gjyqtares në 1994-ën. Ajo ka punuar për dy dekada si gjyqtare e Gjykatës së Durrësit.

Shmangie e detyrimeve dhe konflikt interesi

Për një apartament me sipërfaqe 115.9 m2; një garazh me sipërfaqe 19.4 m2 në bashkëpronësi me shoqërinë ndërtuese dhe një njësi shërbimi me sipërfaqe 23.79 m2 në Durrës, Kaja ka shënuar në deklaratën ‘veting’ se i ka përfituar këto pasuri nëpërmjet shkëmbimit të një trualli në vitin 2009. Ajo ka sqaruar se ka shpenzuar edhe 10 mijë euro për punime, të cilat janë marrë kredi si dhe të ardhura nga shitja e një apartamenti.

Komisioni konstaton se subjekti nuk i ka deklaruar këto pasuri në vitin 2009, si dhe ka deklaruar sipërfaqe të ndryshme ndër vite për këto prona. Pretendimet e subjektit se kishte menduar se i kishte deklaruar në vitin 2005 këto tre pasuri për të cilat kishte nënshkruar kontratë investimi në vitin 2002, nuk janë gjetur bindëse prej KPK që konstaton se dhe atëherë nuk është kryer deklarim i saktë lidhur me sipërfaqet.

Po ashtu, KPK vëren se Kaja nuk  ka dhënë shpjegime bindëse lidhur me mospërputhjen e çmimit të shitjes së njësisë, pasi në kontratën premtim-shitje të vitit 2008 është shënuar vlera 46 mijë euro, kurse në kontratën përfundimtare të vitit 2012 është përcaktuar 2.6 milionë lekë. Sipas trupës së KPK, pasqyrimi i çmimeve të ndryshme në këto kontrata është bërë nga subjekti me qëllim shmangien e pagimit të detyrimit tatimor.

Sipas Komisionit, Kaja ka shfaqur qëndrime kontradiktore lidhur me çmimet e ndryshme për shitjen e njësisë, pasi ka deklaruar se nuk ishte në dijeni përse kjo vlerë është shënuar 2.6 milionë lekë në vitin 2012, ndërkohë që e ka nënshkruar vetë kontratën.

Gjithashtu, është konsideruar jo bindës dhe pretendimi se shuma 2.6 milionë lekë përfaqëson vlerën e pashlyer, pasi në kontratë nuk është e përcaktuar ndonjë klauzolë e veçantë që shuma e pasqyruar përcakton diferencën e mbetur për bashkëpronaren tjetër, ashtu si ka deklaruar subjekti.

“Në lidhje me ekzistencën e dy kontratave me çmime të ndryshme, ku në kontratën përfundimtare të shitjes të vitit 2012 pasqyrohet një çmim shumë herë më ulët se në kontratën e premtim-shitjes së vitit 2008, Komisioni krijon bindjen se nga subjekti janë kryer veprime fiktive me qëllim shmangien e pagimit të detyrimeve tatimore”, vlerëson Komisioni.

KPK nuk ka përfshirë në analizën financiare shumën 23 mijë euro të deklaruar nga Kaja si të përfituar në vitin 2008 me kontratën e premtim-shitjes së njësisë, pasi nuk është paguar tatim. Moskonsiderimi i kësaj shume e ka penalizuar subjektin dhe në analizën për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 55 m2 në Durrës në vitin 2008, pasi ishte deklaruar si burim për krijimin e kësaj pasurie.

Në vijim Komisioni konkludon se Kaja ka kryer deklarim të pasaktë lidhur vlerën e investimit të kryer në apartamentin 115.9 m2 të përfituar me shkëmbimin e truallit në 2009-ën, pasi në deklaratat periodike dhe atë veting ka shënuar shumën 10 mijë euro, ndërsa ka depozituar një preventiv punimesh në vlerën 2 milionë lekë. Po ashtu ka rezultuar në pamundësi për kryerjen e pagesës në shumën 20 mijë euro në vitin 2006 për punimet, pasi ka rezultuar balancë negative në shumën 473 mijë lekë.

Ndërkohë, gjyqtarja Kaja është gjetur në kushtet e konfliktit të interesit me shoqërinë ndërtuese me të cilën ka lidhur kontratën e investimit dhe atë të shkëmbimit. Nga hetimi ka rezultuar se në korrik të vitit 2018 ajo ka shqyrtuar një çështje ku palë ankuese ishte administrator dhe ortaku i vetëm i shoqërisë ndërtuese, P.Ll..

“[…]Subjekti kishte një marrëdhënies interesi, duke filluar me kontratën e investimit të vitit 2002 dhe, më pas, me kontratën e shkëmbimit të vitit 2009, si dhe duke vijuar bashkëpronësinë me garazhin me sip. 19.4 m2”, konstaton Komisioni.

Fiktivitet në çmimin e shitjes ka rezultuar dhe për një apartament në emër të bashkëshortit, vjehrrës dhe kunatit të subjektit. Kaja ka deklaruar se nga shitja e kësaj pasurie në vitin 2004 janë përfituar 4 milionë lekë, që i janë lënë familjes së saj për shkak se kanë jetuar në atë shtëpi së bashku me vjehrrën që kur janë martuar, por nga hetimi ka rezultuar se në hipotekë është dorëzuar kontratë me çmim sa gjysma e atij të deklaruar.

“[…]Në kontratën e shitjes të depozituar nga subjekti në ILDKPKI dhe Komision, pasqyrohet vlera 4,000,000 lekë, ndërsa në kontratën e shitjes të depozituar në ASHK, me të njëjtat palë, të njëjtët numra repertori dhe koleksioni, e njëjta datë dhe e hartuar nga e njëjta notere është shënuar vlera 2,000,000 lekë”, konstaton Komisioni dhe shton se në llogarinë bankare të bashkëshortit është kaluar shuma 4.2 milionë lekë.

Sipas KPK, edhe në këtë rast krijohet bindja se kontrata fiiktive me çmimin 2 milionë lekë është përpiluar me qëllim shmangien e pagimit të tatimit mbi të ardhurat nga shitja. “Ky fakt përforcohet nga mandatpagesa e tatimit në shumën 10,000 lekë për vlerën 2,000,000 lekë, nënshkruar nga znj. G.K.”, vëren trupa e KPK dhe ka konsideruar në analizë shumën 2 milionë lekë për të cilën është paguar tatimi mbi të ardhurat.

Në vijim komisioni konstaton mosdeklarim të aksioneve të subjektit dhe të bashkëshortit të saj në një kantinë pijesh Durrës për periudhën 2003-2009, si dhe gjendjen e Kajës në kushtet e papajtueshmërisë së funksionit të gjyqtarit në zotërimin e këtyre kuotave.

KPK ka konkluduar pamundësi për blerjen nga bashkëshorti të një automjeti tip Mercedes-Benz në vitin 2009 për çmimin 5000 euro, ku si burim krijimi ka deklaruar të ardhurat nga shitja e një mjeti të mëparshëm.

Nga hetimi ka rezultuar se subjekti nuk ka paguar në kohë reale tatimin për të ardhurat e përfituara nga shitja e mjetit të mëparshëm, ndërkohë që subjekti nuk ka dhënë shpjegime për ndryshimin e çmimit të blerjes dhe të shitjes. Trupa e KPK ka konsideruar në analizë vetëm shumën e përdorur për blerjen e mjetit të mëparshëm dhe për rrjedhojë ka rezultuar balancë negative në shumën 672 mijë lekë për blerjen e Benz-it në 2009-ën.

Komisioni nuk ka përfshirë në analizën financiare një gjendje cash në shumën 5000 euro me burime të deklaruara kursimet familjare ndër vite dhe ato të vjehrrës, pasi Kaja nuk ka deklaruar kursime në asnjë deklaratë periodike gjatë periudhës 2003 – 2016.

Në analizë nuk është konsideruar një hua në shumën 20 mijë euro që subjekti ka shpjeguar se e ka marrë për ta përdorur si garanci për marrjen e një vize, pasi rezulton të jetë kthyer brenda një kohe mjaft të shkurtër dhe të mos jetë përdorur si burim për destinacionin e deklaruar. Situatë e ngjashme është konstatuar dhe për një hua tjetër në shumën 10 mijë euro të marrë në vitin 2006 prej djalit të tezes.

Po ashtu, Komisioni nuk ka konsideruar vlerën 3000 euro të deklaruar si të përfituar nga shitja në vitin 2013 të një mjeti me vlerë 450 euro të dhuruar nga vjehrra në vitin 2011, pasi nuk është paguar tatimi fitimit.

Mendimi paralel

Shumica e trupës gjykues nuk ka përfshirë në analizën financiare të ardhurat e deklaruara nga subjekti si të përfituara nga bashkëshorti prej autoshkollës për periudhën 2006-2009, në shumën totale 10 milionë lekë.

“Referuar të dhënave tatimore të shoqërisë “***”/“***” sh.p.k. rezulton se ka realizuar fitim si shoqëri, për të cilin ka paguar tatimin e thjeshtuar mbi fitimin, por nuk rezulton të ketë shpërndarë dividendë te ortaku i vetëm i shoqërisë, E.K., duke nënkuptuar që ky fitim nuk është shpërndarë, por ka mbetur në shoqëri dhe, si i tillë, nuk mund të pretendohet nga subjekti si e ardhur e ligjshme për aq kohë sa nuk është shpërndarë dhe paguar tatimi sipas ligjit”, vlerësojnë relatori Olsi Komci dhe anëtarja Xhensila Pine.

Kryesuesja Valbona Sanxhaktari vlerëson ndryshe, duke e konsideruar arsyetimin e shumicës të paharmonizuar me dispozitat ligjore e nënligjore ‘Për Tatimin mbi të Ardhurat nga aktiviteti tregtar Biznes i Vogël’.

“[….]vlerësoj se subjekti rivlerësimit ka provuar se aktiviteti i bashkëshortit të saj ka qënë subjekt i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, e se ai ka paguar rregullisht tatimin e thjeshtuar me këste mujore”, shprehet Shanxhaktari dhe çmon se trupi gjykues duhet të kish arritur në konkluzinin se këto të ardhura janë të ligjshme e se duhen njohur e përfshirë në analizën financiare.

Sipas Sanxhaktarit, konsiderimi kësaj vlere nuk do të ndryshonte rezultatin e vetingut ndaj Kajës, por do të ndimonte për të ndërtuar një situatë të qëndrueshme dhe sa më të saktë të situatës në të cilën ndodhet subjekti i rivlerësimit.

Pas konsiderimit të shpjegimeve dhe provave të dorëzuara nga gjyqtarja Kaja është konkluduar balancë negative në shumën 8 milionë lekë për gjithë periudhën e rivlerësimit.