Seanca dëgjimore për subjektin e rivlerësimit Marinela Osmani (Nuni) në Tiranë më 9 shkurt 2021. Foto: LSA
Artikull kryesor Lajme KPK Lajme Në Fokus

Gjyqtarja Marinela Osmani kërkon të mos gjykohet sërish për disbalancat që shkarkuan bashkëshortin

Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, aktualisht e komanduar si këshilltare ligjore e komanduar pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, kërkoi konfirmimin në detyrë duke argumentuar se problemet e identifikuara me pasurinë e saj familjare kanë sjellë sakaq shkarkimin e bashkëshortit, ish-prokurorit Gentjan Osmani.

Seanca dëgjimore për subjektin e rivlerësimit Marinela Osmani (Nuni) në Tiranë më 9 shkurt 2021. Foto: LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit doli në konkluzionin se gjyqtarja e Tiranës Marinela Osmani (Nuni) ka një mungesë të ardhurash të ligjshme në masën 3.5 milionë lekë për vitet 2010-2016 si dhe probleme me pagesën e një shume prej 32,680 eurosh për blerjen e një apartamenti, probleme që janë identifikuar më herët gjatë rivlerësimit të ish-prokurorit Gentjan Osmani, i cili është bashkëshort i gjyqtares por kjo e fundit hodhi poshtë analizën financiare dhe kërkoi konfirmim në detyrë pjesërisht në bazë të argumentit se disbalancat e vërejtura janë “gjë e gjykuar” dhe nuk mund të gjykohen për herë të dytë.

Gjyqtarja Osmani iu nënshtrua procesit të rivlerësimit kalimtar nga trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e përbërë nga Etleda Çiftja, kryetare, Brunilda Bekteshi, relatore dhe Suela Zhegu, anëtare. Rivlerësimi i këtij subjekti u monitorua nga vëzhguesi ndërkombëtar Ferdinando Buatier.

Familja e gjyqtares disponon një apartament me vlerë 82 mijë euro të blerë me të ardhurat e krijuara nga shitja e një apartamenti të blerë në vitin 2009. Apartamenti i vitit 2009 është blerë me kursime të familjes të mbajtura të gjitha në cash si dhe një dhuratë nga prindërit e gjyqtares në masën 1.5 milionë lekë dhe një hua private nga një qytetar që banon në Itali.

Relatorja e çështjes theksoi se nga komunikimi i pasur me kompaninë shitëse të apartamentit të blerë në vitin 2009 është marrë dokumenti i pagesës cash të shumës 32,680 euro në 21 mars 2009 ndërkohë që gjyqtarja ka deklaruar se kjo shumë është shlyer me këste përgjatë disa muajve. Hetimi ka dalë në konkluzionin se subjekti nuk ka pasur para të mjaftueshme për pagesën e shumës njëherësh ndërsa gjyqtarja i kërkoi trupës të shqyrtonte çështjen në tërësi duke këmbëngulur se pavarësisht se mandati i arkëtimit është i 21 marsit 2009 për të gjithë shumën, në fakt pagesa e saj është bërë me këste përgjatë atij viti, ku një pjesë e kësteve janë mbuluar me kursimet e atij viti.

Gjyqtarja u përpoq të argumentojë gjithashtu se një diferencë negative mes shpenzimeve dhe të ardhurave në masën 3.5 milionë lekë për periudhën 20010-2016 ishte pjesërisht e gabuar nga ana e komisionit dhe pjesërisht e mbështetur në gabime të saj në deklarimin vjetor ndërsa në mënyrë të përsëritur përdori si provë vendimin përfundimtar të shkarkimit të bashkëshortit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit duke argumentuar se disa nga problemet me pasurinë ishin gjykuar tashmë.

Sipas gjyqtares Osmani, shkarkimi i bashkëshortit dhe i asaj për të njëjtin shkak mund të përbëjë masë disproporcionale.

Relatorja Bekteshi tha se KPK e ka trajtuar rastin e gjyqtares si subjekt më vete dhe pa lidhje me vendimin e marrë për bashkëshortin.

Gjyqtarja rezultoi “e aftë” në vlerësimin profesional dhe “e përshtatshme” në kriterin e pastërtisë së figurës.

Vendimi për gjyqtaren Marinela Osmani pritet të shpallet të mërkurën më 11 shkurt ora 9.45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *