Trupa e KPK gjatë seancës për ish-gjyqtaren Andrea.
KPK Lajme

Ish-gjyqtarja Majlinda Andrea gëzon statusin e magjistratit edhe 6 vjet pas dënimit

Majlinda Andrea, ish-gjyqtarja e Gjykatës së Lartë e dënuar me shërbim prove për korrupsion, nuk u paraqit të hënën më 15 maj në seancën dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK lidhur me procesin e saj të vetingut, ndërkohë që relatimi ekspozoi mosushtrimin e kompetencave nga këshillat dhe institucionet kompetentë lidhur me statusin e saj. Për rrjedhojë, Andrea vijon të gëzojë statusit e magjistratit edhe gjashtë vjet pasi është dënuar për korrupsion. Në seancë, nuk u paraqit as përfaqësuesja ligjore e zgjedhur prej subjektit, avokatja Antoneta Sevdari.

Procesi i vetingut për ish-gjyqtaren Majlinda Andrea po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Alma Faskaj dhe anëtare Firdes Shulin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.

Majlinda Andrea e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992 dhe ka punuar fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Durrësit. Në vitin 2008, Andrea u emërua anëtare e Gjykatës së Lartë dhe e ushtroi detyrën deri në vitin 2016, kur u përball me akuzat për mitmarrje.

Relatorja Faksaj sqaroi në seancë, se në momentin e hyrjes në fuqi të legjislacionit për vetingun e magjistratëve, Majlinda Andrea ushtronte detyrën e anëtares së Gjykatës së Lartë. Ajo shtoi se në qershor të vitit 2017, Andrea është dënuar me 4 vjet burg për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarëve prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, por është vendosur pezullimi i ekzekutimit të vendimit për një afat prove prej 3 vjetësh, si dhe është caktuar si dënim plotësues heqja e të drejtës për të kryer funksione publike për një afat prej 5 vjetësh. Kërkesa e Andreas për shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

Në shkurt të vitit 2021, KPK ka vendosur ngritjen e trupës për rivlerësimin e Andreas, të përbërë nga komisioneret Alma Faskaj, Suela Zhegu dhe Firdes Shuli.

Por, bazuar në Kodin e Procedurës Administrative, vijimi i procesit për Andrean është vlerësuar jashtë kompetencës së trupave të gatshme, për arsye se është çmuar se nuk ishte rasti i dorëheqjes së subjektit.

Për rrjedhojë, në prill të vitit 2023, Komisioni nga ngritur trupën e re që po kryen vetingun e saj.

Nga hetimi i kryer prej Komisionit, ka rezultuar se pas dënimit të Andreas, ish-Kryetari i Gjykatës së Lartë i është drejtuar Presidentit të Republikës dhe Ministrit të Drejtësisë për të filluar procedurat për deklarimin e përfundimit të mandatit të Andreas.

Kjo kërkesë i është kaluar për kompetencë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por ky i fundit ka vendosur në korrik të vitit 2017, të mos e miratojë kërkesën e ish-kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe është propozuar që të kalohet për shqyrtim në institucionin e Presidentit të Republikës.

Ky institucion ka informuar Komisionin se korrespondenca e fundit lidhur me këtë procedurë mban datën 3 gusht 2017, ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ILD ka sqaruar se nuk rezulton të ketë nisur hetim disiplinor apo të ketë paraqitur kërkesë për procedim disiplinor pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Faskaj konstatoi se, në kushtet kur subjekti rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë për korrupsion, në mungesë të një vendimi të organeve kompetente të kohës, ish-KLD dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ, Komisioni çmon se duhet të shprehet lidhur me statusin e magjistratit të Andreas dhe statusin juridik të saj në raport me funksionin që ka patur. Po ashtu, ka vlerësuar që të kryejë edhe procesin e saj të rivlerësimit.

Sipas KPK, kur një magjistrat dënohet me një vendim penal të formës së prerë, përbën në vetvete një rast që përbën shkak për mbarimin e statusit të magjistratit. Kjo situatë vlerësohet nga Komisioni si element për cënimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Faskaj pohoi se, në kushtet kur ligji e ka parashikuar dënimin penal të gjyqtarëve dhe prokurorëve si shkak për mbarimin e statusit të magjistratit, kjo pasojë sjell edhe shkarkimin e tyre nga detyra.

“Vazhdimi i gëzimit të statusit të magjistratit për subjektin e rivlerësimit Majlinda Andrea do të ishte i papërshtatshëm dhe në kundërshtim me qëllimin dhe parashikimet e Kushtetutës”, pohoi Faskaj dhe konstatoi se subjekti cënuar rëndë besimin e publikut tek sistemi drejtësisë.

Relatorja Faskaj sqaroi se kjo seancë dëgjimore u zhvillua me qëllim që ish-gjyqtares Majlinda Andrea t’i jepej mundësia për të paraqitur komentet dhe deklaratat e saj. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 16 maj, në orën 09:45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *