Gjyqtarja Nertila Kape | Foto: Edmond Hoxhaj
KPK Lajme Veting

Gjyqtarja Nertila Kape drejt konfirmimit në detyrë

Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Nertila Kape u përball pa probleme me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar të premten më 12 janar për procesin e saj të rivlerësimit.

Vetingu për gjyqtaren Kape po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Firdes Shulin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.

Nertila Kape përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2015 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, ajo u emërua në Gjykatën e Dibrës. Në tetor të vitit 2023, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi transferimin e gjyqtares Kape në Gjykatën e Tiranës përmes procedurës së lëvizjes paralele.

Sipas relatorit Komici, KPK nuk ka gjetur probleme në pjesën takuese të subjektit në një ngastër tok të përfituar nga familja e origjinës nëpërmjet ligjit “Për tokën”; për llogarinë e pagës; një hua 2000 USD me burim dhurim nga familja e saj me rastin e martesës, shumë që i dhënë shokut të bashkëshortit; për një tjetër hua në shumën 500 mijë lekë që gjyqtarja Kape i ka dhënë hallës, vlerë për të cilën ka deklaruar si burim të ardhurat nga bursa e Shkollës së Magjistratutës; për gjendjen cash 5500 euro me burim pagat, dhurim nga prindërit në shumën 2500 euro dhe nga bursa e magjistraturës; si dhe për blejen e një automjeti të llojit Benz në vitin 2014, për çmimin 1000 euro.

Në seancë u tha se KPK nuk ka gjetur probleme dhe në verifikimin e pasurive dhe shpenzimeve të bashkëshortit, konkretisht për një gjendje në bankë në shumën 1.1 milion lekë dhe një banesë të një kushëriri, të përdorur për disa vjet pa kundërshpërblim.

Komici pohoi se analiza financiare rezultonte me blianc pozitiv.

Gjyqtarja Nertila Kape mori vlerësim pozitiv për pastërtin e figurës. Për profesionalizmin u relatua se ka pasur dy denoncime nga publiku, pork a rezultuar se çështjet janë shqyrtuar nga të tjerë gjyqtarë. Po ashtu, nuk janë vërtetuar pretendimet e ngritura në një shkrim të një media online lidhur me një çështje të gjykuar nga subjekti.

Në përfundim, Gjyqtarja Nertila Kape deklaroi se ishte dakord më gjetjet e KPK dhe kërkoi konfirmimin e saj në detyrë. Komisioni njoftoi se vendimi do të shpallet më 15 janar, në orën 09:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *