Prokurori Ilir Turja pas seancës dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

Prokurori Ilir Turja përballet me dyshime për fshehjen e një vile në plazh

Prokurori i Prokurorisë së Durrësit, Ilir Turja u përball të enjten më 3 nëntor 2022 me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore kundërshtoi analizën financiare që e kishte nxjerrë me mungesa të mëdha financiare për ndëtimin e një objekti të regjistruar në emrin e babait të tij në vendin e quajtur “Plazhi i Durrësit”, si dhe dyshimet për fshehje të kësaj pasurie në emër të familjarëve.

Komisioni nuk konstatoi probleme për aspektin profesional, ndërkohë që nuk u njoftua ndonjë gjetje në kriterin e pastërtisë së figurës, lidhur me informacionet e siguruara prej Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK pas përditësimit të raportit, ku ngriheshin dyshime për veprime korruptive në një çështje.

Procesi i vetingut për prokurorin Turja po kryhet nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Pamela Qirkon dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.

Ilir Turja e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.

Balanca negative dhe dyshime për fshehje

Relatimi për prokurorin Ilir Turja u fokusua gjatë në një banesë në plazhin e Durrësit, në pronësi të babait të subjektit dhe në përdorim të këtij të fundit. Si burime krijimi të kësaj pasurie, Turja ka deklaruar kursimet familjare dhe një kredi në vlerën 6 milionë të marrë prej tij vitin 2010 për një apartament – por pas revokimit të asaj porosie, shuma në fjalë është shpenzuar për shtesa në shtëpinë private në emër të të atit. Banesa në plazh është vendosur si kolatral për kredinë e marrë.

Nga hetimi ka rezultuar se babai i subjektit ka blerë në vitin 2002 truallin ku është ngritur banesa, ndërsa në 2003-shin ka nxjerrë leje për ndërtimin e një shtëpie trekatëshe. Ndërkohë, në vitin 2010, KRT Durrës ka miratuar leje për një shtesë anësore me tre kate + papafingo, ku investitor ka qenë po i ati. Qirko tha se dukej se ndërtimet e shtesës nuk janë përputhur me lejen e ndërtimit dhe për këtë shkak i është nënshtruar procesit të legalizimit.

Sipas relatores, janë kryer dhe dy ndërtime njëkatëshe dhe duket se në emër të babait të subjektit të rivlerësimit figurojnë tre objekte të lidhura me njëra – tjetrën, me sipërfaqe totale ndërtimi rreth 503 m2.

Qirko vërejti se Turja nuk ka pasqyruar në deklaratën “veting” vlerën dhe burimin e krijimit të objektit 3 kate + papafingo + bodrum + 2 objekte njëkatëshe. Duke ju referuar kostove të Entit Kombëtar të Banesave, vlera e investimit deri në vitin 2003 është përllogaritur prej Komisionit në shumën 7.5 milionë lekë, ndërsa investimi i shtesave në 2010-ën sipas preventivit në vlerën rreth 12 milionë lekë dhe 2.2 milionë lekë kostoja e dy objekteve njëkatëshe.

Komisioni vëren se subjekti ka deklaruar si adresë banimi më së shumti shtëpinë në emër të të atit, ku rezulton se në preventiv evidentohet edhe si investitor.

“Duket se kemi të bëjmë me situatën se persona të tjerë mund të mbajnë në emër të tyre pasuri të subjektit”, u shpreh Qirko dhe shtoi se megjithëse nuk rezulton që prindërit të jenë në cilësinë e dhuruesit apo huadhënësit, është kryer analiza e burimeve të tyre financiare për kryerjen e investimeve në banesë.

Sipas relatores, burimet kryesore për shtesën janë kredia në shumën 6 milionë lekë e marrë nga subjekti në vitin 2010 dhe vlera 4.9 milionë lekë e përfituar nga babai i tij në vitin 2006 nga shitja e një sipërfaqe toke.

Sipas KPK-së, Turja nuk ka deklaruar në vitin 2010 porositjen e apartamentit për të cilin ka marrë kredinë, megjithëse ka kryer pagesën. Ndërkohë, pagesa me vlerën e përfituar nga disbursimi kredisë rezulton të jetë kryer në llogarinë personale të përfaqësueses ligjore të shoqërisë ndërtuese. Po ashtu, subjekti nuk rezulton të ketë deklaruar kthimin e një pjese të vlerës së paguar nga shoqëria brenda vitit 2010. Bazuar në këtë situatë, relatorja u shpreh se dukej se shuma 3 milionë lekë e kthyer nga shoqëria ndërtuese në vitin 2010, nuk ka burim pagesën e kryer me vlerën e përfituar prej kredisë.

“Duket se qëllimi i vërtetë i marrjes së kredisë ka qenë për kryerjen e shtesave në shtëpinë e babait”, pohoi Qirko.

Nga verifikimi i transaksionit të kryer prej babait të subjektit me tokën, ka rezultuar se ai e ka blerë në 2005-ën për shumën 500 mijë lekë dhe e ka shitur një vit më vonë për afro 10 herë më shumë, në vlerën 4.9 milionë lekë. Bazuar në këtë fakt, KPK ka ngritur dyshime mbi vërtetësinë e vlerave.

Megjithatë, Qirko tha se për të kryer një analizë financiare garantiste është konsideruar si e ardhur shuma e plotë 4.9 milionë lekë e përfituar nga shitja e tokës. Sipas relatores, analiza financiare për këtë pasuri është kryer me rezervë, me qëllim verifikimin e mundësisë së prindërve për krijimin e burimeve që kanë shërbyer për blerjen e truallit dhe kryerjen e investimit, duke u bazuar në deklarimet e subjektit dhe dokumentacionin e administruar gjatë hetimit.

Nga analiza financiare për gjithë investimet e kryera për banesën në plazh, ka rezultuar balancë negative në vlerën totale 14 milionë lekë. Bazuar në faktin se subjekti shfaqet në cilësinë e investitorit, Komisioni i ka kaluar subjektit barrë prove për këtë pasuri.

“Ngrihen dyshime konkrete për pasuri të fshehur në emër të prindërve me qëllim shmangien e verifikimit të kësaj prone,” pohoi Qirko.

Nga analiza financiare e përgjithshme për të ardhurat dhe shpenzimet e subjektit dhe bashkëshortes së tij për periudhën 2003-2016 ka rezultuar balancë negative në shumën rreth 2 milionë lekë gjatë viteve 2010-2014.

Prokurori Turja theksoi se nuk gëzonte tagrin e bashkëpronarit në banesën në plazh, por vetëm atë të përdoruesit të një pjese të objektit. “Gjithë veprimet juridike janë kryer nga babai dhe me burime financiare të krijuara gjatë gjithë jetës sonë,” shpjegoi Turja dhe vërejti se e ka deklaruar këtë banesë rregullisht si adresë. Sipas tij, vetëm dy vite kur është transferuar të jetojë me bashkëshorten në Tiranë, nuk e ka deklaruar si adresë.

Turja vërejti se Komisioni nuk i ka përfshirë gjithë burimet financiare të deklaruara prej tij dhe të disponuara në vite nga prindërit. Subjekti shpjegoi se i ati ka qenë ushtarak dhe pas vitit 1992 kur ka dalë në rezervë, është trajtuar financiarisht duke pasur të ardhura në total rreth 760 mijë lekë deri në vitin 2003. Po ashtu, pohoi se nëna ka pasur të ardhura nga puna e saj në shumën rreth 939 mijë lekë për të njëjtën periudhë. “Të dy prindërit për periudhën 1995-2003 kanë pasur të ardhura afro 1.7 milion lekë që nuk janë llogaritur. Mbuloinë shpenzimet jetike në vlerën rreth 1.5 milionë lekë dhe balanca del pozitive në shumën 200 mijë lekë”, deklaroi Turja duke e cilësuar të gabuar analizën e KPK-së.

Subjekti shtoi se prej vitit 1995 ka pasur edhe të ardhurat e tij nga paga dhe i renditi për çdo vit, duke vërejtur se familja ka pasur një ekonomi të vetme me të ardhura të përbashkëta rreth 6.5 milionë lekë për periudhën 1995-2003 – që sipas tij janë menaxhuar nga babai në cilësinë e kryefamiljarit.

Turja tha se babai kishte marrë dhe një hua rreth 980 mijë lekë dhe sipas tij, nëse do të konsiderohej edhe një shumë e kthyer nga një shoqëri, atëherë mbulohej vlera e përcaktuar në preventivin e banesës.

Subjekti vërejti se në kolaudimin e banesës ishte konsideruar se vlera e objektit ishte po aq sa ishte përcaktuar në preventive, në shumën 5.5 milionë lekë dhe jo 7.5 milionë lekë sa e kishte përllogaritur Komisioni. “Godina e ndërtuar në vitin 2003 është krijuar me burime të ligjshme”, deklaroi Turja dhe shtoi se si djali i vetëm i familjes, nuk mund të kërkonte pjesë në banesën e ndërtuar me të ardhurat e gjithë familjes.

Ai kërkoi gjithashtu që vlera e punimeve për shtesën të mos përllogaritej në vlerën 12.3 milionë lekë sipas preventivit, por 7.5 milionë lekë – me argumentin se punimet e katit të parë dhe të dytë kishin përfunduar vetëm nga jashtë kur babai kishte aplikuar për legalizimin. “Vlera e punimeve nuk është 12.3 milionë lekë sipas preventivit, por mbeti 7.5 milioë lekë. Edhe pse kanë kaluar 10 vite ka ende punime të preventuara që nuk janë përfunduar,” pohoi Turja.

Për arredimin me pajisje të një aktiviteti bar-restorant të bashkëshortes në katin e parë të objektit, subjekti shpjegoi se kishin përdorur pajisje të përdorua të një të afërmi.

Sipas tij, nëse reflektohen këto rrethana atëherë balanca financiare rezulton pozitive. “Nuk e kam fshehur marrëdhënien me këtë pronë, por babai im është pronari i ligjshëm,” theksoi Turja.

Lidhur me balancën negative rreth 2 milionë lekë të konstatuar për të ardhurat dhe shpenzimet e tij dhe të bashkëshortes gjatë periudhës 2010-2014, Turja pretendoi se nuk janë përfshirë një pjesë e të ardhurave. Sipas tij, KPK nuk ka konsideruar të ardhurat e bashkëshortes nga paga, aktiviteti privat dhe ato nga leja e lindjes. “Të ardhurat nga aktiviteti tregtar e zerojnë balancën negative”, pretendoi Turja dhe vërejti se në kushtet kur nuk ishin konstatuar probleme për figurën dhe profesionalizmin, duhej të konfirmohej në detyrë.

Në fund të seancës, relatorja Qirko solli në vëmendje faktin se analiza financiare ishte bazuar në deklarimet e subjektit të rivlerësimit. “Nuk janë deklaruar kursime dhe Komisioni nuk ka se si t’i dijë”, vërejti ajo dhe shtoi se ishte i paqartë aktiviteti që ushtrohej në banesën në plazh.

Turja tha se kati i parë përdorej nga bashkëshortja si bar-restorant, ndërsa pjesa tjetër nuk përdorej për asnjë lloj aktiviteti. Në vijim, Qirko i tregoi subjektit foto të banesës, ku sipas saj dukej se çdo dhomë e çdo kati, përfshi edhe çdo dhomë e papafingos, ishte e pajisura me kondicioner dhe perde.

Subjekti deklaroi se kondicionerët e vendosur kanë qenë të përdorur. Sipas tij, qëllimi ka qenë për t’u përdorur për hoteleri, por se deri tanimë nuk ishte ushtruar një aktivitet i tillë.

Turja u pyet nga vëzhguesi i ONM-së, Kessler lidhur me rrethanat e shitjes së tokës nga babai në vitin 2006 për një çmim rreth 10 herë më të shtrenjtë. Subjekti shpjegoi se toka e blerë nga babai gjendjej pranë autostradës, ndërkohë që blerësi zotëronte gjithë sipërfaqen prapa dhe për këtë arsye toka e të atit merrte vlerë të shtuar. “Nuk kemi pasur asnjë lidhje me atë person”, ju përgjigj ai pyetjes së Kessler, nëse kishin pasur njohje me blerësin e tokës.

Sipas Komisionit, nga hetimi duket se subjekti ka qenë kontribues edhe në blerjen e një apartamenti në Tiranë nga bashkëshortja para martese, si burime krijimi të të cilit janë deklaruar të ardhurat e saj nga pagat, nga puna në shtetin italian, si dhe nga të ardhurat e familjarëve të saj.

KPK konstaton mospërputhje në deklarimin e çmimit të një automjeti, pasi në 2010-ën është shënuar në vlerën 150 mijë lekë, ndërsa më parë është deklaruar për çmimin 11 mijë euro.

Në përfundim, prokuori Turja kërkoi që mos e përmbyllë shqyrtimin gjyqësor pa reflektuar provat dhe shpjegimet e tij. KPK njoftoi se seanca për shpalljen e vendimarrjes do të zhvillohet më 7 nëntor, në orën 09:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *