Skeda e pasurisë së deklaruar –Adelajda Gjuzi – Gjykata e Beratit

Skeda
Gjyqtarja e Beratit, Adelajda Gjuzi do të përballet të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Skeda grafike tregon ndryshimin e pasurisë së saj familjare.

Adelajda Gjuzi, gjyqtare e Gjykatës së Beratit do të përballet të enjten më 2 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i saj i vetingut po kryhet nga trupa gjyqësore e përbërë nga Alma Faskaj, Genta Tafa Bungo dhe Lulzim Hamitaj.

Adelajda Gjuzi përfundoi Shkollën e Magjistraturës në vitin 2013 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Beratit. Gjatë periudhës 2014-2015, Gjuzi ka punuar si ndihmëse ligjore në Gjykatën e Lartë dhe është kthyer më pas në Berat në funksionin e gjyqtares.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar nga gjyqtarja Adelajda Gjuzi nga viti 2012 deri në fund të vitit 2016. [Kliko për skedën në PDF].

Skeda e pasurisë familjare e deklaruar nga gjyqtarja Adelajda Gjuzi nga viti 2012 deri në fund të vitit 2016.

Në deklarimin për herë të parë në vitin 2012, gjyqtarja Adelajda Gjuzi deklaronte pasuri familjare me vlerë 5 milionë lekë, ndërsa në fund të vitit 2016, pasuria familjare kap vlerën e 10.9 milionë lekëve.

Ajo zotëron familjarisht një apartament me vlerë 8.6 milionë lekë, likujditete bankare prej 1.3 milionë lekësh, automjet me vlerë 1 milion lekë si dhe kursime në cash prej 10 mijë lekësh.

Të ardhurat familjare për periudhën deklaruese janë 9.7 milionë lekë, nga të cilat 40% burojnë nga paga e subjektit, rreth 24% nga paga e bashkëshortit dhe 32% nga dhuratat në cash të familjarëve.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 5 vite, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme.

Nga analiza cilësore e deklaratave të pasurisë, BIRN identifikoi si “flamuj të kuq” një dhuratë në cash nga prindërit si dhe një hua, të cilat shërbyen si burime për blerjen e një apartamenti.

Në vitin 2014, subjekti Adelajda Gjuzi deklaron blerjen e një apartamenti në Farkë të Tiranës me vlerë 8.6 milionë lekë, me burim financimi 3 milionë lekë të dhuruara nga prindërit e bashkëshortit, 3.5 milionë lekë nga pakësimi i një depozite bankare si dhe 1.6 milionë lekë detyrim i pashlyer ndaj firmës së ndërtimit. Ky detyrim do të shlyhet në vitin 2015 përmes një huaje të marrë në të njëjtën vlerë.

Ndërsa në vitin 2016, bashkëshorti i subjektit deklaron se ka në përdorim një garazh me vlerë 12 mijë euro në pronësi të babait të tij.

Deklarata Para Fillimit të Detyrës

Deklarata e pasurisë së vitit 2012

Deklarata e pasurisë së vitit 2013

Deklarata e pasurisë së vitit 2014

Deklarata e pasurisë së vitit 2015

Deklarata e pasurisë së vitit 2016

Për më shumë dokumente vizitoni databazën tonë dokumente.reporter.al