Seanca ndaj prokurorit Mustafa Turku në KPK | Foto nga: Vladimir Karaj
KPK Lajme Veting

Prokurori Mustafa Turku jep shpjegime për pasurinë dhe qëndrimin në lirimin e Viktor Ymerit

Prokurori Mustafa Turku u përball të martën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me një sërë pyetjesh mbi mungesën sipas KPK të burimeve të ligjshme për pasurinë e krijuar prej tij që prej vitit 1993. Nga relatimi në seancë Turku ishte gjetur me bilance negative prej disa qindra mijë lekësh deri në vitin 2003 dhe me një bilanc negativ prej 4.5 milionë lekësh për periudhën 2003-2016.  KPK vuri në dukje se prokurorit i ishte kaluar barrë prove edhe në lidhje me disa mosdeklarime.

Atij iu kërkuan shpjegime mbi qëndrimin e tij kontradiktorë gjatë shqyrtimit të kërkesave për ulje dënimi e rillogaritje ditësh burgu të Viktor Ymerit, ish i dënuar me 25 vjet burg për vrasje.

Turku dhe avokati i tij Fatmir Lushi i kundërshtuan gjetjet e KPK-së duke pretenduar kryesisht për gabime në analizën financiare. Ata madje paraqitën kërkesë që analiza të bëhej nga ekspertë bankar, kërkesë që u kundërshtua nga Komisioni që vuri në dukje se një analizë të tillë mund ta bënte apo ta kishte bërë vetë subjekti. Prokurori këmbënguli po ashtu që të merreshin paraysh të ardhurat e bashkëshortes që nuk ishin njohur nga KPK dhe të ardhura të familjes. Ai pretendoi se të ardhurat e tij fillonin që në vitin 1986 dhe jo në vitin 1993 prej nga i llogariste KPK.

Turku megjithatë pranoi disa probleme në deklarimet e tij në vite dhe u përpoq të shpjegonte kontradiktat mes deklarimeve të tij për çmimin e disa aseteve dhe atë që gjendej në kontrata. Turku këmbënguli se vlerat më të larta në kontratë ishin si reflektim i vlerës së pronës, por jo i çmimit që ai kishte paguar.

Hetimi për Turkun u kryer nga trupa e KPK-së me kryesuese Firdes Shuli, relatore Valbona Sanxhaktari dhe anëtar Olsi Komici.

Kontrolli pasurisë

Nga relatimi i KPK-së u kuptua se hetimet mbi pasurinë e prokurorit Turku ishin ndarë në dy pjesë. E para që i takonte transaksioneve deri në vitin 2003 dhe e dyta transaksioneve deri në vitin 2016. Sanxhaktari vuri në dukje se prokurori rezultonte me bilance negative në të dy peroiudhat.

Sipas relatores në disa transaksione mbi një apartament dhe një shtesë në shtëpinë e tij në Elbasan, rezultoi se familja nuk kishte pasur burime të ligjshme financiare. Po ashtu KPK vuri në dukje se deklarimet e Turkut binin ndesh me kontratat e nënshkruara. Po ashtu KPK bëri me dije se një detyrim ndaj një ndërtuesi që kishte investuar në një shtesë apartamenti për Turkun ishte shlyer vetëm në vitin 2019, edhe pse nuk ishte deklaruar si detyrim më herët.

Turku këmbënguli se në analizë KPK-ja nuk kishte konsideruar të gjitha burimet finqanciare të familjes. Ai po ashtu vuri në dukje se ndërtuesi në fjalë ishte mik fëmijërie i tij dhe se pagesa ishte lënën të bëhej vetëm pas hipotekimit të shtesës. Ai këmbënguli në këtë version edhe pasi relatorja vuri në dukje se nuk kishte lidhje mes detyrimit për të paguar ndërtuesin me hipotekimin.

Ndërkohë pas vitit 2003 barra e provës kishte të bënte mbi mundësinë e krijimit të një llogarie kursimi dhe blerjen e një zyre. KPK tha se nga analiza financiare në tërësi Turku rezultoi me bilanc negativ prej 4.5 milion lekësh. Relatorja foli për transferta bankare që sipas saj nuk kishin burim dhe për disa mosdeklarime.

Turku dhe avokati i tij Lushi shpjeguan se llogaria bankare ishte një llogari kursimi e nisur prej prokurorit në kohën që ai ishte student. Prokurori këmbënguli se lëvizjet dhe zmadhimi i kësaj llogarie dhe transferimi në llogari të tjera ishte i një periudhe më të gjatë se sa kishte marrë parasysh KPK dhe këmbënguli se bankat nuk kishin informacion për një pjesë të kësaj periudhe. Turku tha se ai i kishte transferuar paratë sipas interesave bankare. Ai pretendoi se lëvizjet në këto llogari ishin prova të mjaftueshme.

Ndërkohë sa i përket blerjes së një zyre KPK vuri në dukje ndryshimin mes deklarimit të Turkut dhe kontratës së nënshkruar me të afërm të tij. Sipas deklarimit të Turkut zyra me vlerë 2 milion lekë, ishte paguar 50% në dorë dhe pjesa tjetër ishte paguar me një hua. Por sipas kontratës shumë ishte shlyer e gjitha para noterit. Ndërkohë në seancë Turku vuri në dukje se shitësit ishin të afërm të tij dhe se në fakt nuk kishte marrë hua, por ishte lejuar që pjesën tjetër ta paguante me këste.

Turku pretendoi se kontrata ishte bërë e tillë që noteri të mos kishte me probleme me dokumente shtesë dhe ishte e bazuar në mirëbesimin mes palëve.

Prokurori mohoi lidhjen me disa pasuri të pa deklaruara të bashkëshortes që siç doli në seancë ishin fituar nga çelje të trashëgimisë ligjore. Turku tha se këto pasuri nuk ishin të tyret dhe se kishte dakordësi që të mbeteshin anëtarëve të tjerë të fisit, por dokumentet nuk mbylleshin dot për shkak të listët së gjatë të trashgimtarëve dhe emigracionit.

Lirimi i Ymerit

Sipas relatimit të KPK Turku nuk kishte probleme të figurës, por sa i përket profesionalizmit relatorja Sanxhaktari qëndroi gjatë në rastin e lirimit të të dënuarit për vrasje, Viktor Ymeri.

Ymeri u lirua nga burg në dhjetor 2019 pasi Gjykata e Elbasanit miratoi një sërë kërkesash të tij në disa procese paralele për ulje dënimi dhe përfitime  nga amnistia.  (Ymeri u ri arrestua nga SPAK në vitin 2020 me akuza për vrasje të tjera, përfshi atë të Vajdin Lames).  KPK vuri në dukje se Turku kishte përfaqësuar prokurorinë në çështjet që sollën lirimin e Ymerit dhe se ai kishte pranuar kërkesat e të dënuarit ose nuk ishte paraqitur në seancë.

Sanxhaktari vuri në dukje një rast sipas të cilit edhe pse në seancë gjyqësore Turku kishte pranuar kërkesën e Ymerit për ulje dënimi, disa ditë më vonë kishte apeluar vendimin në ish-Gjykatën e Apelit Durrës.

Sipas relatores Gjykata e Apelit e kishte rrëzuar ankimin dhe ishte shprehur në vendim se prokurori ishte i paqartë në kërkesë dhe se kishte mbajtur qëndrim tjetër në seancën në shkallën e parë. I pyetur në seancë Turku pretendoi se pas vendimit ai kishte pasur dyshime dhe se kishte kërkuar t’i sqaronte këto dyshime përmes apelit.

Turku pretendoi se mosprania e prokurorit në seanca të kësaj natyre, që u interpretua nga KPK si pranim në heshtje i kërkesave të të dënuarit, ishte një praktikë e ndjekur në vijim dhe vuri në dukje se kishte sjellë një sërë vendimesh të ngjashme.  Seanca për njoftimin e vendimit u caktua më 26 tetor në orën 9.30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *